Majlinda Keta: “Rilindja” është katandisur në EGON politike të Edi Ramës

510
Majlinda Keta, një nga emrat e njohur në Partinë Socialiste për vite me radhë në intervistën për gazetën “Telegraf” komenton zhvillimet në partinë më të madhe qeverisëse në vend, qeverisjen e vendit, por jep edhe një këshillë për ambasadorët që kanë investuar shumë, për sa i takon reformës në drejtësi. “Është refleksion i metamorfozës që ka kryer vetë organizmi më i madh politik në vend që në listë të partive politike quhet Partia Socialiste dhe në fakt në çdo frazë të prodhuar në fushatën e 2013 apo më pas ajo deklarohet zyrtarisht “Rilindje”, duke atrofizuar kështu kapacitetet e ekspertizës socialiste në vite, por edhe duke mosçliruar sa duhet edhe kapacitetet humane të LSI, pasi maxhoranca vendimmarrëse është në dorë të Rilindasve. Nuk kemi “Rilindje Socialiste”, por kemi një grupim miks, qendër djathtas, në qeverisje dhe në lidership politik brenda partisë së “Rilindjes”, thekson Keta. E ndërsa e cilëson Kryeministrin Edi Rama si një triblues ekselent në lojën politike, për Kryetarin e Kuvendit, njëherësh edhe Kryetar të LSI-së, Majlinda Keta, ka një tjetër vlerësim. Sipas saj, Ilir Meta është një Kingmaker i suksesshëm politik. Për miratimin e reformës në drejtësi, Keta shprehet se ajo nuk mund të mbetet në dorën e Parlamentit, ndërsa shikon si zgjidhje realizimin e një referendumi. Por ka edhe një sugjerim për ambasadorët e angazhuar në miratimin e kësaj reforme “Unë i sugjeroj Ambasadorit Amerikan dhe të tjerëve ndërkombëtarë dashamirës të demokracisë shqiptare, një rrugë tjetër për përmbushjen e reformës në drejtësi, pasi gjykoj se qëndrimi dhe pritshmëritë e shqiptarëve ndaj kësaj reforme janë pothuaj të barazvlerëshme me atë që deklaruan në vitet 90-të për liri dhe demokraci”, shprehet Majlinda Keta. 
Zonja Keta, ju si do ta cilësonit qeverisjen e “Rilindjes të kryeministrit Edi Rama?

Qeverisja Rama pas 3 vitesh, pothuaj, mund të quhet qeverisje me mosqëndrueshmëri ndaj premtimeve elektorale pasi vërehet një shmangie të thellë nga program mbi të cilin fitoi zgjedhjet sikurse nga version i dytë që u votua në Parlament. Së dyti, kjo qeverisje si pasojë e sfidës për të tejkaluar nivelin e borxhit dhe të financave të dobëta të 2013-ës mbetet qeveri në rrisk të lartë për politika madhore, kombëtare, të diskutueshme edhe në formate të ekonomive të qëndrueshme siç është politika e konçensioneve apo të finalizimit të politikave që parashtrojnë reformat si ajo e drejtësisë. Së treti, por i pari për nga rëndësia, është mosakordimet në perceptim publik, të brendshëm dhe të jashtëm, se koalicioni i majtë qeverisës bazuar në të njëjtën ideologji, mbi një program të dakordësuar dhe me të njëjtën kërkesë për standarde humane si protagonizëm mirëqeverisës. Së katërti, ka një kuotim në rënie për shkak të skandaleve të denoncuara për mirëqeverisjen e majtë në fusha të tilla si të drejtat e fëmijëve, moralin e votës, moralin e pushtetit, nepotizmin dhe korrupsionin. 

Karakteristika kryesore e qeverisjes së “Rilindjes Socialiste” është se deri tani zbaton një program tjetër nga programi elektoral i 2013, madje edhe nga programi që paraqiti Kryeministri Rama në Parlament për votëbesim. Vallë, kjo shmangie erdhi e diktuar nga rrethanat ekonomike, apo ka tjetër shkak politik? 

Është refleksion i metamorfozës që ka kryer vetë organizmi më i madh politik në vend që në listë të partive politike quhet Partia Socialiste dhe në fakt në çdo frazë të prodhuar në fushatën e 2013 apo më pas ajo deklarohet zyrtarisht “Rilindje”, duke atrofizuar kështu kapacitetet e ekspertizës socialiste në vite, por edhe duke mosçliruar sa duhet edhe kapacitetet humane të LSI, pasi maxhoranca vendimmarrëse është në dorë të Rilindasve. Nuk kemi “Rilindje Socialiste”, por kemi një grupim miks, qendër djathtas, në qeverisje dhe në lidership politik brenda partisë së “Rilindjes”. Rama finalizoi projektin e tij të para 2005-ës fitoren në 2013 dhe vijimësinë deri më sot. Ky rrugëtim është vetja politike, Rama i realizuar, në mënyrën më transparente të mundshme, me çfarëdo lloj kostoje në instrumente politikë majtas të përdorur me një ideologji, program e politika qendër djathtas. Rebeli antikomunist i viteve 90-të sot ka realizuar refleksionin më të suksesshëm, nga ato që ai ideoi në “Refleksionet”, me mbështetjen nga brenda të renegatëve të PS, po aq sa dhe nga jashtë nga protagonist të filozofive të zhvillimit për vende si i yni, ku të qënit në tranzicion të pafundmë është mënyra më e mirë e të qeverisurit nga shtetas që nuk kanë përfunduar ciklin e formimit dhe veprimit qytetar. 

Sot, Rama mund të quhet i pari lider politik që ndërtoi një projekt politik që në finale ka edhe partinë e projektit dhe qeverisjen për projektin. Liderët e tjerë të partive faktor në jetën e vendit kanë patur një rrugëtim krejt tjetër. Z. Berisha, një ish komunist, ndërtoi dhe ende sfidon më projektin e tij për të djathtën politike në vend apo të pranuarit e PD, edhe me Bashën në krye, si parti e djathtë, në ideologji, program e politika. Mjafton çështja e pazgjidhur e pronave si lakmues politik për të pranuar mosfinalizimin e pretenduar nga Berisha apo të tentuar për ta vijuar nga Basha. Po kështu, Z. Nano, ish komunisti me frymë liberale, arriti të standardizonte e certifikonte mes simotrave europiane një parti të majtë si PS, ndonëse në masë të konsiderueshme në fillesa pati ish komunistë nga PPSH. Por, mjafton metamorfoza e kryer në ndërgjegjen politike të lidershipit të PS, pas dorëheqjes së tij në 2005, që të na bindë se është një projekt i papërfunduar nga vetë Nano sikurse në ndryshim nga Z. Berisha ai ka lënë “nanoizmin” si filozofi politike e së majtës. Z. Ilir Meta, me projektin e tij të reformimit të së majtës mund të quhet i suksesshëm si Kingmaker politik për qeverisjen në Shqipëri, por ende sfidon me identitetin e tij të majtë, kjo, edhe për rrethana mbi të cilat ka qenë i detyruar të sigurojë protagonizmin e tij me koalicione majtas dhe djathtas, qysh pas 2005. 

Ditët e fundit, Elisa Spiropali u shfaq në publik si zëdhënëse e kryesisë së re të PS, kur pak muaj më parë zonja Spiropali u shkarkua për paaftësi, si drejtoresha e Përgjithshme e Doganave. Sa besueshmëri rinovimi mund të ngjallë PS, pas Kongresit, derisa riciklon personazhe që dështuan? 

Kam bindjen se ju në cilësinë e pyetjes tuaj keni standarde të tjera mbi vlerësimin përmbajtësor gjuhësor të fjalës “shkarkim”, nga ai që maxhoranca qeverisëse ka në praktika të tilla. Zonja Spiropali tashmë është në një angazhim tjetër madhor në emër të “Rilindjes” dhe kjo nuk ka të bëjë me rinovimin e PS. Sa për riciklimin, zonja në fjalë është më e “moralshmja” për t’u ricikluar në një pozicion me rëndësi në raport me riciklime përtej moralit politik të majtë, moshës së pensionit apo kontributeve në ekspertizë në emër të së majtës në shumë fusha të qeverisjes qendrore dhe vendore. 

Çfarë ndryshoi në PS pas Kongresit dhe Referendumit? Sa socialiste është tashmë PS, pas Kongresit të partisë dhe sa e Majtë është qeveria e “Rilindjes Socialiste”?

Përsëri këmbëngul t’ju kujtoj që kongresi i PS apo referendum pas tij për Kryetarin me 1 konkurrues ishin instrumente politikë të finalizimit të liderit politik të Rilindjes, Z. Rama, finalizimi dhe deklarimi publikisht i suksesit të projektit për veten politike Rama. Kjo e fundit e ka tejkaluar shumë dhe nuk ngjan shumë edhe me veten e ekzekutivit të parë të Ramës që prodhoi risi në administratën dhe qeverisjen bashkiake në Tiranë. Ky pohim i fundit tregon qartazi kush është aftësia dhe fuqia e Z. Rama me mbështetjen e socialistëve dhe cila është ajo brenda projektit të vet. Keq për ato “socialistë” që u zhgënjyen nga Rama politikisht, por që duhet ta pohojnë se Rama është një lojtar inteligjent nga “Mjaft”, tek “G 99”, në “PS” për Rilindjen. Ai tribloi mrekullisht me topin “PS” nën pëllëmbë të tij për të arritur sot tek ky që është, aktor dhe faktor politik. Këtë meritë duhet t’ia njohim publikisht, triblues ekselent në lojë politike. 

Në publik janë denoncuar shumë raste abuzimesh, korrupsioni të ministrave të qeverisë socialiste, madje sa edhe zoti Donald Lu u shpreh publikisht në nëntor 2015, se ministrat e korruptuar pengojnë reformën në drejtësi. Mirëpo Kryeministri Rama nuk ka reaguar. Pyetja është: A mund të zbatojë reformë në drejtësi kryeministri (a ka vullnet politik), derisa nuk lufton korrupsionin? 

Z. Ambasador ka folur dhe flet me gjuhën e Sekretarëve të Shtetit Amerikan ndërsa janë shprehur në vizitat e tyre në Shqipëri apo Ballkan. Kjo gjuhë në terma politikë është një vlerësim nga jashtë i cilësisë qeverisëse nën drejtimin e Ramës. Reforma në drejtësi është përtej cilësisë kritike qeverisëse, përtej vlerësimit nga jashtë të cilësisë së munguar për të mirëqeverisur këtë vend. Ajo mbi të gjitha është reformë e shqiptarëve të shekullit 21 për shtetbërjen dhe për shqiptarët në demokraci e liri të individit. Si e tillë ajo nuk mund të mbahet peng as nga një parlament që në pjesë kritike i akuzohen anëtarët për krim e korrupsion, as nga tryeza politikanësh pa moral, as nga kakofoni draftesh ndërkombëtarësh e vendasish që hedhin vallen e ekspertizës nën figuracione të sasisë së dollarit dhe eurove që fusin në xhepat e tyre. Unë i sugjeroj Ambasadorit amerikan dhe të tjerëve ndërkombëtarë dashamirës të demokracisë shqiptare, një rrugë tjetër për përmbushjen e reformës në drejtësi pasi gjykoj se qëndrimi dhe pritshmëritë e shqiptarëve ndaj kësaj reforme janë pothuaj të barazvlerëshme me atë që deklaruan në vitet 90-të për liri dhe demokraci. E pranuar si e tillë për nga rëndësia nga shqiptarët, ajo duhet të instrumentalizohet dhe të shkohet drejt finalizimit nën mekanizëm informues, debatues me grupe interesi, ndërgjegjëzues dhe votues përmes një REFERENDUMI. Nuk meriton të jetë as në moral e as në profesionalizëm të këtij parlamenti dhe të kësaj klase politike gjykimi, konsensusi dhe votimi për këtë reformë. Presidenti i Republikës duhet të shpërndajë këtë parlament për 1001 arsye, të kalojmë në qeveri teknike e cila të marrë 3 misione madhore, 1. Kodin e Ri Elektoral dhe 2. të marrë përgjegjësitë e mësipërme (informues, debatues me grupe interesi, ndërgjegjëzues dhe votues përmes një referendum) për reformën në drejtësi, 3. Zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes filtrave të dekriminalizimit të politikës. 

Kritika kryesore e Ben Blushit është se kjo PS e kryetarit Edi Rama nuk përfaqëson më socialistët, gjë që edhe ju e keni shprehur këtë mendim. Atëherë, sipas jush, përse Ben Blushi, si kriticieni kryesor i Edi Ramës nuk krijon një lëvizje politike të re për socialistët? 

Blushi mbetet kritiku kryesor nga foltorja e parlamentit dhe në mbledhje të grupit parlamentar rilindas. Për mua, kjo është mbase pengesa kryesore që nuk e finalizon atë në një lëvizje të drejtuar nga ai. Lëvizjet me karakter identitar politik si ky që i duhet ish PS do të bëhen dhe arrihen nga ato që pushtetin publik të fjalës dhe veprës politike e kanë pa karrige pushteti nga politika rilindase. Mund të mbështeten nga socialistët e pafaktorizuar qysh prej 2005, ato të penduar nga 2005-2016, mund të fuqizohen nga “viktimat” e Rilindjes, mund të qartësohen dhe bëhen ndikues nga të majtë publikë dhe ekspertë por kurrë nuk do realizohen nën të njëjtën çati politike me Rilindjen. Vetë këto të fundit që të nisin lëvizjen duhet të pranojnë Rilindjen si realitet politik qeverisës. Më pas, sipas tenderimit politik i takon atyre nëse do kenë aleancë apo jo me ta. Historia e politikës 25 vjeçare të pos 90-ës na ka ofruar modele të ndryshme, nga më të paimagjinueshmet në bashkëjetesë e divorce politike. Kjo nuk do të thotë që mes rilindasve të mos ketë shqiptarodashës, ekspertë fushash apo dinjitozë institucionalë. 

Zonja Keta, cili është pazari politik që bëjnë palët politike (mazhoranca dhe opozita) për reformën në drejtësi? 

E shpjegova më lart, kjo reformë DUHET ta tejkalojë kompromisin apo pazarin maxhorancë-opozitë. Mjafton të vëreni se si populli e gjykon klasën e sotme politike, sa për qind e popullit merr pjesë në votime, apo sa kënaqësi apo pakënaqësi shprehin publikisht shqiptarët për mirëqeverisjen apo të bërit opozitë etj. , etj që të kuptoni se sa rezultativë janë kjo lloj qeverisje apo opozite. Ky varianti i fundit, ai i takimit mes 2 liderëve politikë, Basha – Rama, është thjeshtë jo përfaqësues për një reformë të dimensioneve të tilla. Për mua, thjesht, ai është një gjuhë politike që i ka tejkaluar koha pas 25 vitesh, është injorues për pranimin e shkallës së kuptueshmërisë së shqiptarëve për demokracinë funksionale, ofrohet si fyes për gjithë spektrin aktiv politik shqiptar sikurse edhe i papranueshëm për ndërkombëtarët që kanë investuar fonde dhe ekspertizë për largimin e Shqipërisë nga mendësia, sjellja dhe veprimi komunist bazuar tek 1-shi politik, të Shqipërisë, anëtare e NATO dhe kandidate për anëtarësim në BE. 
Sigal