Limoz Dizdari: Ne socialistët e tradhëtuar nga Sekti i Rilindjes

293
Sigal

Ne socialistët, u gjendëm të tradhëtuar nga  Sekti i Rilindjes

I kam quajtur “Sekt” dhe bashkohem me këtë mendim, se ata që i japin këtë opinion të lig PSSH-së janë të paktit dhe ata performojnë  atë që e quajnë “Sekt”. Më shumë më vjen keq për tërë atë armatë besimtarësh të ndershëm e të përgjegjshëm, që kujtuan dhe shpresuan se do të rrugëtonim me të majtën, por u gjendëm të tradhëtuar. Kush është fajtori? Nuk janë shumë, por janë grykës

Nga Agron MEMA

Përvjetori i themelimit të PSSH-së ka mbledhur për festime degët në rrethe në praninë e deputetëve socialistë dhe ndonjë ministri që i kalon “tagent” vizita, këtej nga jugu i Shqipërisë. Por është vënë re mungesa e veteranëve socialistë, themeluesve të saj në atë qershor të largët dhe të afërt  të 1991-it, kur pushteti i kaluar nga Ramiz Alia tek Fatos Nano, do të sillte për herë të tretë në historinë e kësaj force politike dhe do të emërohej Partia Socialiste e Shqipërisë, me përmbajtje dhe bazë Lindore dhe ideologji Perëndimore, duke shpikur dhe hedhur në treg lloj-lloj platformash politike deri tek heqja e “xhaketave të vjetra”, por siç ndodhi më pas, dhëndurë të rinj me kostumet dasmore të baballarëve të tyre. Pra edhe këtë përvjetor, kanë munguar veteranët. Në këto situata, një prej themeluesëve  të PSSH-së dhe mbështetës i krahut dhe frymës liberale në këtë forcë politike, Artisti Limoz Dizdari, ka sjellë një reagim pranë redaksisë së gazetës “Telegraf”,  ku mes të tjerash nënvizon zhgënjimin e madh të së majtës moderne shqiptare, të përfaqësuar nga një “Sekt” siç e quan ai “Rilindjen ” socialiste në qeverisje. Për më shumë detaje po ju përcjellim më poshtë letrën që Artisti Limoz  Dizdari,  ka dërguar për gazetën “Telegraf”.

 Letra e Limoz Dizdarit

“Thuhet dhe ashtu është, se e mira dhe e keqja janë kategori shoqërore. Vetëm qëndrimi i njeriut ka karakter personal. Nëse këtë të vërtetë nuk e harrojmë asnjëherë, kemi bërë një punë të vyer e të matur. Unë vërtetë jam ndër themeluesit e PSSH-së. Ëndërrova shumë, pashë shumë e tani shoh shumë qartë. Më vjen keq që sillen shumë keq. I kam quajtur “Sekt” dhe bashkohem me këtë mendim, se ata që i japin këtë opinion të lig PSSH-së janë të paktit dhe ata performojnë atë që e quajnë “Sekt”. Më shumë më vjen keq për tërë atë armatë besimtarësh të ndershëm e të përgjegjshëm që kujtuan dhe shpresuan se do të rrugëtonim me të majtën, por u gjendëm të tradhëtuar. Kush është fajtori? Nuk janë shumë, por janë grykës. Unë i njoh. I di. I kam parë lakuriq. Sot janë elegantë, të heshtur, të frikshëm e të vetmuar tragjikë.Të tërë fajësojnë Ramën! Kam përshtypjen se këtë duhet  t’a shpjegojmë me mënyrën e Servantesit: Don Kishoti thoshte se Çmimi i Parë, nuk është Çmimi i Parë. Çmimi i dytë, është Çmimi i Parë…Pse Rama nuk është kryetar i PSSH-së?! Kryetar dhe përgjegjës i kësaj drame është Gramoz  Ruçi. Ai e di mirë se si rregullohet  zemreku  i këtij sahati të prishur të Shqipërisë. Unë jam dhe mbetem i majtë me Zë, Zemër e Shpirt. Populli është me zemër floriri, por mundohen me çdo mjet  ta dëshpërojnë e ta tredhin. Ka shumë eunukë që presin të futen në rreshtin e së keqes. Mbetem me shpresë se në këtë rrugë të përbaltur apo të pluhurosur, PSSH-ja do të gjejë vetëdijen e saj të dashurisë për njeriun, popullin dhe vendin”

Limoz Dizdari……Ksamil ,  12 qershor 2020—-( Firma)