Majlinda Keta:“Politika e polarizuar, për pushtetin jashtë moralit të votës, prodhon 21 janar”

465
Sigal

INTERVISTA/ Majlinda Keta, Pedagoge e Filozofisë së Integrimit Europian,
FSHS, në UT: “Dështimi i integrimit,
pasojë e   pozitës anemike dhe opozitës anarkiste”

Zonja Majlinda Keta, pedagoge e Filozofisë së Integrimit Europian FSHS, në UT-në, në intervistën për “Telegraf”, duke mbajtur si pikë referimi 23 Qershorin ndalon tek 21 janari i 2011-s. Ndërsa shpreh shqetësimin se politika jonë ende nga ky 21 janar nuk ka bërë autorefleksionin për të nxjerrë mësime demokracie funksionale, KETA thekson se “… përkundrazi, rreziku i demokracisë sonë së brishtë, vjen ende nga politika e polarizuar për pushtetin jashtë moralit të votës. Kjo lloj politike mund të prodhojë 21 janarë të tjerë ”.

– Zonja Keta, A duhet të jemi optimist se 2013-ta do të jetë një vit i mbarë për Shqipërinë dhe shqiptarët?

– Prognoza për shqiptarët nuk mund të jetë jashtë kontureve botërore, rrisqe e sfida të një bote në krizë dhe si e tillë do të vazhdojë të jetë vit me pasojat e saj,  ku niveli i papunësisë do të vazhdojë të thellohet, pasi ekonomia shqiptare është në fije të perit, për shkak të borxhit, pasi politika e egër shqiptare nuk kombinon në një Platformë Kombëtare Antikrizë (pavarësisht maxhorancës fituese politike për qeverisje), se shqiptarët e punësuar jashtë kufijve do vazhdojnë të afektohen nga kriza në vendet, ku kanë emigruar kryesisht, por edhe pse një pjesë jo të vogël të buxhetit do “ta gëlltisin në anarki”  paraelektoralja dhe elektoralet 2013-të.

Kemi arsye të besojmë, se politikbërja do të ndryshojë, në ta mirë pas zgjedhjeve?

Politika e polarizuar, me qëllim në vetvete pushtetin jashtë moralit të votës, prodhoi 21 janarin. E kjo më shumë se sot flet ende pas 2 vjetësh, pasi ka penguar zbardhjen e protagonistëve të saj pa moral. E parë dhe në këtë fillimfushate vazhdon të thellohet në polariz, pasi 2 polet janë dhe do të luftojnë si dragonj për pushtetin, pa pyetur për moral bilanci apo cilësi stafesh qeverisëse, që ofrojnë për 2013-tën. Jam skeptike deri më sot që shkruaj në fuqinë që LSI, AK, FRPD dhe PDIU do të mund të injektojnë në amortizimin e këtij polarizimi, kjo edhe për notat e larta, vulgare dhe jashtë konkurrimit me platforma të fushatës të sapohapur mes 2 forcave të mëdha politike. Uroj që këto forca, relativisht të reja në raport me 2 të parat, të mund të japin një fuqi politike me dimension alternativ për votuesin shqiptar. E si shihet dhe për sa më sipër, në këto kushte do kemi një votues nën trysni krize ekonomike dhe besimi, të paqartë në orientim veçpolarizues, gjendje, e cila zor se do japë vendimzgjidhjeje të suksesshme për progres larg politikës qeverisëse së bllokimit dhe luftës pa princip për pushtet e procese korruptive elektorale. Po pres dhe uroj të ndjek zhvillimet e një poli të mundshëm të tretë me alternativë politike një Program Konsensual Angazhimi për Zbatimi të detyrave ndaj procesit të anëtarësimit europian të vendit. 2 forcat e mëdha historike politike, me ngjarjet në 2012-n, konsumuan veten, por dhe “vranë” identitetin dhe demokracinë e sjelljes që një komb, një shtet duhet të ketë ndaj një objektivi madhor shumëplanësh të europianizmit të Shqipërisë dhe e trajtimit të saj si e barabartë mes të barabartëve në familjen europiane.

Për cilin rotacion politik kanë nevojë shqiptarët e Shqipëria?

– Jo, pasi në një angazhim strategjik si anëtarësimi i vendit në BE, arritja dhe mosarritja ndahet mes pozitës anemike dhe opozitës anarkiste. Për mua, përtej PD-së dhe PS-së duhet të ketë një aleancë politike (pol të tretë po e quaj) që qysh përpara zgjedhjeve do të deklaronte politikën për qeverisjen dhe integrimin  europian të vendit.

– Mendoni se aleancat partiake do të përcaktojnë shumatoren qeverisëse?

– Për t’ju shmangur aleancave fluide, pa princip e koncept bashkëqeverisës përtej numrave, në mbështetje të idesë së propozuar më sipër, mund të meritonte të quhej Aleanca me Qytetarët. Por, në proces pragnisën tubimet e 2 forcave të mëdha, megjithë informatizimet në komunikim, janë mbyllur tek rrethet nepotike, militanteske dhe  jokundërshtuese të kryetarëve fuqiplotë të partive, se sa tek rrethet e teknicienëve brenda partive, apo mbështetësve teknicienë jopolitikë, përtej jetës së brendshme të tyre. Ndërkohë, më terrorizon fakti i humbjes së të ndjerit të demokracisë së brendshme në 2 partitë e mëdha, ndërsa ndjej se po shtohen dozat e fanatizmit politik, jo ndaj programit, por ndaj kryetarëve. Ky për mua është një alarm për demokracinë politike, në raport me atë që pritet të ofrohet për demokracinë e qytetarëve në 2013-n.

Mendoni se temat e debati politikjanë ato që janë shqetësuese të realitetit?

– Objekti, cilësia e debatit politik të këtij fillimviti dhe fillimfushate nga 2 forcat e mëdha, me fokus familjarët e kryetarëve fuqiplotë është fyerja më e madhe që po na ndodh ne si shtetas dhe si votues, pasi pas shifrave marramendëse të korrupsionit virtual mes palëve, pas fyerjeve jashtë çdo etike, po na bindin se ato nuk na konsiderojnë fare, fare ne si shtetas, apo si votues, ndërkohë që korrupsioni denoncohet dhe dënohet në institucionet e shtetit. Më e kobshme se kjo situatë është përfshirja dhe pjesëmarrja aktive e medias fanatike e kryetarëve të 2 partive të mëdha, e cila të injekton një lajm që të drogon në luftë për “Mbretin” e politikës, jo për të të informuar mbi alternativë qeverisëse në ekip dhe me siguri suksesi për sfidat e vendit. Lufta mes 2 mbretërve sigurisht do vinte pas turpit kushtetues të 2008-s, por që Shqipëria dhe shqiptarët të mos konsideroheshin në këtë nivel, nuk ma kishte kapur lapsi i shkrimeve të mia të asaj kohe, kur jam shprehur kundër prekjes brenda 3 orëve të Kushtetutës, nga 2 të mëdhenjtë. Shqiptarët po vlojnë nga hallet, ndërsa mbretërit e politikës dhe fanatikët e tyre vetëdemaskojnë cilësinë e politikëbërjes. Turp për cilësinë e të bërit politikë, pas 20 viteve demokraci. Një pjesë e madhe e protagonistëve nuk janë politikanë. Janë Grupim Politik i Gërdecpolitikës, me veprimin dhe mosveprimin e tyre. Këto hodhën në erë dhe statusin e radhës drejt BE-së. Nuk janë të një ngjyre dhe janë sinkron me antieuropianizimin, si frymë qeverisëse.

– Programet elektorale, të PD-së dhe PS-së, të paktën sa janë ravijëzuar deri tani, kanë synimin kryesor përmirësimin e realitetit politik?

– Programet po shuhen mbas akuzave reciproke me bazë familjet dhe me fokus femrat. Turp që duhet të marrë fund, pasi ka cenuar gjithë moralin, që politika duhet të mbartë.  Kjo situatë duhet të mbyllet duke ju drejtuar gjykatave dhe prokurorisë shqiptare, aty ku gjithë shqiptarët duhet të edukohen, që të denoncohet dhe dënohet korrupsioni. Uroj me shpirt, që të zbardhet dhe procesi i 21 janarit, me qëllim që votuesi të lexojë mbi moralin e kësaj politike dhe të largojë me votë politikanët pa moral, ato që politikën dhe partitë i përdorin në favor të pushtetit të tyre personal dhe aspak për mirëqenien dhe progresimin shpirtëror të shtetasve të tyre, apo çështjes shqiptare në përgjithësi.

– Besoni se zgjedhjet e 2013-s, do të sjellin ndryshime të tilla, që mund të kemi një skemë shumëpartiak?

Besoj se “PO”, ndërsa uroj që aleancat duhet të jenë të shprehura si aleanca parazgjedhore, jo paszgjedhore. Këto të dytat na janë bërë, dhe i kemi perceptuar deri më tash  si merkato politike ku kuotat ne marrje votash, kompozimet e tyre shëndrohen në % pushtetesh pa kurrfarë bashkëmbështetjes në cilësitë e kapitaleve njerëzorë, që zotërojnë më shumë se ndarje e % për nepotizma, militantë e fanatikë kryetarësh, paçka se mund të jenë larg, fare larg me moralin mbështetës të votuesve të tyre. Edhe politika, në emër të partive dhe votuesve të tyre, do burrërinë e saj në konsiderim morali dhe marrje në konsideratë të rriskut. Politika jonë vuan për këtë lloj burrërie, sidomos nga partitë përtej 2 të mëdhave. Ato kanë rastin të tregojnë me fakte aftësitë e tyre për të harmonizuar koalicione me bosht integrimin e vendit në BE dhe me objektiva maksimizimin e protagonizmit qeverisës, me figura me moral dhe teknicitet. Ato duhet të tejkalojnë logo – sëmundjen më antidemokratike, më vetëvrasëse të partive të mëdha, atë të vënies së tyre nën mision elektoral “Për Kryetarin e Partisë Kryeministër”. Kjo aleancë (pol i tretë) le t’i tregojë shqiptarëve se ato konkurrojnë nën një platformë qeverisjeje për integrimin  europian të vendit dhe këtij programi i bashkëmbështesin kapitalet njerëzore më të suksesshëm për shpejtësinë me të cilën duhet konceptuar tash e mbrapa integrimi.

– Faleminderit!