Lubonja: Ja ku bëhet pastrimi i parave. OFL s’ka ndryshim nga ligji antimafia

567
Sigal

Analisti Fatos Lubonja mendon se ajo që po ndodh me OFL është një padrejtësie  e hipokrizi e madhe.

I ftuar mbrëmjen e sotme në “Real Story” në News24, Lubonja kujtoi thënien e filozofit grek Platoni, ndërsa tha se pastrimi i parave bëhet në sektorin e ndërtimit.

Sipas tij, kjo është një qeveri që bën pastrimin e parasë bashkë me krimin dhe bashkëpunon me krimin.

“Secili ka dhe një përjetim të vetin si e pret pavarësisht nga maxhoranca e cila njëherë ka të drejtë e njëherë s’ka. Mua më kujtohet një thënie e Platonit. Padrejtësia më e madhe, thotë Platoni është kur ai që e bën pretendon se po bën drejtësi. Unë e përjetoj si kulmin e një padrejtësie, hipokrizie që më revolton dhe më shumë.

Ja po kapim ca kriminelë. Në qoftë se unë dua të shikoj krimin… boll të shikosh ato makinat Range Rover dhe e regjistron, pastaj bën një hetim. Por më shumë se Range Rover-at këtu janë grataçelat dhe pallatet që po na ngre kryebashkiaku dhe kryeministri. Nuk ka bir nëne që të më bindë mua që këto gratacela dhe pallate po i ngre ekonomia shqiptare në lulëzim, njerëzit që kanë nevojë për strehim, për të hapur supermarkete.

Nuk ka bir nëne që të më bindë mua që këto nuk janë pastrim parash. Për pastrim parash të krimit të organizuar. Ka një lidhje shumë të thjeshtë, ky që jep lejen e drejtimit nuk e dika fare kujt ia ka dhënë lejen, pse po ndërtohet kjo? Ja ku u bë lidhja. Merr sa leje ka dhënë Veliaj këto 3-4 vitet e fundit, me qindra, që nuk kanë lënë qoshe në Tiranë pa ngritur, s’ke nevojë shumë për të kuptuar që kjo është një qeveri që bën pastrimin e parasë bashkë me krimin dhe bashkëpunon me krimin.

Lidhjet i kemi dhënë. Policinë që bashkëpunon me Vangjush Dakon e kriminelët për votat. Tani na del një operacion që do luftoka krimin. Meqë kemi prokurorin këtu që i njeh ligjet, unë tani pashë një aksion 600 makina brenda një dite, të sekuestruara, të blinduara… Si u zhvilluan këto njerëz kështu me 600 makina të blinduara si erdhi kjo punë. Me një ditë 600? Pyet çik këto pallatet sa i shesin, 7 mijë euro metri katror, 2 mijë euro. Kush janë këta që i ndërtojnë dhe që i blejnë? Kemi ndonjë ekonomi tjetër që po zhvillohet gjithë kjo”, theksoi Lubonja.

Ai deklaroi më tej se OFL nuk ka ndryshim nga ligji anti mafia i miratuar në kohën e Berishës që u kundërshtua atë kohë nga Vasilika Hysi, sot deputete e PS, atëherë kryetare e Komitetit të Helsinkit.

“Ore di të më thotë prokurori, çfarë ndryshimi ka ky ligj OFL-ja, KÇK më duket tmerr të thuash, nga ligji antimafia, të cilin më duket se e ka bërë Berisha por s’ka rëndësi dhe Vasilika Hysi e ka sulmuar si ligj që prek të drejtat e njeriut…çfarë ndryshimi ka nga ky? S’ka asnjë ndryshim më rezulton mua por do të bësh një show”, tha Lubonja.