Pacienti i prangosur në spital, ja pse fotot bëjnë xhiron e Botës/ Ish-deputeti akuza policisë

593
Sigal

Shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut e ka cilësuar ish-deputeti Tritan Shehu, arrestimin e qytetarëve në ambientet spitalore, ku ndodhen për të marrë ndihmën e parë.

Shehu ka reaguar lidhur me prangosjen e një prej protestuesve në protestën e fundit të opozitës, i cili ndodhej në spital për shkak të dhunës së ushtruar nga policia, ndërsa ishte i prangosur në krevat.

Shehu në një reagim thekson se asnjë pacient nuk mund të mbahet i prangosur në shtratin e spitalit, po ashtu asnjë polic nuk duhet të qëndrojë brenda dhomës së tij.

“Shkelje e rëndë e të drejtave themeltare të njeriut e të pacientit, dhunim i institucionit shëndetësor.

Pamjet e pacientit të plagosur, të lidhur me pranga në shtrat nga krahu i dëmtuar, në një pozicion të detyruar e rëndues ky, me policë që e rrethojnë, janë shokuese.

Fatkeqësisht kjo pamje e shëmtuar vjen nga ambientet e brendshme të Qendrës së Traumës, mbas protestës së të shtunës.

Më vonë, mbas debateve të gjata, pacientin po të lidhur në shtratin e tij e të shoqëruar, e ç’vendosin në dhomat brenda reanimacionit të spitalit.

Skandal i vërtete ky, që dhe gjate diktaturës nuk ndodhte në Spitalet tona të Tiranës.

Asnjë pacient nuk mund të mbahet i prangosur në shtrat në spital, asnjë polic nuk mund te qëndrojë brenda dhomës së tij të spitalit, ky është një parim universal, që mund të tejkalohet përkohësisht vetëm nqs personeli mjekësor e kërkon këtë gjë, gjë qe nuk ka ndodhur në këtë rast.

Spitali nuk është pronë e policisë, pacienti pavarësisht përse akuzohet, nuk është skllav që ruajtësi mund të bëjë çfarë të dojë me atë!

Spitali drejtohet nga drejtuesit e tij e mjekët, veçanërisht ata të shërbimit, të cilët nuk duhet të kishin lejuar këtë përdhosje të të drejtave të pacientit të tyre e institucionit, për mos reagimin e të cilëve unë ndjej një keqardhje të thellë.

Megjithatë unë nuk dua t’i fajësoj ata, por akuzoj nivelin tragjik të frikës e presionit të imponuar deri te mjekët.

Këto foto do bëjnë xhiron e Botës, pikërisht se bihen ndesh me parimet e Shoqërisë Demokratike”, shkruan Shehu.