Kodi që bën horrat fisnikë

485
Sigal

Flasin Nard Ndoka dhe Petro Koçi: Politikanët ruheshin nga bisnesmenët e listave, por tani mund hyjnë në lojë trafikantët

Zgjedhjet e 23 qershorit treguan se në Shqipëri, Sudja dhe Xhaferri që krijuan skemat piramidale të fajdeve, sot janë zëvendësuar nga Kodi Zgjedhor i cili prodhon deputetë piramidalë. Kjo ndodh sepse disa parti, kanë nxjerrë nga një deputet, me 6 mijë vota, ndërsa disa të tjera, kanë arritur të marrin nga 10-11 vota, por nuk kanë asnjë përfaësues në Kuvend. Jo vetëm kaq, por diferenca midis këtyre partive rritet periodikisht edhe për faktin se partitë parlamentare përveçse arritën të marrin nga një deputet, ata do të përfitojnë edhe nga një post ministror, apo nga tre -katër zëvendësministra. Ndërsa të tjerët, sipas marrëveshjes paraprake, do të mund të marrin vetëm ndonjë drejtior drejtorie, apo në rastin më ëtë mirë ndonjë zëvendësministër.

Realiteti i votave

Në Shqipëri sipas statistikave të Komisioniit Qendror, kanë votaur 1.744. 262 votues, ndërsa në kutitë e votimit janë gjetur 1.742.520 fletë votimi. Kështu, rreth dy mijë fletë votimi janë zhdukur në mënyrë misterioze. Në këtë mënyrë, që këtu nis handikapi i parë i zgjedhjeve të 23 qershorit, por thelbi i difektit të tyre që konsiderohet shumë i rëndë është problemi i Kodit Zgjedhor. Në bazë të këtij Kodi, janë krijuar deputetë informalë, që burojnë nga manovrimet partiake. Sepse sipas këtij Kodi, një parti që merr 6,300 ose 6.500 vota, në një qark të vetëm vlerësohet më tepër se ajo parti që merr rreth 10-11 mijë vota në të gjitha qarqet. Dhe këtu krijohen vetvetiu piramida deputetësh, të cilët janë futur afrofe në Parlament. Disa vite më parë, për këtë arsye disa liderë të LSI-së, PDK, PSV-91-shit, etj, kanë hyrë në grevë urie për të ndryshuar kodin, por kjo grevë pasi ka sensibilizuar gjithë opinionin publik, më në fund është mbyllur pa ndonjë sukses konkret.

Numri i votave

Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, e drejtuar nga Vangjel Dule ka marrë në total 11.973, ndërsa PSV- 91 e Petro Koçit,  6.113, dhe Partia Demokracia Sociale e Milos 11.522 vota, ndërsa Partia Socialdemokrate e Gjinushit, ka marrë 10.098, vota. Midis të tjerave Partia Kristian Demokrate, e drejtuar nga Mark Frroku, ka marrë reth 10 mijë vota, Ashtu siç bie në sy nga ky bilanc i thjeshtë votash, prej këtyre partive më  shumë vota i kanë marrë Milo e Gjinushi, ndërsa kur vjen puna te deputetët, llogaria bëhet ndryshe,. Sepse atje fiton ajo parti, që merr më shumë vota në një qark të vetëm. Dhe këtë e ka bërë Partia Kristian Demokrate, e cila ka marrë rreth 6.200 vota në qarkun e Shkodrës, duke përfituar një deputet dhe një ministër, pa llogaritur këtu resurset e tjera, që do të përfitojë. Ndërsa, Milo me 11.973 vota nuk përfiton asgjë, ndërkohë, që edhe Gjinushi, apo Koçi duket se kanë punuar për PS-në dhe aleatët e tjerë të Ramës, duke ua kaluar atyre votat e veta. Në fakt, Gjinushit e Milos u takon nga një post ministror, sepse ata kanë më shumë prurje votash në thesin e koalicionit, se sa të tjerët. E njëjta gjë si Partia Kristian Demokrate, ka ndodhur edhe me PBDNJ-në, ku Dule ka marrë në Vlorë 6.323 vota, ose 5.21 për qind të totalit të tyre. Por këtu Dule ka arritur të marrë një deputet duke përfituar edhe një ministër, apo të gjitha resurset e mëvonshme të qeverisjes. Kjo nuk është e drejtë, sepse Vlora ka gjithsej, afro, 123 mijë votues dhe ka gjithsej 12 deputetë. Sipas llogarive i bie që për një deputetë të Vlorës duhet të kërkohen rreth 11,330 vota. Por Dule ka arritur të përfitojë vetëm me gjysmën e tyre, pra me 6323 vota, për të marrë deputetin e vet, sepse rreth 4 mijë vota, i kanë marrë nga PS-ja, ose nga aleatët e tjerë të PS-së.

Ndërkaq, në bazë të këtij Kodi Zgjedhor kanë shkuar dëm, të gjitha votat e partive aleate që kanë mundur të marrin 3500-4000 vota. Ato vota të marra me mundim, tani nuk u hyjnë në punë atyre, por ato futen në thesin e madh të koalicionit të majtë. Nga ana e vet LSI e ka marrë një mandat në Vlorë me 10.571 votues, ose me 4 mijë e 200 vota më shumë se sa e mori PBDNJ-ja.

Përfundimi

Kodi duhet të ndryshohet menjëherë për t’i dhënë çdo partie atë që meriton dhe për të pasur një parlament përfaqësues, i cili përveç të tjerave të shmangë trafikantët. Gjithashtu, meqënëse tani deputetët e një partie fitojnë me listë dhe jo me meritën e tyre, atëherë duhet caktuar një klauzolë që ata deputetë të cilët largohen nga grupi parlamentar, të zëvendësohen prej personit pasardhës të listës. Dhe jo, që deputeti të dalë i pavarur, apo të bashkohet me kundërshtarin, sepse votat ai i ka marrë nga një target-grup i caktuar i shoqërisë shqiptare. Si përfundim duhet thënë se këtë radhë, ky Kod Zgjedhor shpalosi plasaritje të thella në thellësinë e vet, duke nxjerrë disa deputetë informalë, apo  piramidalë, si edhe duke i transformuar fisnikët në horra dhe horrat në fisnikë.

 Nard Ndoka: Njerëzit problematikë futen nga listat

Ky kod është shumë problematik dhe mendoj se duhet të dalë menjëherë, nga skena. Natyrisht, që nuk është e lehtë, por dy partitë e mëdha dhe deputetët e Kuvendit, duhet të mblidhen për të ndryshuar urgjentisht, Kodin Zgjedhor. Kjo duhet bërë, sepse me kodin aktual nuk mund të presim më zgjedhje të drejta, të ndershme dhe me rezulatat të vërtetë që të përfaqësojë partitë politike. Sepse ne e pranuam Kodin për të nxjerrë nga politika njerëzit problematikë, por ata përsëri mund të hyjnë në Kuvend, nëpërmjet listave të partive. Prandaj, asgjë nuk mund të shmanget, por e keqja që buron nga ky kod, do të keqësohet edhe më shumë, nëse ai nuk ndërrohet.

 Petro Koçi: Po afrohen trafikantët

E kemi thënë disa herë dhe jemi të detyruar ta përsërisim, se ky Kod Zgjedhor nxit krahinarizmin dhe nuk shpreh përfaqësimin siç duhet të partive politike, në Kuvend. Gjithashtu, ky kod ka krijuar një përshtypje jo të drejtë për partitë që i japin tonin politikës në të gjithë vendin dhe atyre që arrijnë të fitojnë disa vota brenda një qarku të caktuar. Në fakt, ne po ruheshim deri dje, nga rreziku se po largoheshin politikanët dhe po afroheshin bisnesmenët, por ky kod, rrezikon të fusë në lojën politike edhe trafikantët. Dhe kjo përbën një rrezik konkret për politikën e ardhshme.