Kim Mehmeti: Aty ku qeveritarët e hanë shtetin, shtetasit hanë kokën e njëri- tjetrit!

313
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Velipoja është e bukur. Dhe si askund tjetër, aty deti frymon shqiptarçe, me frymën e pushuesve të ardhur nga gjitha trojet shqiptare.

Por Velipoja e sotme është e zymtë dhe e trishtë, sepse në orët e para të së dielës, aty u vranë katër veta. Katër veta, që kurrë më nuk do i gëzohen as bukurisë së Velipojës, as ardhjes së verës.

E katër veta janë shumë edhe për rrethana lufte, e jo më për një sezon turistik. Dhe mbase sot do flitej për pesë viktima në Velipojë, nëse çdo gjë do varej nga ndihma e shpejtë e këtushme dhe, nëse nuk do ishte një mjek pushues nga Kosova, i cili ia shpëtoi jetën kosovarit  të ri, që i humbi ndjenjat, duke u futur në ujë.

Po, në Shqipëri më shpesh ndodhin vrasje, se dasma si dhe, në mëmëdhe, më shpesh marrin jetë veturat luksoze të drejtuara nga fëmijët e pasanikëve, se sa që bëhen fejesa.

Dhe ku ta dish, mbase edhe nuk ka si të jetë ndryshe në një shtet, ku kryeministri uron ‘që ata t’ia hanë kokën njëri- tjetrit’. Në një shtet pra, ku populli nuk e kupton se, aty ku qeveritarët e hanë shtetin, shtetasit ndjehen të pambrojtur dhe andaj, i shkrepin armët dhe ia hanë kokën njëri- tjetrit.

Po pra, Velipoja është e bukur, siç janë të bukura të gjitha viset tjera të Shqipërisë. Por ka diçka që këtë bukuri e bënë të trishtë: e vërteta se në mëmëdheun tone, çdo gjë tjetër vlen e çmohet më shumë se jeta e njeriut! Si dhe e vërteta se qytetari i pambrojtur i Shqipërisë, mbytet në baltën, që e ngjesh hajdutëria qeveritare dhe krimi i organizuar.