Ligji për Arsimin e Lartë, Rama debat në FB: Tarifat s’u rritën asnjë qindarkë

491
Tarifat e studimit për Universitetet publike janë kthyer në një temë debati mes kryeministrit Edi Rama dhe disa ndjekësve të tij në rrjetin social “Facebook”. Ka mjaftuar vetëm një status i kreut të Qeverisë, i cili ka gjeneruar një ‘lumë’ komentesh nga ndjekësit, të cilët kanë detyruar që Rama t’u kthejë përgjigje. “1 pyetje për gënjeshtarët: Sot u vendosën +20.211 kuota pranimi në universitete dhe tarifat e studimit s’rriten asnjë qindarkë! Pse gënjeni?!”, shkruan Rama, status që është pasuar nga qindra komente”, citohet në statusin e kryeministrit.
Për rreth dy orë, Rama ka ndjekur personalisht se çfarë komentesh shkruanin ndjekësit e tij në rrjetin social dhe u është përgjigjur disa prej tyre. Përmes përgjigjeve të tij, Kryeministri ka sqaruar dhe disa momente të ligjit, por dhe ka akuzuar ata që shprehen se ky ligj po bëhet vetëm për ata që kanë mundësi financiare. Kreu i qeverisë akuzon të gjithë ata që shprehen se ligji për arsimin e lartë nuk përkrah kategoritë që nuk kanë mundësi financiare për të studiuar. 
Debati në “Facebook”
Edi Rama: 1 pyetje për gënjeshtarët: Sot u vendosen +20.211 kuota pranimi në universitete dhe tarifat e studimit s’rriten asnjë qindarkë! Pse gënjeni?!
Kristi Pinderi: Po ti pse gënjen? Sa do të jenë kuotat në vitin akademik 2016¬2017 dhe sa do të kushtojë studimi për studentët? Sa lekë nga buxheti i shtetit do të shkojnë për universitetet private? Në total sa bursa do të japë shteti dhe cilat janë kriteret për të përcaktuar pamundësinë ekonomike të një familjeje për të shkolluar fëmijën e vet?
Edi Rama: Durim, të gjitha do të detajohen në korpusin e akteve nënligjore, por një gjë është e sigurt: Asnjë lekë nuk shkon tek universitetet private, lekët do të shkojnë te studentët dhe dëgjojë me vëmendje, se ka dallim të madh kur themi jo më universitete private ose shtetërore, por universitete publike të financuara nga shteti ose privati! Ama, pa qëllim fitimi, ky është thelbi i kësaj reforme historike për arsimin shqiptar!
Alisa Kalemi: Zoti Kryeministër, kthe përsëri konkursin si dikur, kush e kalon testin futet në shkollë të lartë, se u qelb fare universiteti. Kanë mbaruar ca për stomatologji, kur në gjimnaz nuk njihnin fare kush ishte libri i letërsisë dhe sot, ata në vend të shkulin dhëmbin e krimbur, të shkulin të saktin, prandaj mos dëgjo ça thonë hajdutët. Edi Rama: E përsëris, Ligji i Ri vendos një prag kriteresh që do ta kapërcejnë ata që kanë dëshirën, por edhe zotësinë!
Mariol Toska: Ligje për arsimin duhen, se po hyjnë ata që s’e meritojnë, por kujdes që ligji mos të bëhet për të pasur. Se ne që s’e përfitojmë ulje as me një skemë, se të pasur s’jemi, të varfër jo, invalidë, s’kemi të persekutuar, s’jemi në pjesën e studentëve ekselencës, s’hyjmë tek prindërit pa punë, duhet të mendosh se si njerëzit në fshat si ne rriten në ekonomi që më vonë mund të ngresh tarifat e shkollës. Suksese me reformën dhe mos e mirrni me nxitim, kini kohë, bëni njëherë pushimet që të jeni më të relaksuar.
Edi Rama: Ligj për të pasurit ky i arsimit të lartë?! Turp kush e thotë dhe gjynah kush e beson, sepse një ligj i tillë nuk ekziston askund, ndërkohë që ky ligj që po kundërshtohet si me demek kundër të varfërve, është në fakt një reformë kundër varfërisë së aspiratave. Shqipëria nuk meriton të jetë vendi ku në emër të gjoja solidaritetit me të varfrit, universitetet janë kthyer në hapësira ku në vend të dijes reale, jepet rëndom lëmosha e një diplome pa asnjë vlerë! Jo, Shqipëria meriton të bëhet siç e meritojnë fëmijët e saj dhe reforma jonë në arsim po hap rrugën drejt këtij qëllimi të lartë kombëtar e njerëzor! Giovanni Gio: Për çdo gjë kështu thua, është gënjeshtër… E vërtet është si thotë populli, që janë rritur me 20%..ta mbajnë në kurriz studentët tani.
Edi Rama: Populli nuk është rrjeti i thashethemeve që përhapen si të vërteta dhe askush nuk po mban në kurriz më shumë se ç’i takon të mbajë! Ky është fakt.
Mand Partizani: Mua më mjafton vetëm opinioni i profesor Fugës që të them se ju jeni gabim. Sa do të vlerësoj ty z. Rama, nuk mendoj se dini më shumë se profesor Fuga nga ana e arsimit.
Edi Rama: Fatmirësisht, Ligji i Arsimit të Lartë nuk është prodhim i një mendjeje dhe as i një ministrie, po i një komisioni ekspertësh të njohur të fushës, si edhe i një debati publik që ka vijuar për një kohë shumë të gjatë. Ne kemi vendosur të gjithë vullnetin tonë politik për ta kthyer produktin cilësor të ekspertëve në një akt ligjor të vullnetit të kësaj shumice qeverisëse për të reformuar rrënjësisht shtetin dhe në këtë rast, arsimin e lartë shqiptar. “Një mendje hiç mendje, dy mendje një mendje, tre mendje shumë mendje!”, thotë një proverb i lashtë kinez, që u shkon shumë komenteve të mësipërme dhe përgjithësisht rastit në fjalë.
Albi Mato: Sepse e the dhe vetë që ligji hyn në fuqi vetëm vitin tjetër shkollor. Këtu do të jemi dhe vitin tjetër, këtu do të jetë dhe statusi. Pastaj do ta shohim kush është gënjeshtar.
Edi Rama: Pa dyshim këtu do të jemi, siç kemi qenë edhe në shumë raste të tjera dhe këmbët e shkurtra të gënjeshtrës kanë dalë qartë në pah:-)
Edi Rama: Është me interes publik besoj, dhe jo vetëm thjesht për disa nga komentuesit, që të jap disa përgjigje lidhur me po aq keqkuptime apo keqinformime të qëllimshme këtyre ditëve të nxehta, ku kundërshtitë ndaj reformës rrënjësore të arsimit të lartë janë shprehje kuptimplote e mënyrës se si interesat e një kaste të krijuar në vite të tëra privilegjesh të pamerituara bashkohen me interesat e llojit më të keq të politikës dhe prodhojnë e riprodhojnë helm propagandistik për të çoroditur publikun.
Sigal