Legalizimi i kanabisit mjekësor/ Meta: Narkotrafiku ka kapur peng qeverisjen, atentat ndaj shëndetit!

542
Sigal

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta iu është bashkuar reagimeve në lidhje me miratimin e vendimit për legalizimin e  kanabisit mjekësor në vendin tonë. Në një mesazh në ‘Facebook’ Meta theksoi se votimit nga deputetët e “rilindjes” është legalizim “de facto” i trafikut të drogës që ka pushtuar vendin, si edhe legalizimi i zbrazjes së depove me kanabis të narkotrafikantëve.

Meta shkroi se ky votim ishte po ashtu zbatimi direkt i urdhrave të narkotrafikut, që ka kapur peng qeverisjen e vendit të kthyer në narkoshtet, si edhe një atentat ndaj shëndetit dhe të ardhmes së qindra mijëra të rinjve.

“Votimi nga deputetët e “Rilindjes” në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë të Projektligjit për Legalizimin e Kanabisit për gjoja qëllime mjekësore është legalizimi “de facto” i trafikut të drogës, që ka pushtuar vendin, si dhe legalizimi i zbrazjes së depove me kanabis të narkotrafikantëve. Ky votim është zbatimi direkt i urdhrave të narkotrafikut, që ka kapur peng qeverisjen e vendit të kthyer në narkoshtet. Ky votim është një atentat ndaj shëndetit dhe të ardhmes së qindra mijëra të rinjve. Integrimi europian dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian ka marrë një goditje tepër të rëndë dhe të qëllimshme”, u shpreh Meta.