Llalla: Donald Lu më kërkoi arrestimin e Ilir Metës

630
Nga Dorian Kodra

Adriatik Llalla e ka pranuar publikisht se Donald Lu i kërkoi arrestimin e një politikani të rëndësishëm për korrupsion, por asnjëherë nuk e ka thënë se kush ishte ky politikan. Në emisionin “Opinion”, Llalla tregoi historinë e takimit privat që pati me ambasadorin në zyrë, tha se i ishte bërë presion për “Bankers Petroleum”, e quajti sorosist, e akuzoi për shantazh, por emrin e politikanit të shënjestruar nga ambasada amerikane e mbajti për vete. Pyetjes, nëse ky politikan ishte Sali Berisha, Llalla nuk i dha përgjigje, duke lënë hapësira për aludime. Por emrin e politikanit që iu kërkua të arrestohej nga ambasada amerikane, ish-prokurori i Përgjithshëm e ka treguar në Kongresin Amerikan, kur iu kërkua informacion në lidhje me ndikimin e Soros-it në Shqipëri. “Lapsi.al” zbuloi një letër të Adriatik Llallës të publikuar në Maj të vitit 2017 në faqen e internetit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në letrën për nënkomisionin e Kongresit Amerikan për Evropën dhe Azinë, i drejtuar nga kongresmeni Dana Rohrabacher, Llalla tregon edhe një herë takimin me Donald Lu në Maj të vitit 2015, duke saktësuar se ambasadori ka kërkuar arrestimin e Ilir Metës. Në letrën e Llallës, dërguar Kongresit, shkruhet: “…Lu i sugjeroi Prokurorit të Përgjithshëm arrestimin e Ilir Metës, kryetar i Parlamentit dhe njëkohësisht kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në vlerësimin e z. Lu, kryeparlamentari Meta ishte i korruptuar dhe po bllokonte Reformën në Drejtësi”. Arrestimi i tij (sipas Lu) mund të ndihmonte Shqipërinë për t’u integruar në Bashkimin Evropian, thotë Llalla, i cili vijon më tej, duke shpjeguar qëndrimin e tij: “Kjo kërkesë, tërësisht e papërgjegjshme, detyroi Prokurorin e Përgjithshëm të ndërpriste takimin, duke u shprehur se arrestimi i çdo njeriu, përfshirë edhe zyrtarët, mund të bëhet vetëm në bazë të provave”. Debati duket se ka qenë i ashpër, pasi Llalla, në letrën drejtuar Kongresit, shkruan: “Prokurori i Përgjithshëm theksoi, se kërkesa (e ambasadorit) ishte jologjike dhe se, arrestimi i zyrtarëve të lartë, pa prova, rrezikon të sjellë destabilitet politik dhe social”.

Pjesa më e rëndë e këtij komunikimi vjen më poshtë, sipas përshkrimit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. “Përballë këtij qëndrimi (të Prokurorit të Përgjithshëm), ambasadori Lu u shpreh se destabiliteti i mundshëm i Shqipërisë nuk përfshihej në prioritetet e tij”. Në nëntor, Adriatik Llalla u zëvendësua në detyrë me Arta Markun dhe fill pas kësaj ish-kryeprokurorit iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkë me familjen. Vendimi i firmosur nga ish-sekretari i shtetit, Reks Tillerson u kontestua nga Llalla që akuzoi ambasadorin Lu se gënjeu Departamentin e Shtetit. Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme, ambasadori Lu hodhi poshtë të kishte kërkuar pranë kryeprokurorit Llalla arrestimin e Metës.
Sigal