Farsa elektorale, 50 mijë zarfa të përpunuara jashtë çdo baze ligjore nga Posta
Drejtori i Postës Shqiptare, ka përfshirë strukturën shtetërore në një veprim të ndaluar nga Kodi Zgjedhor. 25% e zarfave të diasporës janë devijuar nga DHL me dijeni të plotë dhe bashkëpunim të ngushtë mes Celibashit dhe Demirit. SPAK ka detyrim ligjor të veprojë pasi Celibashi kishte kontraktuar kompaninë DHL për një shumë rreth 11 milionë euro, për të kryer këtë shërbim.
Në zgjedhjet e 11 majit, ndërsa u flitej shqiptarëve për transparencë, barazi dhe votë të lirë, një strukturë e qeverisë siç është Posta Shqiptare ishte aktivisht e përfshirë në skemën e kontrollit të votës së diasporës, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kodin Zgjedhor.
Përfshirja e Postës është tashmë e pranuar publikisht nga vetë kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i cili tha se ajo u përdor për dërgimin dhe kthimin e disa qindra zarfave. Por të dhënat reale flasin për rreth 50 mijë zarfa të përpunuara jashtë çdo baze ligjore, shumica e të cilave kanë ardhur nga Greqia dhe Italia.
Sipas nenit 25/1 të Kodit Zgjedhor, votuesit shqiptarë që ndodhen jashtë vendit duhet t’i dërgojnë zarfat vetëm nëpërmjet një shërbimi postar privat, të kontraktuar nga KQZ-ja. Çdo përfshirje e një strukture shtetërore si Posta Shqiptare është e ndaluar me ligj.
KQZ kishte kontraktuar kompaninë DHL për një shumë rreth 11 milionë euro, për të kryer këtë shërbim. Por 25% e zarfave janë devijuar nga DHL te Posta Shtetërore, me dijeni të plotë dhe bashkëpunim të ngushtë mes:
-Drejtorit të Postës Shqiptare, Ardit Demiri, ish-kryetar i PS Elbasan;
-Kryetarit të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i propozuar nga vetë Rama si ish-ministër i tij;
-Qirjako Koçollarit, pronar i DHL në Shqipëri, me lidhje të vjetra në qeveri;
-Dhe sipas burimeve të brendshme, në bashkërendim me kabinetin e Kryeministrit Edi Rama.
Ky krim zgjedhor është i dokumentuar dhe tashmë kërkon hetim penal, pasi:
-Posta Shqiptare nuk ka kontratë me KQZ-në;
-Nuk ka qenë nënkontraktor i DHL-së;
-Është institucion publik dhe i ndaluar të përfshihet në procesin zgjedhor të votës së diasporës;
-Drejtorit Ardit Demiri i ndalohet ligjërisht të pranojë apo dërgojë zarfa zgjedhorë.
Më e rëndë është fakti se në zyrën e ngritur në fshehtësi brenda Postës, për menaxhimin e zarfave, ishte emëruar si përgjegjës djali i Pandeli Majkos, por u hoq 10 ditë para zgjedhjeve dhe u zëvendësua nga një “usta” me përvojë.
Ky është një ndër rastet më flagrante të ndërhyrjes së qeverisë në procesin zgjedhor, që përfshin strukturë shtetërore, shkelje të hapur ligji, manipulim të votës së diasporës dhe heshtje të institucioneve.
Ilirjan Celibashi deklaroi publikisht se do kërkonte sqarim nga DHL, por nuk përmendi asnjë detyrim për të bërë kallëzim penal ndaj drejtuesve të Postës, apo për të vënë në dijeni SPAK-un.
Tani është rradha e SPAK-ut: të veprojë kryesisht për të hetuar:
-Përfshirjen e Postës Shqiptare në një veprim të ndaluar nga Kodi Zgjedhor;
-Përgjegjësinë e Ardit Demirit si drejtor i institucionit publik;
-Bashkëpunimin me DHL për të devijuar zarfat dhe për të manipuluar votën e diasporës;
-Rolin e drejtpërdrejtë të zyrës së Kryeministrit në këtë skemë të organizuar.
Ky nuk është thjesht abuzim me një procedurë teknike. Ky është manipulim shtetëror i një pjese të procesit zgjedhor. Dhe ndëshkimi i këtij akti është prova reale nëse SPAK guxon të shkojë përtej fasadës dhe të godasë thelbin e strukturës që kontrollon zgjedhjet në Shqipëri.