Krerët e partive të vogla, takim të përbashkët në Durrës, flasin për rezultatet

539
Partitë e vogla, disa prej të cilave janë sot aleate të partisë Demokratike, kanë zhvilluar një takim të përbashkët në qytetin e Durrësit. Lajmin e bënë të ditur kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka. Në një postim të shkurtër të tij në faqen sociale Facebook, Duka shprehet se ka zhvilluar një takim me Dashamir Shehin, kreun e LZHK-së, Bamir Topin, kryetarin e FRD-së, Ben Blushin, Nard Ndokën dhe Vangjel Dulen. Gjatë këtij takimi të përbashkët të gjithë drejtuesit e partive të vogla aleate me njëra-tjetrën, kanë bërë një bilanc për vitin 2017, rezultatet e arritura në zgjedhjet e 25 qershorit. Është folur për reformën zgjedhore, e cila prek direkt partitë e vogla. Mësohet se pjesë e diskutimeve kanë qenë edhe zhvillimet e fundit në vend, të dirigjuara nga partitë e mëdha politike. Ndërkohë që reforma në drejtësi ka zënë gjithashtu një vend të posaçëm në këto bisedime. Në thelb, sipas asaj që është diskutuar, ka rezultuar se partitë e vogla janë penalizuar nga partitë e mëdha në zgjedhjet e fundit, ndërkohë që ata kanë vendosur të kërkojnë më shumë të drejtën e tyre, kur bëhet fjalë për sistemin zgjedhor, një sistem i cili penalizon të gjitha partitë e vogla. Në postimin e tij, Duka shprehet se përveç vitit 2017, kanë folur edhe për atë që i pret në vitin 2018. “Sot në Durrës pata kënaqësinë të kisha Dashin, Bamirin, Benin, Nardin dhe Vangjelin për një bilanc të vitit që po mbyllet, por folëm edhe për çfarë na pret në 2018.”, shkruan shkurt Duka në postimin e tij. Nga ana tjetër të gjithë aleatët kanë folur për punët brenda partive të tyre dhe për rezultatet që duhet të arrijnë, për të qenë pjesë e bashkëqeverisjes. Nga të gjithë aleatët që kanë zhvilluar takimin në Durrës, vetëm Dashamir Shehi dhe Nard Ndoka, janë tashmë në Kuvend. Këta të fundit, bënë një marrëveshje me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe u futën në listën fituese për deputet. Por jo pak herë, si Ndoka dhe Shehi, kanë qenë kritikë me veprimet e Bashës. 
Sigal