KLD ndryshon fytyrën e gjykatave

650
Sigal

Këshilli i Lartë i Drejtësisë emëroi 8 magjistratë të rinj. Fatri Islamaj, Kryetar i Gjykatës së Tiranës

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka miratuar emërimin e tetë magjistratëve të rinj, tre prej të cilëve do të punojnë në Gjirokastër ndërsa pjesa tjetër në Tiranë, Vlorë, etj. Sipas vendimit të KLD-së Olkeda Lice është emëruar gjyqtare në Tiranë, Sokol Shehu, Vlorë, Matilda Llangozi, Shkodër, Lutfie Celami në Krujë, Rudina Pallo në Korçë, Edvan Vecani, Gilda Llambaj dhe Erion Çelaj në Gjirokastër.

Fatri Islamaj zgjidhet Kryetar i Gjykatës së Tiranës

Këshilli i Lartë i Drejtësisë zgjodhi dje në unanimitet Fatri Islamajn si kryetar të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Vendimmarrja e Këshillit u bazua në vlerësimin e punës dhe integritetin e lartë të gjyqtarit Islamaj, por edhe në ndryshimet pozitive të konstatuara në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë gjatë periudhës kohore që Islamaj ushtroi funksionin e kryetarit në detyrë. Këshilli gjithashtu miratoi grafikun e analizave vjetore në gjykatat e rretheve gjyqësore dhe të apelit, duke theksuar domosdoshmërinë e zhvillimit të këtyre analizave në prezencë të anëtarëve të KLD me qëllim evidentimin e problematikave në gjykata dhe trajtimin e tyre me seriozitet në mbledhjet plenare. Duke e konsideruar ngritjen profesionale të gjyqtarëve një çështje të rëndësishme me impakt të drejtpërdrejtë në dhënien e drejtësisë, Këshilli trajtoi si pikë të veçantë të rendit të ditës trajnimin e vazhdueshëm të gjyqtarëve, me fokus tematikat e seminareve të organizuara dhe përzgjedhja e lektorëve. Mbledhja e Këshillit vijoi me emërimin e Kryeinspektorit pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Marsida Xhaferllari, duke vlerësuar integritetin, rezultatet e saj si magjistrate, por dhe eksperiencën e gjatë dhe të suksesshme në funksionet drejtuese të administratës shtetërore. Ilir Mustafaj u zgjodh me unanimitet si përfaqësues i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Komisionin Administrues të Testimit kualifikues për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë dhe Apelit. Në lidhje me procedimin disiplinor të gjyqtarëve, u vendos rrëzimi i kërkesës së Ministrit të Drejtësisë për dhënien e masës disiplinore ‘vërejte’ ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Dhurata Bilo, si dhe shtyrja e shqyrtimit të 4 (katër) kërkesave të tjera për procedim. Këshilli vendosi të shtyjë datën e zhvillimit të testimit seleksionues në gjykatat administrative, deri në një vendimmarrje të dytë brenda datës 15 shkurt 2013.