Komisioni i Venecias nis misionin faktmbledhës për Kodin Zgjedhor, ja kur do të jepet opinioni

256
Sigal

Komisioni i Venecias ka nisur nga punë për mbledhjen e të dhënave mes palëve të përfshira në lidhje me çështjen e kërkesës për opinion që çoi Presidenti Meta për ndryshimin e Kodit Zgjedhor në 5 tetor.

Ekspertët e Komisionit nisën marrjen e të dhënave në takime me grupet e interesit.

Fillimisht, ditën e hënë ekspertët e Komisionit të Venecia komunikuan me përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhje, Kuvendit dhe Presidentit Meta.

Ndërkohë, ditën e djeshme, përmes platformave online, ekspertët e Venecias komunikuan me përfaqësuesit e Partisë Demokratike. Në këtë takim, mësohet se ka qenë i pranishëm edhe kryedemokrati Lulzim Basha.

Gjatë takimit në platformat online mes ekspertëve të Komisionit të Venecias dhe atyre të opozitës, këta të fundit kanë mbrojtur qëndrimin se ndryshimet e bëra në 5 tetor ishin të njëanshme dhe kanë pasur qëllim vetëm prishjen e standardit të zgjedhjeve nga maxhoranca.

“Mbështesim plotësisht kërkesën parimore të Presidentit të Republikës, drejtuar Komisionit të Venecias, si një kërkesë e cila mbështetet vetëm mbi Kushtetutën dhe mbi principin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Jemi të palëkundur në pozicionin për zgjedhje me standarde të larta, ndryshime konsensuale dhe jo të njëanshme, ashtu sikurse ishte marrëveshja e 5 qershorit, si mundësia e vetme për të nxjerrë vendin nga kriza e rëndë politiko-shoqëroreekonomike dhe gjithë pluralizmit”, mësohet të ketë qenë qëndrimi i përfaqësuesve të opozitës në takim.

Pas përfundimit të këtij misioni faktmbledhës që këtë herë për shkak të pandemisë së COVID-19 bëhet online, Komisioni i Venecias do të mblidhet për të formuluar një opinion në lidhje me çështjen që i ka shtruar Presidenti Meta.

Edhe pse kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta, në kërkesën e tij e kishte specifikuar se dëshironte që të ishte një opinion urgjent, nisur nga koha por edhe çështja, Komisioni i Venecias e pranoi atë me procedurë normale.

Seanca e planifikuar nga Komisioni i Venecias për të dhënë një opinion në lidhje me ndryshimet e Kodit Zgjedhor që u votuan në 5 tetor pritet të jepet mes datave 11 dhe 12 dhjetor.

Ky do të jetë opinioni i tretë që Komisioni i Venecias do të japë për çështje të ndryshme mbi të cilat palët politike në Shqipëri kanë përplasje. Edhe më herët Komisioni i Venecias është shprehur për përplasjet mes Presidentit dhe maxhorancës.