Presidenti Bajram Begaj: Viziton anijen ushtarake të Marinës britanike: Bashkëpunim mes Mbretërisë së Bashkuar e Shqipërisë si anëtare të NATO-s

26
Sigal

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Prof. Dr.Bajram Begaj, zhvilloi të hënën një vizitë në anijen ushtarake të Marinës së Mbretërisë së Bashkuar, RFA “Argus”, e cila ndodhet në ujërat shqiptare në afërsi të Durrësit. Kjo vizitë u bë në kuadër të bashkëpunimit të fortë, mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë dhe si dy vende anëtare të NATO-s. Shqipëria feston këtë vit 15-vjetorin e anëtarësimit në NATO. Presidenti i Shqipërisë u shoqërua nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneralmajor Arben Kingji, dhe Ambasadori britanik, Alastair King-Smith. Në bordin e anijes Presidenti Begaj, u prit nga Komandanti dhe ekuipazhi. Presidenti Begaj falënderoi Komandantin e anijes për vizitën në Shqipëri, duke u shprehur se prezenca e tyre në rajon është domethënëse në një kohë kur siguria është tronditur pas agresionit rus në Ukrainë. Gjithashtu, presidenti vlerësoi forcat e armatosura të Marinës Mbretërore, të cilët i shërbejnë jo vetëm vendit të tyre, por dhe sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon, Evropë e më gjerë. Gjatë vizitës në anijen ushtarake britanike, presidenti pa nga afër shërbimet dhe kapacitet e saj.