Kryekëshilltari i CDU Martin Henze: Protesta në Tiranë na tregoi që demokracia jeton. Drejtësia ka kompromentuar edhe parlamentin

628
Sigal

Drejtësia e kompromentuar në Shqipëri ka bërë që të kompromentohet edhe Parlamenti

Martin Henze, kryekëshilltari i CDU për ekonominë, rrëfen në një intervistë të detajuar për Shijak Televizion me gazetarin Basir Çollaku.

Si e shihni reagimin e qytetarëve pasi e vëzhguat këtë protestë?

Ishte një protestë që, për mendimin tim, shumë masive. Ajo që më bëri përshtypje, ishte fakti se kishte nga të tria shtresat, fëmijë, të moshuar, familjarë. Protestë e përfaqësuar nga shumë shtresa. Ishte një protestë relativisht e rregullt, me disa përjashtime të vogla, por me sa kam parë, ishte një protestë që të impresiononte.

Fakti që a pasur një përcjellje të kësaj proteste nga mediat e huaja është një lloj mesazhi që ato iu përcjellin kancelarive drejtpërdrejtë?

Për mendimin tim ishte një reaksion mjaft interesant. Këtu tregon që demokracia vazhdon të jetojë. Për të shprehur me bindje që demokracia jeton , populli duhet të kontrollojë politikat. Kështu funksionon edhe demokracia. Protesta është një mënyrë e mirë që populli të shprehë mendimin e vet demokratik. Transmetimi live ishe diçka mjaft pozitive, që edhe bota po zgjohet, dhe po tregon mjaft interes për Shqipërinë. Opozita dhe Partia Demokratike, për mendimin tim duhet të jenë krenare për mënyrën e organizimit të protestës. Një protestë e mirëorganizuar me disa përjashtime të vogla që nuk mund ta zbehin atë në përgjithësi. Ne kemi konstatuar që ndërkombëtarët nuk po i flasin vetëm një pale por të dyja palëve për të gjetur një zgjidhje. Ka disa javë që ka ndryshuar diçka në perceptimin e ndërkombëtarëve për situatën politike në Shqipëri. Nuk është më si në fillim, që partisë Demokratike ose partive liberale u tërhiqej vëmendja për lëvizjet e tyre, por tashmë kërkohet dhe synohet që i tërë spektri politik në Shqipëri, pa dallim majtas apo djathtas, duhet të gjejë një zgjidhje për situatën ku sot ndodhen.

Gjendeni pranë PD-së prej kohësh, duke ndihmuar dhe konsultuar për të bërë një program ekonomik. Cila është rëndësia e këtij projekti?

Në Shqipëri unë kam vënë re sipas statistikave dhe informacioneve që kam mbledhur prej kohësh, se ekzistojnë dy grupe: Një grup ku shumica janë të varfër dhe një pjesë e vogël në pasuri. Sa % fiks unëw nuk mund ta them, por besoj se 90-95% e shqiptarëve janë të varfër, dhe një pjesë e vogël, diku te 6% janë të pasur. Në Shqipëri, për fat të keq mungon shtresa e mesme. Programi i PD-së që ne kemi asistuar ka pikërisht këtë objektiv, që të forcojë dhe zhvillojë shtresën e mesme, sepse siç e dimë është ajo që çon ekonominë përpara. Duke u forcuar shtresa e mesme do të ketë më shumë vende pune. Njerëzit do të jetojnë me mirë, fëmijët do të shkollohen më mirë dhe ekonomia do të zhvillohet.

Ç’mendim kini për gjendjen dhe nivelin e garancisë juridike, ekonomike dhe politike në Shqipëri, veçanërisht për këtë situatë kritike?

Kjo është një pikë shumë interesante. Drejtësia në Shqipëri ka nevojë të menjëhershme për ndërhyrje. Siç e dimë, Gjykata Kushtetuese është e bllokuar, nuk është funksionale, po ashtu edhe Gjykata e Lartë dhe ky status, ky realitet është rrezik mjaft i madh për investitorët.Edhe jeta parlamentare në Shqipëri është e bllokuar, pastaj janë dhe problemet e korrupsionit, problemet e kriminalitetit dhe të tëra këto, bëjnë që investitorët të kenë frikë të afrohen në Shqipëri. Drejtësia është kryesorja dhe ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme. Në programin e PD-së ne kemi futur disa pika fiskale, të cilat ndihmojnë dhe tërheqin investitorët e huaj. Duke filluar që nga taksat, kemi marrë shembull nga Irlanda, çka ka dhënë sukses mjaft të madh atje dhe kemi menduar ta fusim dhe në programin ekonomik të PD-së. Në program kemi futur edhe pika mjaft të rëndësishme. Si për shembull: Për kompanitë dhe bizneset që operojnë në Shqipëri, ne kemi futur disa rregulla në mënyrë që të favorizojnë zhvillimin e tyre për t’i lehtësuar nga shumë politika shtrënguese që kanë qenë deri tani. Nëse ekonomia ecën mirë, edhe vendi ecën mirë. Shumë i rëndësishëm është dhe formimi profesional i të rinjve.

Ndalemi te Reforma në Drejtësi. ONM, ka shumë raste që rekomandon skualifikim subjektesh në Vetting, ndërsa komisionet nën ndikim politik i kalojnë. A kemi të bëjmë me një informacion jo të qartë të përcjellë ndërkombëtarëve?

Është një kohë goxha e madhe që Gjykata Kushtetuese nuk funksionon dhe Gjykata e Lartë është po ashtu joaktive. Duke qenë se kolona e tretë e shtetit, drejtësia, mund të quhet në këtë rast e kompromentuar, kjo ka bërë që të kompromentohet edhe kolona e dytë, pra Parlamenti, sepse siç e dimë detyra kryesore e partive të opozitës është të kontrollojë punët e qeverisë dhe Parlamentit. Në qoftë se Parlamenti miraton ligje, që për opozitën janë antikushtetuese apo me probleme, ajo duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretime. Në momentin që Gjykata Kushtetuese nuk është efikase, atëherë edhe kolona parlamentare është e kompromentuar. Jemi në situatën kur dy nga kolonat më të rëndësishme të shtetit janë të kompromentuara. Më lejoni të shtoj diçka tjetër. Kjo ishte dhe arsyeja, pse opozita mori vendimin kaq të vështirë, të lënies së mandateve, pasi opozitës i është mohuar në Parlament e drejta parlamentare. Ajo nuk ka asnjë lloj mundësie që të apelojë vendimet e qeverisë apo Parlamentit që ajo i gjykon jo të drejta ose jo kushtetuese.

Zbatimi i programit ekonomik të PD-së, për sa kohë do ta ndjejnë qytetarët shqiptarë ndryshimin?

E rëndësishme do të ishte që brenda 100-ditëshit të parë të qeverisjes së PD-së me aleatët e saj të shiheshin disa rezultat. Të shihet arka e shtetit, të bëheshin disa kontrata që shteti ka bërë, a kanë qenë të rregullta apo jo, të kontrollohen statistikat e shtetit, pra të dhënat që ofrohen nga organet shtetërore, janë të sakta apo jo. Pastaj pika e dytë është padyshim që reforma në ekonomi dhe në jetën sociale të ecë në mënyrë të strukturuar.

Basha iu drejtua ndërkombëtarëve në anglisht: Mos dëgjoni vetëm qeveritarët, por dëgjoni shqiptarët. Po fillojnë ata ta shohin ndryshe kreun e opozitës?

Populli është ai që vendos për të ardhmen e tij. Në një vend demokratik ashtu siç edhe Shqipëria është, dhe ashtu siç Evropa do që Shqipëria të jetë, padyshim që populli mund të vendosë për ndryshime dhe përmirësime, prandaj janë edhe të rëndësishme demonstratat. Mesa kam dëgjuar, programi i ri i PD-së është shumë i detajuar dhe kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë zoti Basha, i di shumë mirë pikat e nxehta të ekonomisë shqiptare, ndaj jam shumë i sigurt që ata do të bëjnë më të mirën për përmirësimin e ekonomisë shqiptare. Është për t’u parë se çfarë do të ndodhë në muajt e ardhshëm në Shqipëri. Shqipëria ka nevojë për të rinjtë e saj që të qëndrojnë këtu, dhe jo të largohen. Nëse do të kemi zgjedhje, këto zgjedhje duan disa siguri.

Si e shikoni ju dhe miqtë tuaj, a është Lulzim Basha dhe ekipi i tij gati për të qeverisur dhe për ta afruar atë me BE-në?

Partia Demokratike është një parti ,e cila është pjesë e Partive Popullore Evropiane dhe simotër e partisë CDU gjermane. Unë mendoj se po. Partia Demokratike, lideri Lulzim Basha dhe ekipi i tij janë gati për të marrë drejtimin e vendit. Por e rëndësishme është që të thellohet bashkëpunimi i PD-së me partitë simotra Evropiane. Unë mendoj që zoti Lulzim Basja, është gati, është i aftë dhe i ka të gjitha mundësitë për të thelluar këtë bashkëpunim. Me lejoni t’ju jap një shembull: Kemi eksperienca me parti autoritare, si me komunizmin ashtu edhe me fashizmin, dhe kemi marrë një mësim nga kjo: Që në Gjermani të ketë më luftë, duhet të ketë edhe një balancë sociale, “të pasur dhe te varfër”.Unë kam parë në Shqipëri njerëz shumë të motivuar, me shpirt shumë të madh, që kanë dëshirë për të punuar. E rëndësishme është që të rinjtë shqiptarë të mos e shohin si mundësi vetëm ikjen nga vendi, por edhe kthimin dhe t’i drejtojnë vetes një pyetje: “Çfarë mund të bëjmë ne për Shqipërinë dhe si mund ta bëjmë ne Shqipërinë?”Kur të vijë ky moment, unë mendoj që Shqipëria do të ketë dyert e hapura në Bashkimin Evropian.