Koalicionet parazgjedhore, vija e kuqe e ndryshimeve kushtetuese

297

Vazhdojnë përplasjet PS-Opozitë për Marrëveshjen e 5 qershorit. Ambasadorja franceze bën apel për miratimin e “Zgjedhores”

Sigal

Jakup B. GJOÇA

Fundjava, përveç temperaturave të shënuar me vijë të kuqe, solli edhe rritjen e tensioneve politike midis mazhorancës dhe Opozitës së Bashkuar, meqë 30 korriku i ka ditët e numëruara. Damian Gjiknuri, e bëri edhe një herë të qartë, se mazhoranca dhe kryeministri Rama nuk do të lejojnë koalicione parazgjedhore në Kodin e ri Zgjedhor, meqë e dinë shumë mirë, se një koalicion parazgjedhor i së Djathtës është më shumë pranë një fitoreje elektorale. Keqqeverisja, skandalet e panumërta të korrupsionit me PPP-ë dhe tenderë, inkriminimi,  kanë zhgënjyer edhe socialistët e thjeshtë, të cilët tashmë, pas 7 vitesh, i kanë kthyer shpinën kryeministrit Rama, i cili, meqë ka kartonët në Parlament, përpiqet që me ndryshime kushtetuese, të hartojë një Kod Zgjedhor, që t’i japë mundësi, që PS-ja të fitojë sa më shumë mandate, e më vonë, duke përdorur dredhitë e shitblerjes  së mandateve të deputetëve, të ketë mundësi për një mandat të tretë qeverisës. Mirëpo, Opozita e Bashkuar, duke patuar aleat marrëveshjen e 5 qershorit të dakordësuar, si edhe ndërkombëtarët, që bëjnë apel, që çdo ndryshim në Marrëveshjen e 5 qershorit të bëhet vetëm me konsensus, e jo me forcën e kartonëve në parlament, kanë hedhur poshtë çdo argument për ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Mazhoranca insiston në hapjen 2/3 e listave, ndërsa opozita ka dalë me propozimin për 100% të tyre.