LSI Durrës, Dhima : Durrësi nuk përmbytet prej shiut por prej njeriut. Më 25 prill banorët duhet t’i japin fund përgjithmonë autorëve të kësaj tragjedie.

61

Zv/kryetar i LSI-së Durrës, Bujar Dhima ka reaguar për situatën e fundit në qytetet, ku rreshjet kanë shkaktuar përmbytje. Sipas tij, Durrësi përmbytet prej një qeverie dhe bashkie tërësisht të dështuara. ”Fatkeqësitë natyrore nuk varen nga dora e njeriut, por reagimi ndaj tyre varet plotësisht nga shteti dhe bashkia dhe autoritetet e tjera përkatëse”,-shkruan Dhima.

Sipas tij, më 25 prill banorët duhet t’i japin fund përgjithmonë autorëve të kësaj tragjedie me përmbytjen dhe të ndërtojmë një qytet me standarde europiane ashtu siç e meriton. Zv/kryetari akuzon se Edi Rama është ”rilindas” me vizion vetëm për beton dhe korrupsion.

Postimi i plotë

Durrësi nuk përmbytet prej shiut por prej njeriut. Durrësi përmbytet prej një qeverie dhe bashkie tërësisht të dështuara dhe të papërgjegjshme. Fatkeqësitë natyrore nuk varen nga dora e njeriut, por reagimi ndaj tyre varet plotësisht nga shteti dhe bashkia dhe autoritetet e tjera përkatëse.

Ra tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019, një katastrofë jashtë çdo kontrolli njerëzor, por Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile përbëhej nga një staf prej vetëm 8 vetash, dhe këta në pozicione zyrash, ndërsa autoritetet e tjera u gjendën të papërgatitura dhe me mungesa pajisjesh dhe strukturash të posaçme për raste të tilla. Çdo qeveri e përgjegjshme investon në strukturat për reagimin ndaj kastastrofave, por jo qeveria jonë, e cila investon më shumë në PPP dhe tendera dhe projekte boshe 3D. Sa herë që bie shi Durrësi përmbytet.

Nuk është aspak faji i shiut, pasi është në stinën e vet, është faj i investimeve në beton dhe jo në kanalizime, është faj i zhvatjes me tenderat e rrugëve dhe projekteve zbukuruese prej betoni që kanë kushtuar miliona euro, siç është Veliera dhe Lungo Mare, kjo e fundit përmbytet sa herë që bie shi sepse nuk ka asgjë tjetër veçse beton. Ndaj Durrësi përmbytet jo prej shiut por prej njeriut. Njeriut “rilindas” me vizion vetëm për beton dhe korrupsion.

As në mesjetë nuk ka patur përmbytje në Durrës. Turp që ndodh kjo në ditët e sotme moderne. Edhe dalja nga shtrati e lumenjve Erzen dhe Ishëm shkaktohet nga dora e njeriut dhe papërgjegjshmëria e qeverisë e cila nuk ka bërë asgjë për të ndalur hedhjen e mbetjeve inerte apo pastrimin e tyre, të cilat bllokojnë grykën e derdhjes duke përmbytur kështu zonat përrreth siç ka ndodhur dje dhe sot. Më 25 prill banorët e Durrësit duhet t’i japin fund përgjithmonë autorëve të kësaj tragjedie me përmbytjen dhe të ndërtojmë një qytet me standarde europiane ashtu siç e meriton.