Mandati i Dvoranit mban “peng” zgjedhjen e 3 anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese

342
Sigal

Mandati i Ardian Dvoranit, anëtar i Gjykatës së Lartë dhe njëkohësisht kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), po mban të bllokuar prej 5 muajsh shqyrtimin dhe kualifikimin e kandidaturave për 3 vende vakante në Gjykatën Kushtetuese.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, institucioni përgjegjës për shqyrtimin e kandidaturave për në Kushtetuese, pezulloi aktivitetin e tij në Mars 2020, në vijim të masave për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.

Por, ndërkohë që thuajse të gjithë institucionet kolegjiale i janë rikthyer aktivitetit, një pjesë prej të cilave nëpërmjet platformave on-line, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë për nisjen e mbledhjeve plenare.

Disa anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, deklaruan se nuk kanë një njoftim se përse nuk është thirrur mbledhja e KED-it prej disa muajsh.

Po ashtu, të njëjtët deklaruan se nuk e dinë se kur do të jetë mbledhja e radhës, pasi ligji ka parashikuar që thirrja e seancës plenare bëhet nga kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Megjithatë, anëtarët kanë një bindje të përbashkët; vonesa në rikthimin e mbledhjeve nuk lidhet aq shumë me virusin, se sa me faktin që është ende i paqartë mandati i kryetarit Ardian Dvorani.

Bllokimi i shqyrtimit të kandidaturave
Në fillim të vitit 2020, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i dalë nga shorti i zhvilluar në Dhjetor të vitit të kaluar, nisi shqyrtimin e kritereve ligjore për kandidatët që konkurojnë për tre vende vakante në Gjykatën Kushtetuese.

Në mbledhjen e 15 Janarit 2020, KED-i caktoi anëtarët relatorë për aplikantët, të cilët synojnë dy poste që emërohen nga Presidenti i Republikës dhe një post që caktohet nga Kuvendi i Shqipërisë.

Ajo mbledhje ishte e para dhe e vetmja, deri më tani, për vitin 2020.

Ndërkohë që mësohet se anëtarët relatorë po përgatisin raportet përfundimtare për aplikantët, është e paqartë se kur do të zhvillohet mbledhja plenare për shqyrtimin e gjetjeve dhe vendimin final për aplikantët që do të lejohen për të vijuar garën dhe ata që mund të përjashtohen.

Duke filluar nga Shkurti 2020, Presidenti i Republikës Ilir Meta, i cili më herët kishte dorëzuar një kallëzim penal ndaj Ardian Dvoranit, intensifikoi lëvizjet e tij për largimin nga detyra të anëtarit të Gjykatës së Lartë, të cilit i ka përfunduar mandat 9-vjeçar që në vitin 2014.

Presidenti Meta kërkoi nga Këshilli i Lartë Gjyqësor që të merrte në shqyrtim rastin “Dvorani” dhe të konstatonte përfundimin e mandatit të tij si anëtar i Gjykatës së Lartë. Në rast largimi nga gjykata supreme, Dvorani humbet të drejtën për të drejtuar edhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas dy mbledhjesh, nuk arriti të dilte në një konkluzion për mandatin e Dvoranit. KLGJ, struktura përgjegjëse për karrierën e gjyqtarëve, u detyrua t’i kërkonte një opinion ligjor misioneve ndërkombëtare të asistencës ligjore në Shqipëri, OPDAT dhe Euralius.

Në pritje të përgjigjeve të tyre, KLGJ ka pezulluar shqyrtimin e rastit të Ardian Dvoranit.

Nën këtë situatë, duket se Dvorani, nga ana e tij, ka pezulluar përkohësisht aktivitetin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në pritje të vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Të gjitha këto përplasje institucionale dhe zgjatje procedurash kanë ndikuar drejtëpërdrejtë në bllokimin e funksionit të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo gjykatë, aktualisht ka 4 anëtarë në zyrë, prej të cilëve, kryetarja e përkohshme, Vitore Tusha, është me mandat të përfunduar që në vitin 2017 dhe pret të zëvendësohet nga një prej 3 gjyqtarëve të rinj që pritet të përzgjidhen nga KED.