ACT NOW, kundër grabitjes së HEC-ve

442
Sigal

Punonjësit e HEC-it, Ulëz protestojnë për privatizimin: “Kemi derdhur gjak për ta ndërtuar”

Punonjësit e Hidrocentralit të Ulzës zhvilluar dje   një protestë për të kundërshtuar privatizimin e tij. Në mbështetje të punonjësve të këtij Hidrocentrali ishin edhe Federata e Industrisë dhe Energjetikës, Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Qemal Minxhozi si dhe banorë të zonës. Në këtë protestë u kërkua ndalja e menjëhershme e privatizimit të këtij hidrocentrali, pasi me punën në të jetojnë më shumë se 800 banorë të rrethit të Matit e më gjerë. Në fjalën e tij, Kreu i Federatës së Industrisë dhe Energjetikës, Taf  Koleci, shprehu vendosmërinë e mbështetjes së punonjësve të këtij HEC-i për ndaljen e privatizimit në mënyrë që 800 familje që ushqehen nga ky hidrocentral të mos mbesin në mëshirë të fatit. “Çdo iniciativë që do të merret nga ana juaj do të mbështet fuqimisht nga ana jonë”, është shprehur Koleci. Vetë punonjësit i kanë bërë thirrje qeverisë shqiptare që ta ndërpresin sa më parë procesin e privatizimit, pasi prej dekadash jeta e tyre është varur pikërisht nga ky hidrocentral. “Ky vend këtu është la me gjak. Ndre Elezi, Ndrec Gjergji, Etem Uka, Gjon Nika me 7-8 vetë të tjerë, vdiqën për të ndërtuar këtë Hidrocentral. Nuk mund të shitet kështu”, është shprehur njëri prej punëtorëve. Ndërkohë që një tjetër përmendi faktin se kishte kontribuar për PD-në duke qenë anëtar i saj, por tani rrezikonte të mbeste pa punë: “I bëj thirrje zotit Berisha. Unë jam ndër anëtarët e parë të PD-së, që kam kontribuar. Kujtova se do fitojmë dhe do shpëtojmë. Por ja ku jemi sot. I bëj thirrje t’i vejë gishtin kokës se ky Hidrocentral do mbrohet me gjak”.  Edhe më e ashpër ka qenë një tjetër punonjëse prej vitesh e këtij hidrocentrali. “Unë për vete jam në punë. Ne qoftë se dal nga puna, ja po i them edhe Policisë së Shtetit, le të më vrasi që tani, sepse unë dua të rris fëmijët. Kam fëmijë në shkollë, paguaj bursë, paguaj rrobat, paguaj për të ngrënë e për të pirë dhe nuk ja dal dot. Ju lutem vini dorë për këtë popull”, ka thënë me ton të ashpër kjo punonjëse.

Kol Nikolla në “Telegraf”

Kryetari i Konfederatës të Sindikatave, Kol Nikolla, në një prononcim për “Telegraf”, duke  shpjeguar përse punëtorët e HEC-it të Ulzës protestojnë kundër privatizimit, thotë: “Konfederata dhe sindikatat tona i kanë filluar protestat që në qershor, kundër privatizimeve të HEC-ve,  mirëpo qeveria dhe Kryeministri është treguar indiferente, ministri Haxhinasto dhe zv/ministri Dervishaj nuk donin as të na dëgjonin dhe kurrë askush nuk na ktheu edhe  përgjigje. Dhe sot, qeveria dhe ministri Haxhinasto dhe zv/ministri Dervishaj, arritën që të shesin HEC-et në një vlerë më pak se 1/3 e vlerës të tregut sot.  Dhe kjo vlerë e ulët e shitjes të HEC-ve shpjegohet se HEC-et e tjera kanë vlerë të njëjtë me HEC-in e Lanabregasit, investimet e bëra kanë përfunduar ciklin e rikonstruksioneve e janë të garantuara për 30 vjet. Kështu që rentabiliteti i tyre është maksimal. Nga ana tjetër, kreditë që janë marrë, me afat të gjatë, nga KESH-i nuk janë përllogaritur fare në vlerën e shitjes, dhe këto kredi do t’i paguajë shteti dhe taksapaguesit shqiptarë. Pasi edhe konsulentët e shtetit, BE dhe BERZH, ishin  më shumë të interesuara që HEC-et të shiteshin, pavarësisht çmimit të ulët. Ministri Haxhinasto dhe zv/ministri Dervishaj do të përgjigjen penalisht për këtë privatizim, që mban erë korrupsioni, pasi është e paligjshme që të privatizohen HEC-et me 1/3 e vlerës, kur ato janë në rentabilitet të plotë”.Pajtim Bello, ish-zv/ministër iMETE-s, thotë se, shteti dhe populli do të kenë një humbje vjetore prej 30 milionë euro nga privatizimi i 4 HEC-ve: “ Shteti pas 44 muajve do të paguajnë një humbje prej 30 milionë euro në vit, vetëm e vetëm pse sot shesim 4 HEC-et. Për vite me radhë kjo shumë do të jetë qindra e miliarda euro”.