Në vijim të intervistës televizive, kandidati i LSI, në Vlorë, Luan Rama u shpreh se socialistët në zyrat e pushtetit kanë futur trafikantë.
Vijimi i intervistës :
Por mund të ketë dhe një mundësi të tretë që PD dhe aleatët e saj brenda listës të marrin mandatet e nevojshme dhe të mos kenë nevojë për LSI…
LSI ka një synim dhje një mision që lidhet me 25 prillin, largimin e asaj pamjeje të atij modeli dhe të asaj gjuhe nga pushteti pikë së pari dhe jam i sigurt pas kësaj dhe nga arena politke. Ajo nuk është gjuha e socialistëve. Unë jam socialist dhe nuk e fsheh identitetin tim por nuk e kam menduar kurrë që PS e lindur mes një luftë të pamëshirshme, të dhunës, të represionit dhe të krimit shtetëror në 91,92,93 e me radhë, PS që çeli rrugën e integrimit europian, PS aleate e NATOS në liftin për çlirimin e Kosovës. PS që nisi e para procesin e marrëveshjeve të asociim stabilizimi me BE etj të mund të mbërrinte që të degradohej në një klikë siç është kjo e Rilindjes e cila ka në gjithë sjelljen e vetë hakmarrjen përçarjen urrejtjen. Unë ndihem i lënduar dhe më vjen keq sepse takoj me dhjetëra socialistë në Vlorë, Sarandë e Delvinë dhe në gjithë bregun e në Çamëri ku po punoj për zgjedhjet. Socialistë që vijnë dhe më takojnë, që ndihen të turpëruar, që në zyrat e pushtetit nuk janë më socialistët por janë trafikantët e pushtetit, që në zyrat e pushtetit nuk përfaqësohet vullneti i qytetarëve socialistë të Shqipërisë, por vullneti i një klani kriminal, të lidhur me aferat korruptive. Dhe është kjo arsyeja që ai ndihet i trembur dhe ndihet i frikësuar nga LSI sepse ai e di shumë mirë. Ai e di shumë mirë sepse ai njeh shumë mirë socialistë që kanë ikur nga PS por ne nuk e keqpërdorim vullnetin dhe zgjedhjen e tyre për të ikur nga klani pseudorilindje i krimit dhe i korrupsionit dhe për të bërë një zgjedhje tjetër. Po të filloj unë me emra socialistësh me të cilët unë po punoj në Vlorë, ju do të çuditeni sesa shumë janë. Por nuk është ky thelbi.
Me kë do dalë LSI në 25 prill?
LSI nuk është thjesht dhe vetëm poli i tretë. Por LSI është zemra e gjithë vullkanit, e energjisë opozitare dhe qytetare për t’ju kundërvënë pushtetit.
Që të paktën dy herë ka shkuar me pushtetin dhe ka garantuar qeverisjen….
Ka garantuar stabilitetin e qeverisjes në vend, ka garantuar stabilitetin e institucioneve kushtetuese në vend. Ka përshpejtuar procesin e integrimit europian dhe të mos numërojmë një mori hapash që nisim që me liberalizmin e vizave dhe shumë e shumë të tjera por sot jemi në faktin apo detyrimin historik, për të bërë të mundur që kjo juntë e pushtetit, ky klan, të mos orgazmojë me pushtetin në kurriz të qytetarëve shqiptarë, në kurriz të interesave të vendit, në kurriz të interesave europiane të vendit. Ju e patë çfarë ndodh, ai thotë që unë nuk pres leksione nga ambasadorët. Janë të lidhura me të njëjtin arketip.
Me kë do dilni më 25 prill?
Do ta mësoni këtë gjë në afatin kohor dhe kushtetues kur do të shpallen listat dhe i gjithë organizimi i koalicioneve opozitare për të fituar zgjedhjet e 25 prillit. Jemi në proces bashkëpunimi për të gjetur jo numra aritmetikë që bashkojnë parti por për të gjetur qytetarë influentë dhe përfaqësues që krijojnë besimin dhe ringjallin shpresën te qytetarët që ky vend do të bëhet menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Vlora është zona ose qarku i Luan Ramës, është më e vështira, është vetë Rama atje në krye të PS nga ana tjetër, Vlora është qarku që ka marrë më shumë investime të paktën sikurse pretendon qeveria që do të thotë vlonjatët në një masë të madhe të tyre mund të jenë dhe të kënaqur, si i shihni mundësitë e një rezultati pozitiv për LSI në Vlorë?
Vlora nuk është qarku i eksperimenteve politike. Nuk mund të jetë as qarku i spekulimit politik. Pasi Vlora në kuptimin më të plotë të fjalës është Shqipëria. Në kuptimin e historisë sonë, identitetin tonë si shtet. Dhe e gjithë asaj çfarë i bën bashkë shqiptarët brenda territorit të Republikës së Shqipërisë apo shqiptarëve të të gjitha trojeve shqiptare, të cilat kryeqytetin e tyre të zemrës e të krenarisë kanë Vlorën. Nga kjo pikëpamje unë jam, atje si Kryetar i shtabit, si zëvendëskryetar i LSI edhe si drejtues i listës së kandidatëve për deputetë të LSI në atë qark për të realizuar shprehjen e vullnetit qytetar, përmes zgjedhjeve të 25 prillit, dhe për të krijuar një realitet të ndryshëm nga ai që është sot sepse fatalisht dhe fatkeqësisht Vlora që ka qeverisur Shqipërinë nuk ka zëra me identitet që të flasin për Vlorën në Kuvendin e Shqipërisë. Jo me ju si kolege po flas por dhe me qytetarë të zakonshëm në Vlorë po ti pyesësh kush janë deputetët e Vlorës nga 12 që ka lista mezi mund të thonë disa prej tyre nga 2,3 emra. Të tjerët nuk i njeh askush sepse nuk kanë zë. Nuk përfaqësojnë. Unë nuk jam naiv që të mos pranoj që është e vërtetë që në Vlorë janë bërë disa investime në dukje spektakolare në kuptimin viziv siç është Lungomare psh.
Bulevardi i ri…
Jo jo ato janë investime të bëra enkas me shtysën e Kryeministrit, me bindjen e Kryeministrit, me projektimin e Kryeministrit, me shijen e Kryeministrit dhe për të mbushur xhepat e Kryeministrit. Sepse janë bërë investime që nuk i shërbejnë qytetit. Rrugët janë arterie për të komunikuar. Në Vlorë rrugët përdoren si arterie për tu bllokuar. Jo vetëm lungomare por dhe bulevardi skelë Vlorë që është shëmbëlltyra e shijeve më vulgare që një individ i imponon qytetit shijen e vetë pa u konsultuar me qytetarët. Pa biseduar, pa marrë mendimin e tyre. Aty janë hedhur mbi 30 milionë euro në 2km e pak rrugë të cilat padyshim janë një aferë e pastër korruptive siç është ajo që po bëhet tani te sheshi në skelë që është inauguruar me të madhe para 8 vitesh po nga Edi Rama kur e kishte PS bashkinë në atë kohë me Shpëtim Gjikën e cila është zhbërë për tu ribërë prapë. Është një projekt po kaq korruptiv për ta dhënë me koncension portin e Vlorës dhe për të ndërtuar kulla dhe pallate brenda hapësirës së portit. Por të ndërtuar një parking nëntokësor që është absurde për nga pikëpamja teknike që në breg të detit të ndërtosh një parking nëntokësor. Më çfarë kostosh duhet ndërtuar ai. Pra e gjitha kjo është pjesë e filozofisë se Kryeminsitrit për të dhënë me koncesion gjithçka që është pasuri shtetërore. Ka reagime nga organizmat ndërkombëtare për dhënien me koncension të portit të Vlorës. Po të kemi parasysh një Shqipëri me probleme në luftën kundër krimit, kundër trafiqeve, kundër drogës, duke hequr përgjegjësitë shteti nga administrimi i asaj zone krijon absolutisht një kondicion të favorshëm për trafiqet, për krimin, korrupsionin e kështu me radhë. Ashtu sikundër ka një reagim të shoqërisë civile të organizmave që mbrojnë mjedisin për portin e ashtuquajtur që do ndërtohet në zonën e Nartës dhe të gjithë rrethinës së saj sepse prish, cenon ekosistemin etj. Janë të gjitha projekte abuzive. Ka një projekt tjetër për të zhbërë Sheshin e Flamurit. Për ta mbjellë Sheshin e Flamurit me shkurre dhe me ferra siç është bërë në Tiranë zona rreth muzeut historik kombëtar. Për ti hequr Sheshin e Flamurit identitetin e tij si Sheshin i parë i historisë së shtetit shqiptar. Jo vetëm çështja e katër topave që është bërë debat i madh në Vlorë, të cilën ata duan ta heqin pavarësisht se tani thonë s’duan ta heqin për shkak të reagimi që pati te qytetarët. Sepse është një monument, një shenjë e ndërtuar që nga koha e Zogut që nuk është prekur, nuk është prishur, as nga sistemi komunist sepse ato katër topat janë katër vilajetet e Shqipërisë së kohës së pavarësisë. Pra ka një përçudnim estetik dhe urbanistik mbi Vlorën ku rruga e saj që ka qenë një nga rrugët më të bukura në Ballkan, nga skela në Vlorë apo nga Vlora në skelë, apo nga Sheshin e Flamurit deri në port, është kthyer në një rrugë ku makinat ecin një pas një dhe në 2km rrugë tani që nuk ka fluks qytetarësh ta bësh më shumë se një ore.
Megjithatë Vlora mbetet bastion i socialistëve?
Jo e keni gabim. Vlora është e qytetarëve. Midis vlonjateve ka shumë votues të PS, unë nuk e fsheh këtë gjë sepse unë kam punuar me Vlorën dhe si socialistë por socialistët në Vlorë nuk janë asgjëkundi. Vlora është peng i Edi Ramës dhe i 3,4 njerëzve rrotull tij. Është peng i atij pushteti që ka zhbërë formalisht dhe Kryetarin e Bashkisë. Nuk e quan më njëri atje, është vetëm si fasadë, si kukull sepse e ka emëruar atje Afrim Qëndron që të bëjë detyrën e Kryetarit të Bashkisë. Pasi e hoqi për shkak të skandalit me 22 milion euro 1 km rrugë në Unazën e Re e ka çuar tani të komandojë Bashkinë e Vlorës dhe 2,3 individëve që rijnë pas tij, i shohim me të nga mëngjesi në darkë në Vlorë. Dhe ju mjafton të çoni kamerat tuaja dhe unë vij prapë nesër këtu, e sfidoj Kryeministrin vetëm 30 metra pas pallateve të lungomares. Çojeni kamerën te zona e 7 pallateve. Çojini kamerat tuaja në lagjen Partizani, çojini në Çole, çojini gjithkund në Vlorë pas Bulevardit të ashtuquajtur të ri dhe do të gjeni Vlorën e vërtetë. Vlorën e zhytur në mjerim, në mungesë të ujit, të infrastrukturës, një Vlorë skandaloze që reklamohet nga pushteti si qendra e turizmit, si mbretëresha e turizmit dhe ju duhet ta dini që sot ujërat e kanaleve të zeza i derdh në det të papërpunuara. Shkoni te pylli i sodës. Shkoni të plazhi i i vjetër, shkoni dhe do ta shikoni dhe do ta fokusoni me kamerat tuaja absurditetin që i është bërë Vlorës. Shkoni në Vlorë dhe do të shikoni Vlorën të zhytur në plehra sepse nuk ka ende impiante për përpunimin e tyre.
Çfarë synon LSI në Vlorë?
Fitoren padyshim. Rezultati i zgjedhjeve në 25 prill në Vlorë do të jenë 7 mandate për opozitën dhe 5 për PS. Jemi në një front në përgjegjësinë e vetë secili por në një front të përbashkët në luftë, jo kundër socialistëve por kundër atyre që e kanë shpërbërë dhe shpërdoruar PS. Dua ta them dhe këtë fjali. Me vjen keq dhe dua ti siguroj të gjithë socialistët e Vlorës por dhe qytetarët e tjerë se nuk më ka shkuar në mend kurrë që PS do të mund të mbërrinte në një ditë të kishte në pushtet njerëz si këta që heqin njerëz nga puna sepse takohen apo pinë kafe me Luan Ramën. Që përndiqen dhe persekutohen në Vlorë socialistë sepse rrinë me Luan Ramën që ka qenë dhe është socialist si ata dhe ka luftuar me ata kundër regjimit të Berishës nga 92 në 97 që përdorte të tilla metoda. Por në Shqipërinë e 2021 të përdorësh metoda të tilla është kriminale dhe këtë Vlora dhe socialistët e Vlorës nuk kanë për t’ia falur as Edi Ramës dhe as atyre që janë pas tij.



















