Blushi, betejë në Kuvend: Rama meriton “Legjionin e Turpit”

482
Kreu i LIBRA-s debaton me Kodhelin, Bushatin e Ahmetajn. Akuza e ironi edhe për kryeministrin. Ndërhyjnë edhe Braçe e Felaj
Ben Blushi, deputeti i larguar nga Partia Socialiste dhe tashmë drejtues i një force të re politike të quajtur LIBRA, ka vijuar betejën e tij në Kuvend kundër qeverisë “Rama” dhe ministrave të saj. Pothuajse si çdo të enjte, prej nisjes së bojkotit të opozitës, Blushi ka debatuar ashpër me ish-kolegët e tij, ndërsa ka shigjetuar edhe kryeministrin Rama, i cili ka preferuar të heshtë.

E ka nisur me ironi fjalën e tij në parlament deputeti Ben Blushi, ku ironizoi titullin “Komandant i Legjionit të nderit” që Franca i dha kryeministrit Rama. “Meqë askush nuk e bëri, po e bëj unë. Falënderoj Republikën e Francës që nderoi emigrantin shqiptar, Edi Rama, për sjelljen shembullore që ka bërë në Francë gjatë kohës së emigracionit. I dhanë Legjionin e Nderit, sepse në Francë është sjellë mirë si emigrant edhe prandaj është vend i madh Franca, sepse nderon emigrantët e huaj”, tha Blushi. Ai shtoi se Rama mori Legjionin e Nderit në Francë, erdhi në Shqipëri u bë kryeministër e mori Legjionin e Turpit. “Nga Legjioni i Nderit në Francë me Ismail Kadarenë, në Legjionin e Turpit në Shqipëri si kryeministër me Mark Frrokun e Elvis Rroshin. Sidoqoftë duhet falënderuar Franca që i nderon emigrantët e huaj”, tha Blushi në Parlament.

Ironisë së përdorur nga Ben Blushi për dekoratën e kryeministrit në Francë, i është përgjigjur i pari ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Ai u shpreh se si në rastin e Ismail Kadaresë dhe për Ramën duhet të ishim ndjerë njësoj krenarë. “Dekorimi që iu bë kryeministrit të Shqipërisë është nder për popullin shqiptar. Nuk është rasti, i dashur Ben që të tregohemi cinik as me kryeministrin e Francës dhe as me kryeministrin tonë. Është për herë të parë në historinë e Francës që shkohet përtej marrëdhënieve të reciprocitetit”, tha Bushati.

Këtë herë me Blushin ka replikuar edhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Nga foltorja e Kuvendit, ajo i ka “zbuluar” kreut të LIBRA-s një nga dëshirat më të forta dhe tunduese, sipas saj, siç është një portofol, si ai i Ministrisë së Mbrojtjes, post që e mban vetë Kodheli. Mimi Kodheli, teksa e ka barazuar Blushin me Sali Berishën, për baltën, akuzat dhe mllefin ndaj kolegëve ka thënë, se ai nuk mund të bëhet një politikan serioz, pasi nuk e lë mllefi. Ajo përmendi edhe dy arsye për të cilat ish-deputeti socialist nuk bëhet dot udhëheqës.

“Dje kryeministri u vlerësua si kryeministri më i mirë i shqiptarëve, një ndër piktorët më të mirë francezë, që ishte motivacioni i medaljes. E të dalim këtu dhe të ironizojmë kur duhet të flasim për të tjera gjëra. Unë nuk kam parasysh faktin, se mund të flasësh për ligjin, sepse duhet një farë shkolle, që të kuptosh nga financat dhe ekonomia, pavarësisht se ke qenë 20 vjet në politikë, por mendoj se s’ia vlen të merresh me ato që thua Ben Blushi. Kam menduar gjatë, nëse duhet të flisja apo jo, sepse në fillim mendoja që kjo çon ujë në mullirin tënd e do të bëhesh protagonist i një gjëje që nuk je”, tha Kodheli. Ajo shtoi se “është për të ardhur keq që çdo të enjte, ti (Blushi) bën parimorin, hedh baltë mbi ish-kolegët e tu dhe këtë e bën jo domosdoshmërisht për parime”.

“Se është i fortë tundimi dhe dëshira për të qenë pjesë e qeverisë. Unë më shumë se kushdo e verifikoj këtë, pasioni i madh për të pasur një portofol si ai i Ministrisë së Mbrojtjes, e kemi diskutuar shumë herë, por ky nuk është diskutim. Nuk mund të jetë arsye që ish-shokët e tu të mbulohen me baltë e të shara, njësoj si Saliu, në një kohë kur Saliu është origjinal mllefi është i njohur, arsyet janë të njohura, sa unë kam menduar, se pse ti sillesh kështu ishin të ndryshme, se mendova që do vinte dita të bëheshe politikan serioz, por nuk do bëhesh dot, mllefi nuk do të lërë”, tha Kodheli.

Një replikë të fundit me Blushin e ka bërë dje në Kuvend edhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ndërsa nuk kanë munguar edhe qortimet e Erion Braçes dhe ministres Ermonela Felajt. Vetë kryeministri Edi Rama nuk ka replikuar këtë herë me Ben Blushin, pavarësisht akuzave dhe ironisë së kreut të LIBRA-s.

Kuvend, miratohen 7 ligje të reformës në drejtësi
Në seancën e djeshme plenare, janë miratuar 7 prej 27 projektligjeve të reformës në drejtësi, projektligji për lirimin e frekuencave digjitale, si edhe projektligji për fshirjen e detyrimeve tatimore. Projektligji për fshirjen e detyrimeve tatimore u miratua me 86 pro si edhe 2 kundër, vetëm me votat e mazhorancës, pasi siç dihet opozita është në bojkot. Mazhoranca PS-LSI-PDIU ka kaluar 84 vota, duke miratuar 7 nga 27 projektligjet e reformës në drejtësi që kërkonin shumicë të cilësuar. Ligjet e paketës së reformës u votuan dhe nga Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi, deputetet e partisë se re LIBRA.

U miratuan projektligjet “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë” me 86 vota pro; “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë” me 88 vota pro; “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” me 88 vota pro; “Kodi i Drejtësisë për të Mitur” me 88 vota pro; “Kodi i Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë” me 87 vota pro; “Ligji për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” me 88 vota pro, si dhe “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë” me 86 vota pro.
Sigal