Kryebashkiaku Erion Veliaj: Bashkia ka investuar njësoj, edhe në periferi. Vit kampion për hapjen e shkollave të reja

32

 

Në nisje të vitit të ri shkollor, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot marrjen e masave në shkollën 9-vjeçare “Bashkim Berisha” në Ndroq, e cila është rikonstruktuar me kushte më të mira për  270 nxënësit. Veliaj tha se bashkia ka mbajtur fjalën duke investuar njësoj, me të njëjtën cilësi, si në qendër, edhe në periferi. “E kemi balancuar qendrën me periferinë. Ishte mision i bashkisë për të mbajtur fjalën, për të thënë se siç investojmë në ish- Bllok, investojmë edhe këtu në Ndroq, edhe në Vaqarr, edhe në Pezë, edhe në Farkë, në të gjitha periferitë e Tiranës. Më vjen mirë që shkolla e Ndroqit, “Bashkim Berisha”, ka një mjedis të rinovuar, me ambiente të dyfishuara dhe një staf pedagogjik fantastik”, -deklaroi  Veliaj dhe shtoi se diferenca mes administratës së mëparshme, e cila nuk bëri asnjë shkollë, dhe të sotmes, është e qartë. “Pavarësisht se si do shkruhet historia e qytetit, diferenca mes nesh dhe atyre që ishin përpara është e qartë: Ne kemi ndërtuar shkolla, shkolla, shkolla, sepse investimi tek e ardhmja është investimi më i sigurt. Më shumë se sa të investohemi në asfalt, për të cilin do ketë gjithmonë nevojë, parapëlqejmë të themi se çerdhet, kopshtet, shkollat duhet të jenë model. Po u rrit gjenerata e çunave dhe gocave të Tiranës me këtë cilësi, me edukatë, mirësjellje, me solidaritet, me aftësi, qoftë për gjuhë të huaja, qoftë për matematikë, fizikë apo shkenca, atëherë sigurisht që ky qytet ka të ardhme”, -tha kryebashkiaku Veliaj.