Komisioni i Venecias rrëzon grushtin e shtetit

436
Sigal

Zbardhet opinion paraprak i Venecias: Presidenti i Republikës ka vepruar sipas gërmës dhe logjikës së Kushtetutës dhe në këtë mënyrë nuk ka vend për shkarkimin e tij. Komisioni konstaton se veprimet e KED janë të dyshimta dhe antikushtetuese. Reagon Taulan Balla, numri dy i PS: Të pakënaqur ndaj atyre që publikuan raportin konfidencial. Do flasim në fund

Presidenti  Meta ka vepruar sipas Kushtetutës, KED ka vepruar në mënyrë antikushtetuese

Komisioni i Venecias iu ka vendosur palëve disa afate para publikimit te opinionit. Sipas Komisionit të Venecias, mësohet se data 13 mars është afati për autoritetet që të dorëzojnë komentet e tyre përfundimtare për çështjen e emërimit të anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu mësohet se para datës 19 mars duhet bërë përgatitja nga raportuesit për një version të rishikuar. Ndërkohë mësohet se data 20 mars ora 12:00 është afati për komente finale, anëtarët zëvendësues mund të komentojnë në vend të anëtarëve. Nëse nuk ka asnjë koment deri më datë 20 mars, opinioni është miratuar. Nëse deri më 20 mars ora 17:00 komentet janë marrë dhe bëhet qarkullimi nga presidenti në emër të raportuesve mbi propozimet finale për amendamente dhe kërkesa nga presidenti për një marrëveshje finale nga anëtarët. Raporti përfundimtar do të publikohet në 22 mars. Në fundjavë pritet të mbërrijë opinioni paraprak i Komisionit të Venecias për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Por para mbërritjes së tyre është mësuar një pjesë e përfundimeve të tyre. Burime nga Strasburgu bëjnë me dije se në opinionin paraprak Komisioni i Venecias konstaton se mënyra e veprimit të KED është  e dyshimtë dhe se ligji për ndryshimin e betimit tek Presidenti është antikushtetues. Venecia vlerëson se  Presidenti Meta ka vepruar sipas gërmës dhe logjikës kushtetuese. Venecia konstaton se nuk ka bazë për shkarkimin e Presidentit, pasi veprimet e tij kanë qenë në përputhje me interpretimin e arsyeshëm të Kushtetutës. Duke qenë se presidenti ka vepruar në përputhje me Kushtetutën nuk ka vend për shkarkimin e tij”, thuhet në paragrafin 104 të draft opinionit të Komisionit të Venecias. Por zyrtarisht dhe në detaje, Kuvendi dhe Presidenti Ilir Meta do të njihen në fundjave me dokumentin e hartuar nga zyrtarët e Komisionit, të cilët pritet t’i japin zgjidhje debatit për Kushtetuesen mes Kreut të Shtetit dhe mazhorancës. Kjo e fundit ka kërkuar opinion mbi faktin nëse Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën duke mos thirrur për betim Arta Vorpsin  dhe nëse zgjedhja e Marsida Xhaferllarit ka qenë përtej afateve të përcaktuara në Kushtetutë. Ndërkohë Presidenti në një arsyetim të gjatë ka kërkuar që Venecia të njihet me “puçin” kushtetues, siç e quan ai, ndërmjet Parlamentit dhe KED. Ai kërkoi një opinion nëse Ardian Dvorani nuk ka respektuar rendin kronologjik President-Parlament-Gjykatë e Lartë për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Pas opinionin paraprak, në fund të marsit do të ketë edhe dokumentin përfundimtar për t’u interpretuar nga palët e përfshira në këtë proces. Dekreti i Presidentit Meta për emërimet në Kushtetuese është objekt i punës i komisionit hetimor, i cili ka afat deri me 8 Prill. Por edhe nëse mazhoranca do të vendosë për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta, do të duhet verdikti final i Gjykatës Kushtetuese, e cila në këto momente nuk ka kuorumin për të marrë vendim për këtë çështje.

Opinioni i Komisionit të Venecias

Komisioni i Venecias konstaton se mënyra e veprimit të KED të përfaqësuar nga kreu i saj Dvorani është e dyshimtë. Ai i ka dhënë një goditje edhe shumicës parlamentare duke arritur në përfundimin se ligji për ndryshimin e betimit tek Presidenti është antikushtetues. Sipas Komisionit të Venecias, Presidenti Ilir Meta ka vepruar sipas gërmës dhe logjikës kushtetuese. Nga ana tjetër, Venecia konstaton se nuk ka bazë për shkarkimin e Presidentit, pasi veprimet e tij kanë qenë në përputhje me interpretimin e arsyeshëm të Kushtetutës. Duke qenë se presidenti ka vepruar në përputhje me Kushtetutën nuk ka vend për shkarkimin e tij”, thuhet në paragrafin 104 të draft opinionit të Komisionit të Venecias