Arjan Starova:“Klima e dyshimit të procesit zgjedhor, nga opozita, është tregues i mungesës së alternativave”

513
Sigal

INTERVISTA/Arjan Starova, Kryetari i BLD-së: “LSI-ja  duhet të jenë pjesë e koalicionit të së djathtës, sepse kanë qenë pjesë e bashkëqeverisjes”

Kryetari i Bashkimit të Liberalëve Demokratë, zoti Arjan Starova, njëkohësisht edhe zv/ministër i Mbrojtjes, në intervistën për “Telegraf”, pohon se kultivimi i klimës së dyshimit për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, nga opozita, duke patur parasysh ngërçin politik në KQZ, është tregues i një kërkimi të alibisë të humbjes në 23 Qershor, për shkak të mungesës së ideve për të fituar votëbesimin e elektoratit. Si anëtari i qeverisë, zoti Starova, kritikat e deputetit të PD-së, Mark Marku, se kjo maxhorancë nuk ka bërë sa duhet në luftën kundër korrupsionit, gjithsesi nuk mund ta pranojë. Ndërsa, për LSI-në, zoti Starova, i kujton se bashkëqeverisja e deritanishme i kushtëzon sërish që të jetë pjesë e aleancës së qendrës së djathtë edhe në 23 Qershor, ndryshe, sipas zotit Starova, “Nëse do të dalin më vete, kjo do t’i shërbente si argument vetëm propagandës zgjedhore opozitare”. 

Zoti Starova, çfarë garancie jep aleanca e djathtë, për një qeverisje më të mirë në zgjedhjet e 23 Qershorit?

–  Hidhni një vështrim të shpejtë se për të vënë në dukje se çfarë është bërë në tetë vjet qeverisje krahasuar me tetë vjetët e shkuar të qeverisje socialiste dhe gjërat janë shumë të qarta. Anëtarësimi në NATO, heqja e vizave me Bashkimin Europian, përmirësimi i jashtëzakonshëm i rrjetit rrugor të Shqipërisë, rritja e jashtëzakonshme e investimeve të huaja në vend, zhvillimi i madh i biznesit vendas, zhvillimi me ritme shumë të shpejtë i infrastrukturës elektronike të vendit, rritja e pagave të sistemit të administratës shtetërore në përgjithësi, etj., etj., a nuk janë të gjitha këto e shumë arritje të tjera garanci për qeverisje po aq të suksesshme?! Dhe, a nuk është në logjikën e këtyre arritjeve që qeverisja e djathtë të përpiqet të përsosë qeverisjen e vet?!

– Cilat janë vlerat e moralit politik, mbi të cilat është bazuar kjo aleancë?

– Aleanca e djathtë nuk erdhi në qeverisje për të premtuar ndonjë parajsë qiellore, por me program të qartë e konkret ndryshimesh të cilin e ka bërë realitet prej një viti në tjetrin. As nuk mund të thuhet se kjo aleance e jona ka qenë e përsosur dhe nuk ka pasur të meta dhe mosarritje. Më e rëndësishmja që ka karakterizuar moralin e së djathtës ka qenë dhe është vendosmëria për të luftuar me të metat dhe gabimet kudo që ato janë shfaqur shfaqen. Çfarëdo që të përpiqet që të përdorë si baltë, e majta, për gjoja korrupsionin qeveritar, lufta kundër tij mbetet një prej arritjeve më të rëndësishme të aleancës së djathtë në qeverisje.

–  Sa i bazuar në realizëm është opinioni që palët politike më shumë mendojnë sesi të qëndrojnë/marrin pushtetin, sesa të kenë parësor integrimin e Shqipërisë në BE?

 Hamendësimi që bëni në lidhje me statusin e vendit kandidat të Shqipërisë në BE, për mua, nuk ka aspak vend. Qeverisja tetëvjeçare e koalicionit të qendrës së djathtë ka shënuar arritje shumë të mëdha në përpjekjet për t’i dhënë vendit statusin e vendit kandidat të BE-së. Siç e dini, ka mbetur vetëm një kusht fare i vogël, miratimi nga Kuvendi, i tre ligjeve, të cilët kërkojnë domosdoshmërisht edhe vota nga opozita. Pra, këtu pyetja shtrohet ndryshe: përse opozita nuk voton për këto ligje?! Sipas opozitës, edhe sikur të kalonin këta tre ligje, statusi për në BE nuk do t’i jepej Shqipërisë. Atëherë, përse nuk i votoi këta ligje opozita, me qëllim që të vërtetonte tezën e saj, se fajin e paska qeveria, nëse Shqipëria nuk pranohej si vend kandidat i BE-së? Na mbetet të pranojmë se opozita ka vetëm synim marrjen e pushtetit me çdo kusht e çdo çmim, duke u përpjekur më kot të krijojë alibi të dështimit të qeverisjes.

– Deputeti i PD-së, Mark Marku, duke mbajtur një qëndrim kritik për qeverisjen e kësaj maxhorance, tha se, PD-ja nuk i përmbushi zotimet e saj në luftën kundër korrupsionit dhe në punën në administratën publike. Ju, si anëtari i kësaj qeverie, çfarë përgjigje mund të jepni për këto kritika?

– Unë vetë nuk mendoj se fakti kryesor i qeverisjes sonë ka qenë dështimi në luftën kundër korrupsionit. Të thuash këtë, do të thotë t’i bashkohesh pa u menduar shumë grupimit opozitar, që mendon se me luftën e pandershme kundër të ashtuquajturit korrupsioni qeveritar do të mund të përmbysë qeverisjen e tanishme. E vërteta është se ne nuk kemi qenë të përsosur në luftën kundër korrupsionit, të paktën në artikulimet tona mediatike, sepse në të vërtetë korrupsioni luftohet nga sistemi i drejtësisë. Pavarësisht prej kësaj, qeverisja jonë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të luftuar me të gjithë mjetet veprimtaritë korruptuese, kudo që janë shfaqur. Statistikat tregojnë se janë bërë shkarkime dhe denoncime, të pakrahasueshme me të kaluarën, në lidhje me ata njerëz të administratës shtetërore, që janë përfshirë në veprimtari korruptuese. Fakti që qeverisja e tanishme nuk mund të çrrënjosë një veprimtari si korrupsioni, që është edhe problem botëror, nuk do të thotë se ajo është palë me të dhe nuk e ka luftuar.

– Sa të drejtë ka ambasadori i SHBA-ve, zoti Arvizu, në kritikën se vendimet e KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor janë të politizuara dhe kjo përbën një ogur jo të mirë për procesin zgjedhor?

– Nuk gjykoj dot për vendime të tillë, sepse janë jashtë njohurive të mia. Në fund të fundit, fitorja në zgjedhje varet nga mendimi i qytetarëve i shprehur nëpërmjet votës, çka nuk mund ta zhbëjë as Kolegji Zgjedhor ,as ndonjë vendim i caktuar i KQZ-së.

– Kjo klimë dyshimi në KQZ, që në fillim, kujt i shërben?

– Përhapja e një ideje për një klimë të tillë dyshimi mbi zgjedhjet e ardhshme bëhet natyrisht nga opozita, së pari dhe si praktikë e përditshme. Për mua është thjesht një trysni i psikologjike, që bëhet për tri arsye. E para, për të krijuar një alibi për humbjen e mundshme të opozitës në qershor 2013, duke u mbështetur në politikën e tejzgjatur opozitare, të simbolizuar me grevën e urisë për vjedhjen e zgjedhjeve të mëparshme, e dyta, për të mbuluar faktin e mungesës së ideve për qeverisjen e ardhshme të vendit në zgjedhjet e ardhshme dhe e treta, për të tërhequr vëmendje ndërkombëtare. Qeverisja e tanishme ka interes të jashtëzakonshëm për të mbajtur zgjedhja sa më të rregullta e të ndershme, sepse ajo është përgjegjësja kryesore e organizimit të tyre.

– Aktualisht PD-ja dhe PS-ja janë kthyer në parti-lider, ku Kryetari, Berisha dhe Rama, janë fillimi dhe fundi i partisë. A duhet të na trembë ky realitet?

– Përpara se të trembem nga ky realitet i juaj, më duhet ta provoj se ai nuk ekziston edhe për mua. Deri tani, nuk kam parë prova të mjaftueshme që të tregojnë se PD-ja e koalicioni ku bën pjesë edhe partia ime, Bashkimi Liberal Demokrat, është e tillë. Kam përshtypjen se shpeshherë ngatërrohet autoriteti vetjak i liderit të partisë me jetën dhe veprimtarinë e të gjithë partisë. Fakti që Kryeministri Berisha ka një autoritet popullor gjithnjë në rritje, për shkak të një veprimtarie politike të gjatë, të dendur dhe të suksesshme në pozicione të ndryshëm në krye të institucioneve të rëndësishëm të vendit, nuk duhet ngatërruar me partinë dhe veprimtarinë e saj, në përputhje me rregullat statutore. Për partinë tjetër, atë socialiste, nuk mund të shprehem sepse nuk e njoh aq sa duhet.

 – Shumë fjalë bëhen për domosdoshmërinë e së djathtës shqiptare, duke filluar që nga FRD-ja, por edhe deputetë të vetë PD-së. Cili është mendimi juaj?

 Mirë është që e djathta të jetë e tëra e bashkuar, por kjo nuk varet vetëm nga koalicioni ynë i mirënjohur qeverisës. Mënyra sesi flasin disa parti të reja, që janë krijuar së fundi, duke theksuar më shumë ndjenjat e ndasisë dhe të mllefeve, sesa idetë dhe projektet për të ardhmen e vendit, e ngushton hapësirën për bashkëpunim. Dhe, natyrisht, kjo nuk është diçka për të cilën duhet të jemi të gëzuar, apo të pashqetësuar.

– Duke qenë se PD-ja ka 8 vjet që është qeverisja, çfarë kuptimi ka slogani “Ne jemi ndryshimi”? Kërkon ndryshimin e një realiteti politik nga ky i tanishmi, i cili është  produkti i vetvetes?

Ky slogan flet vetë. Ai nuk ka nevojë të shpjegohet. Pak a shumë ai thotë se kur të djathtët kanë qenë në qeverisje, Shqipëria ka ndryshuar gjithnjë për mirë, si këta tetë vjet. Ndryshimi nuk nënkupton gjithnjë përmbysjen e asaj që ekziston. Në rrethanat tona, ai nënkupton se votën duhet ta kenë ata që vazhdojnë ndryshimin për mirë të gjërave, pra, të djathtët.

Domosdoshmëria e aleancës PD-LSI

Sipas jush, LSI-ja, derisa do t’i qëndrojë marrëveshjes për bashkëqeverisje deri në fund, a mund të jetë pjesë e aleancës së djathtë, edhe në zgjedhjet e 23 Qershorit?

Logjikisht,LSI-ja duhet të jenë pjesë e koalicionit të qendrës së djathtë, sepse kanë qenë pjesë e bashkëqeverisjes dhe nuk mund të gjendet asnjë arsye që ata të dalin më vete. Deri tani, nuk është dëgjuar ndonjë qëndrim kritik iLSI-së në drejtim të qeverisjes së tanishme. Atëherë, me çfarë argumentesh do të dilet më vete?! Nëse do të dalin më vete, kjo do t’i shërbente si argument vetëm propagandës zgjedhore opozitare.

 – Faleminderit!