Ledio Braho: Kodi Zgjedhor ka vakum ligjor: Cili do të konsiderohet koalicioni i partive që ka shumicën në Kuvend

370
Sigal

Ledio Braho: Kodi Zgjedhor ka vakum ligjor: Cili do të konsiderohet koalicioni i partive që ka shumicën në Kuvend, pas 25 prillit dhe kush do të marrë mandat për kryeministër?

Ajo çka me të drejtë ngre si problematikë Komisioni i Venecias, është se cili do të konsiderohet koalicioni i partive që ka shumicën në Kuvend, pas 25 prillit 2021?

Gazeta Telegraf

Ledio Braho, konstitucionalist, në intervistën për gazetën “Telegraf” ngre shqetësimin e madh, pas konstatimeve të Komisionit të Venecias, se Kodi i ri Zgjedhor, ka boshllëqe ligjore, nuk përcakton qartë se cili nga kryetarët e partive, që do të ketë shumicën në zgjedhjet parlamentare, do të marrë mandatin e kryeministrit, nëse partia e tij nuk ka 71 deputetë. Konstitucionalisti Braho shpreh mendimin se partitë politike, që tani duhet të marrin nismë, që ta zgjidhin paraprakisht këtë çështje, që pas 25 prillit, të mos krijohet konflikt kushtetues midis Presidentit të Republikës, Parlamentit dhe partive politike. Konstitucionalisti Braho, rrëzon çdo mundësi, që të sillet në parlament projektligj, që të kriminalizojë shpifjen, pasi,Shpifja në fakt është dhe aktualisht vepër penale e parashikuar nga neni 120 i Kodit Penal si kundërvajtje penale që dënohet në maksimumin e saj deri në tre milionë lekë gjobë dhe subjektet janë të përgjithshme

Niveli i kritikës së pranueshme është gjithashtu më i gjerë për funksionarët publikë sesa individët privatë (Nikula kundër Finlandës)

 

– Zoti Braho, projektligji i ‘Rilindjes’ për Antishpifjen  u shndërrua në një nga kushtet e BE-së ndaj Shqipërisë për negociatat. Tashmë Ministria e Drejtësisë përgatit një projektligj për ndryshime në Kodin Penal, që të kriminalizojë shpifjen, deri aty, sa të dënohen me burg ata që publikojnë meme kritike. A mund të kriminalizohet shpifja, duke u sanksionuar si ligj në Kodin Penal?   

– Shpifja në fakt është dhe aktualisht vepër penale e parashikuar nga neni 120 i Kodit Penal, si kundërvajtje penale, që dënohet në maksimumin e saj deri në tre milionë lekë gjobë dhe subjektet janë të përgjithshme, ndërkohë që me ndryshimet që propozohen nga Ministria e Drejtësisë gjoba arrin deri në vlerën katër milionë e pesëqindëmijë lekë, por ajo çka e bën problematike këtë nisëm ka të bëjë me faktin që, nëse vepra penale i drejtohet “një organi politik, administrativ ose gjyqësor, ose një personi në cilësinë e përfaqësuesit të një prej këtyre organeve, ose një autoriteti të përbërë që funksionon në kolegj” konsiderohet në rrethana rënduese. Madje, në përshkrimin që i bëhet iniciativës ligjvënëse për këtë nen, citohet se është bazuar në vendimin e GjEDNj për çështjen (Karako kundër Hungarisë), që ka vendosur pikërisht të kundërtën e asaj çka pretendohet të konsiderohet rrethanë rënduese për draftuesit e Kodit të ri Penal. GjEDNj, një ndër elementet me të cilin vlerëson cënimin e lirisë së shprehjes, është ai i natyrës dhe ashpërsisë së dënimit që parashikohet dhe jepet nga legjislacioni vendas. Në çështjen (Selistö kundër Finlandës), Aplikimi Nr. 56767/00, fq.53, GjEDNj ka arritur në konkluzionin se “… në rastin konkret, masat e marra nga autoritetet kombëtare janë të tilla që mund të dekurajojnë medien për shpërndarjen e informacionit për çështje me shqetësim të ligjshëm publik, nga Gjykata kërkohet një kontroll i kujdesshëm i proporcionalitetit të masave të marra”. Në çështjen (Standard Verlags GmbH  kundër Austrisë), Aplikimi. Nr. 19710/02, fq. 59, GjEDNj ka arritur në përfundimin se “… arsyet e paraqitura nga gjykatat vendase nuk ishin “relevante dhe të mjaftueshme” për të justifikuar ndërhyrjen. Për më tepër, Gjykata nuk është e bindur me argumentin e Qeverisë se sanksionet e vendosura ndaj aplikantëve ishin proporcionale”. Për kërë arsye, masat e gjobave të parashikuara  për t’u propozuar mund të konsiderohen fare mirë në një nivel të tillë, që cënojnë dhe apriori lirinë e shprehjes.

Element tjetër me të cilin GjEDNj vlerëson lirinë e shprehjes, është ai i subjektit ndaj të cilit drejtohen deklaratat që në fushën e të drejtës penale konsiderohet edhe subjekti pasiv i veprës penale. Sipas këtij kriteri, politikanëve u kërkohet të demonstrojnë një shkallë më të madhe të tolerancës ndaj kritikës, sesa qytetarëve të zakonshëm, pasi një politikan “në mënyrë të pashmangshme dhe me vetëdije është i pozicionuar hapur për t’ju kontrolluar çdo fjalë dhe veprim i tij”. Niveli i kritikës së pranueshme është gjithashtu më i gjerë për funksionarët publikë, sesa individët privatë (Nikula kundër Finlandës). Sidoqoftë, meqenëse funksionarët publikë nuk priten që të kenë të njëjtën qasje ndaj kritikës, siç kanë politikanët, dhe sepse ata “duhet të gëzojnë besimin e publikut… pa shqetësime të panevojshme, nëse ata do të duhet jenë të suksesshëm në kryerjen e detyrave të tyre”, niveli i kritikave të pranueshme ndaj tyre do të jetë më pak i gjerë se sa për politikanët (Lesnik kundër Sllovakisë). Sa i përket figurave publike, GjEDNj ka konstatuar në mënyrë të vazhdueshme, që, kur individët privatë bëhen pjesë e sferës publike, ata vendosen të hapur për debatin publik dhe prandaj duhet të tregojnë një shkallë më të gjerë të tolerancës ndaj kritikës.

Duke krijuar një ndarje midis kategorive të ndryshme të paditësve dhe duke kërkuar që persona të caktuar të shfaqin një shkallë më të madhe të tolerancës ndaj kritikave se të tjerët, GjEDNj krijon një mundësi të shkëlqyeshme për zbatimin e kriterit të seriozitetit të shkeljes. Në teori dhe sipas një arsyetimi të zgjeruar, nga arsyetimi paraprak i GjEDNj në lidhje me këtë, zbatimi mund të marrë formën e mëposhtme. Kategoritë e personave që me dëshirë dhe me vetëdije e shfaqin veten të hapur për shqyrtimin publik, do të presin mundësinë e kritikës. Prandaj, ndikimi i deklaratave shpifëse në reputacionin e tyre është më i ulët. Kufijtë e kritikës së pranueshme janë pra më të gjera në lidhje me këta persona. Në të kundërt, ndikimi i deklaratave shpifëse në reputacionin e personave që nuk e shfaqin veten të hapur për shqyrtim publik do të jetë më i madh. Prandaj, niveli i kritikës së pranueshme në lidhje me këta persona është më i kufizuar dhe reputacioni i tyre meriton mbrojtje shtesë. Në rastet që përfshijnë shpifjen ndaj politikanëve, për shembull, themeli i arsyetimit të  GjEDNj,  gjithmonë qëndron në konstatimin se kufijtë e kritikës së pranueshme janë më të gjera në lidhje me politikanët (Ligens kundër Austrisë).

Pikërisht, në linjën e këtyre arsyetimeve dhe jurisprudencës së GjEDNj, duket qartë që ndryshimet që propozohen të bëhen në Kodin Penal, janë hapa pas në raport me lirinë e shprehjes pasi tashmë përveçse deklaratat ndaj politikanëve apo funksionarëve publikë konsiderohen në rrethana rënduese, por përveç deklaruesit ngarkojnë me përgjegjësi penale edhe drejtorin administrues ose, sipas rastit, zëvendësdrejtorin, botuesin dhe printuesin kur deklarimi është kryer me anë të shtypit.

Pasi të zyrtarizohet opinioni i Komisionit të Venecias, pas amullisë ligjvënëse kushtetuese dhe ligjore sa i përket Kodit Zgjedhor, ka shumë pak për të bërë në aspektin ligjvënës

– Ku është dallimi juridik i projektligjit të antishpifjes nga ky projektligj i ndryshimit të Kodit Penal, që kriminalizon shpifjen?

– Ndryshimi është se, ndërsa me paketën antishpifje kemi të bëjmë me një procedurë administrative që kryhet nëpërmjet Autoritetit të Medies Audiovizive, në rastin e Kodit Penal, kemi të bëjmë me një procedurë penale që mund të përfundojë me dënim penal, por që njëkohësisht mund të iniciohet edhe një proces civil në gjykatat civile me objekt “shpërblim dëmi”. Si përfundim, nëse paketa antishpifje  do të kalojë, për të njëjtin publikim që mund të publikohet në një portal, subjekti mund të dënohet njëkohësisht me gjobë administrativisht nga AMA, me gjobë dhe dënim penal nga gjykata penale dhe me dëmshpërblim civil nga gjykata civile. Të gjitha këto parashikime ligjore, në kuptim të asaj çka konstatoi dhe Komisioni i Venencias në opinionin e tij në lidhje me paketën antishpifje mund të sjellin chilling effect (dekurajim) sa i përket lirisë së shprehjes në vend.

Mazhoranca  ‘rilindëse’,  gjatë gjithë kohës si në deklaratat publike të saj, por po ashtu edhe nëpërmjet iniciativave ligjore, ka treguar se ka një qasje jo fort pozitive ndaj medias dhe gazetarëve në Shqipëri, sidomos ndaj atyre që janë në opozitë me të

– Pse qeveria këmbëngul kaq shumë të miratohet ligji që të kriminalizojë shpifjen? Ka boshllëqe në legjislacionin penal?

– Siç e kam cituar edhe më sipër, shpifja është aktualisht e kriminalizuar, por ajo çka është iniciuar  aktualisht,  ka të bëjë me ashpërsimin e dënimit, dhënien e një garancie më të madhe në rastin kur deklarimet i drejtohen politikanëve dhe funksionarëve publikë, si dhe përfshirjen në përgjegjësi penale edhe të drejtuesve redaksionalë të medias përkatëse kur deklarimet bëhen nëpërmjet shtypit. Unë këmbënguljen e shoh më së shumti në aspektin filozofik të kësaj mazhorance kundrejt lirisë së shprehjes, e cila gjatë gjithë kohës si në deklaratat publike të saj, por po ashtu edhe nëpërmjet iniciativave ligjore, ka treguar se ka një qasje jo fort pozitive ndaj medias dhe gazetarëve në Shqipëri, sidomos ndaj atyre që janë në opozitë me të.

Zoti Braho, u bënë publike opinionet e Komisionit të Venecias për Kodin Zgjedhor, ku midis të tjerave, ato theksojnë se ndryshimet Kushtetuese të bëra njëanshmërisht nga kjo mazhorancë e sotme, kanë prekur themelet e demokracisë. Çfarë duhet të bëhet tashmë nga Parlamenti shqiptar, në mungesë edhe të Gjykatës Kushtetuese?

– Komisioni i Venecias, në draft opinionin e tij, ndër të tjera ka cituar se “Ndryshimet kushtetuese nuk duhet të jenë të nxituara, dhe “duhet të bëhen vetëm pas diskutimeve të gjera, të hapura dhe të lira publike”, duke përfshirë “forca të ndryshme politike, organizata joqeveritare dhe shoqërinë civile, akademikë  dhe mediet” dhe duke parashikuar “kornizën e duhur kohore”” apo se “… ata (Komisioni i Venecias) nuk mund të mos ndjehen të keqardhur edhe një herë që ndryshimet kushtetuese u bënë kundër rregullave më themelore demokratike të iniciativave ligjvënëse, madje edhe duke supozuar se objekti i ndryshimeve ishte diskutuar më parë me opozitën jashtëparlamentare. Demokracia, sipas shtetit të së drejtës, nuk ka të bëjë vetëm me respektimin formal të procedurave që lejojnë shumicën të qeverisë, por gjithashtu ka të bëjë edhe me diskutimin dhe me shkëmbimin kuptimplotë të pikëpamjeve midis maxhorancës dhe opozitës. Komisioni i Venecias dhe ODIHR nxisin forcat politike shqiptare – si brenda dhe jashtë parlamentit – të sigurojnë funksionimin normal demokratik të institucioneve në vend, në interes të popullit shqiptar”. E vërteta është, që, pasi të zyrtarizohet opinioni i Komisionit të Venecias, pas amullisë ligjvënëse kushtetuese dhe ligjore sa i përket Kodit Zgjedhor, ka shumë pak për të bërë në aspektin ligjvënës, përveçse çka mund të arrihet me marrëveshje mes palëve për një shtyrje të efekteve të ndryshimeve kushtetuese në lidhje me ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, por çka kërkon domosdoshmërisht një iniciativë të re ligjvënëse, pasi dispozitat tashmë janë në fuqi, si ato kushtetuese dhe ato në Kodin Zgjedhor.

Venecias i bën thirrje partive politike që të ulen dhe ta zgjidhin me marrëveshje këtë çështje, që pas zgjedhjeve, të mos rinisë një konflikt kushtetues mes Presidentit të Republikës, Parlamentit dhe partive politike,  se cili ndër kryetarët e partive duhet të jetë i pari, që duhet të emërohet si kryeministër

Gjithashtu, opinioni i Venecias është shumë kritik ndaj Kodit Zgjedhor të miratuar, po njëanshmërisht nga mazhoranca. A mendoni se duhet reflektim në këtë ligj? A ka ende kohë të bëhen ndryshimet në Kodin Zgjedhor?

– Pika më e rëndësishme në raport me detyrat që le Komisioni i Venecias dhe që besoj do jetë vendimtare  pas zgjedhjeve të prillit 2021, ka të bëjë me kuptimin e koalicioneve sipas nenit 96 të Kushtetutës, që është i ndryshëm nga kuptimi që i jep Kodi Zgjedhor. Është pikërisht ky nen që parashikon ndër të tjera se “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”. Ajo çka me të drejtë ngre si problematikë Komisioni i Venecias është se cili do të konsiderohet koalicioni i partive që ka shumicën në Kuvend në rast se PD dhe LSI do të garojnë secila me koalicione në vete, (sipas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor) në zgjedhjet e radhës, pavarësisht faktit se vullneti i tyre është i tillë që janë në opozitë me PS?! Pikërisht, në analizë të këtij neni, situata është e paqartë dhe për këtë Komisioni i Venecias i bën thirrje partive politike që të ulen dhe ta zgjidhin me marrëveshje këtë çështje, në mënyrë që pas zgjedhjeve, mos të rinisë një konflikt kushtetues mes Presidentit të Republikës, Parlamentit dhe partive politike, në lidhje me faktin se cili ndër kryetarët e partive duhet të jetë i pari që duhet të emërohet si kryeministër dhe më tej të votohet nga Parlamenti, në mënyrë që të formojë qeverinë. Një situatë e tillë, në rastin hipotetik që do të jemi ende në kushtet e një Gjykate Kushtetuese jofunksionale, do të sillte një krizë të thelluar të demokracisë në vend dhe një zvarritje te pafundme deri në formimin e qeverisë së re të pas zgjedhjeve të prillit 2021.

– Faleminderit!