Lazio “shfryn” ndaj Veronës, Immobile barazon Lewandowskin

314
Sigal

Lazio siguroi fitoren e dytë radhazi në Serinë A, por shumë vonë për t’i prishur festën e titullit të nëntë radhazi të Juventusit. Skuadra bardhekaltër triumfoi 1-5 në fushën e Veronës, por ç’është më e rëndësishmja çoi tri herë te goli Ciro Immobilen, që shkon në kuotën e 34 finalizimeve në krye të listës së golashënuesve të Serisë A, duke barazuar Robert Lewandowskin në garën për Këpucën e Artë në Europë.

Sulmuesi 30-vjeçar i Lazios shënoi golin e rezultatit të përkohshëm 1-1 me penallti, në minutën e pestë shtesë të pjesë së parë, teksa Verona kishte kaluar në epërsi në të 38-tën me Amrabat po me 11-metërsh. Gjatë fraksionit të dytë lazialët realizuan edhe katër gola të tjerë me Milinkovic-Savic, Correan e sërish Immobilen (dy here) në fundit e takimit (atë të 5-1 sërish me 11-metërsh).

Roma fitoi 2-1 më Fiorentinën në “Olimpico” me gola të Veretout dhe Edin Dzekos (11-metërsh), ndërsa për skuadrën vjollcë realizoi golin e barazimit të përkohshëm Milenkovic.

Torino barazoi 1-1 në fushën e SPAL-it, ndërsa Udinese fitoi 0-1 në transfertën e Cagliarit.