Kuvendi të mbajë përgjegjësinë ligjore për shitjen e sovranitetit tek Kryeministri

118

Nga Gerti Shella

Coronavirusi e gjeti Shqipërinë jo vetëm pa maska e pa dorashka, por me sa duket edhe pa ligj për gjendje të jashtëzakonshme. Situata është menaxhuar deri tani kryesisht përmes instrumentit të akteve normative me fuqinë e ligjit. Nëse do të kishte patur një ligj për gjendjen e jashtëzakonshme, qeverisja përmes dekret-ligjeve do të kishte qenë e panevojshme, pa i provokuar Ekzekutivit “kokëçarjen” për të ndërhyrë në fushën e lirive themelore apo të drejtave civile sensitive që parashikohen nga Kushtetuta dhe nga Kodet.

Sipas nenit 170/2 të Kushtetutës, “Parimet e veprimtarisë së organeve publike dhe shkalla e kufizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, përcaktohen me ligj”.

Ligji për gjendjen e jashtëzakonshme është rezervë ekskluzive e Kuvendit. parashikuar nga neni 81 I Kushtetutës. Ky nen shterron tërësinë e ligjeve të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar për t’u miratuar. Miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit:
a) ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve, të parashikuara nga Kushtetuta;
b) ligji për shtetësinë;
c) ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore;
ç) ligji për referendumet;
d) kodet;
dh) ligji për gjendjen e jashtëzakonshme;
e) ligji për statusin e funksionarëve publikë;
ë) ligji për amnistinë;
f) ligji për ndarjen administrative të Republikës.

Në vendimin e saj historik 5/2014, Gjykata Kushtetuse e Shqipërisë ka arsyetuar se Këshilli i Ministrave NUK mund të disponojë me instrumentin e Akteve Normative me Fuqinë e Ligjit në fushën e rezervës ekskluzive të Kuvendit.

Aktualishtm në korpusin e brendshëm legjislativ ka të paktën dy ligje të cilat parashikojnë masa për situatat emergjente që cënojnë shëndetin e popullatës. Një prej tyre është ligji 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infeKtive”. Një tjetër është ligji Nr.45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”. Të dyja këto ligje janë miratuar në bazë të nenit 78 dhe 83 të Kushtetutës, dhe jo të nenit 81 të saj. Sipas nenit 78, “Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar…”. Kjo do të thotë se të dyja ligjet në fjalë nuk janë ligje për gjendjen e jashtëzakonshme, në kuptimin e nenit 81 të Kushtetutës, germa”dh”.

Ndoshta, koha ka ardhur që ti kerkohet llogari edhe Kuvendit…Kam frike se kur te vije momenti qe Kuvendi te miratoje ANFL kete here, ai do te jete perpara dilemes nese do te duhet te shkele bashke me betimin edhe intepretimet e GJK, te cilat kane fuqi detyruese te pergjithshme dhe jane ne te njejten hierarki me Kushtetuten.