Kërcasin prangat/Arben Ahmetaj prej 6 orësh në SPAK. Nën hetim për korrupsion, pastrim parash.Ja skandali me inceneratorin e Elbasnit

100
Sigal

Ish-ministri i dikurshëm i Financave dhe njëherësh ish-zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj prej 6 orësh qëndroi në Prokurorinë Speciale kundër Korrupsionit. Ndërsa doli nga SPAK ai refuzoi t’u jepte përgjigje mediave ndonëse u tha disa herë vetëm fjalën “faleminderit” gazetarëve, ndërsa u shpreh se kishte folur vetëm për të sqaruar pozicionin e tij përballë prokurorëve. “Sqarova pozicionin tim dhe do të vij sa herë të duhet”–  tha Ahmetaj. Ahmetaj është nën hetim nga SPAK për  akuza të rënda: shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe pastrimit të parave, duke bashkuar kështu procedimin për inceneratorët dhe atë të regjistruar pas kallëzimit për vilën në Hamallaj. Mësohet se SPAK ka bashkuar dy procedime ndarjen e fraksionit për inceneratorin e Elbasanit ku po hetohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion dhe pastrim parash pas kallëzimit qe i është bërë për vilën në Hamallaj. Pak kohë më parë se Arben Ahmetaj i cilësoi të paligjshme kontrollet që janë bërë nga Byroja Kombëtare e Hetimit e SPAK në vilat në pronësi të bashkëjetueses së tij dhe ish gruas. Ahmetaj përmes një ankimi në GJKKO-në e Apelit tha se e para kontrolli në një prej vilave minimalisht është anti kushtetues pasi nuk është marrë leje nga Kuvendi duke qenë se ai është deputet dhe jeton aty. Sipas Ahmetaj njëkohësisht bashkëjetuesja nuk është informuar paraprakisht për të pasur praninë e një mbrojtësi ligjor. Kujtojmë se SPAK po heton ish ministrin Arben Ahmetaj në kuadër të procedimit 277/1. Ky procedim është një fraksion hetimor për çështjen e inceneratorëve. Në kuadër të hetimeve, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zbarkuar për kontroll në disa nga pasuritë në emër të bashkëshortes së Arben Ahmetaj, Albina Mançka dhe të bashkëjetueses Erjola Hoxha. Gjatë kontrollit tek vila në zonën e Hamallajt, u sekuestruan 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh. Ndërkohë në shtëpinë e ish-bashkëshortes u sekuestruan vetëm disa dokumente. Së bashku me dokumentacionin e ndërtimit të objekteve SPAK ka sekuestruar edhe dokumentacionin për arredimin e të gjitha këtyre pronave. Identifikimi i pronave fizike e veçanërisht vilave, si dhe marrja e informacionit të dhënave dokumentare që provojnë shumën e investuar si në ndërtimin ashtu edhe të arredimit të tyre nga Ahmetaj dhe familjaret e tij, që përbën një provë që ish-ministri po hetohet për pastrim parash.

Pronat e përmendura

Vilë e Albina Manckas, në zonën e RollingHills (Vila A00)
“Vila 22” në Valamar, në ngarkim të Erjola Hoxhës (BuildingDesign Vila Vale Mar 0765).
Apartamenti në Kompleksin “Valamar”, InteriorDesign. porositur nga Erjola Hoxha.
Vilë Nr. 73 GreenCoast (InteriorDesigh 1037.
Banesë e AlbinaManckës në pallatin “Tuborg”, në zonën e Bllokut.

Inceneratori i Elbasanit, shtyhet seanca./ Mbrojtja e të pandehurve kërkon më shumë kohë

Avokatët mbrojtës kërkuan edhe më shumë kohë për mbrojtjen e klientëve të tyre. Ka qënë kjo arsyeja që duket ka qënë shkak për të shtyrë seancën gjyqësore që ishte parashikuar për t’u zhvilluar gjatë së enjtes. Në këtë gjykatë u bë vetëm mbrojtja e Jonida Zeqo. Ka qënë avokati Sajmir Visha, i cili kërkoi pushimin e çështjes, pasi kjo çështje është gjykuar njëherë nga prokuroria e Elbasanit dhe SPAK nuk është organ më i lartë se prokuroria e Elbasanit. Avokati kërkoi që nëse ajo shpallet e fajshme nga gjykata, atëherë të kalojë në shërbim prove. Sot Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë sërish seancën ndaj të pandehurve për aferën e inceneratorit të Elbasanit me kërkesë të mbrojtjes. Të pandehurit e tjerë kanë kërkuar kohë që të përgatisin mbrojtjen. Ndërkohë seanca e rradhës u caktua për në datën 6 korrik. Prokuroria Speciale në pretencën që ka ndaj të akuzuarve ka kërkuar respektivisht për:
Lefter Koka 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Alqi Bllako 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Mirel Mërtiri 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Stela Gugallaj 7 vite burg (4 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Klodjan Zoto 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Pëllumb Abeshi 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Jonida Zeqo 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Më herët SPAK provoi se procedura e dhënies së koncensionit dhe në lidhjen e kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, nuk ka kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e konçensionit, duke shkelur kështu ligjet për koncesionet dhe prokurimet publike. Gjithashtu SPAK tha se nga hetimet është provuar fakti se nuk është zbatuar procedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e procedurës që është përdorur për dhënien e koncensionit, në kundërshtim me dokumentet standarde të tenderit të zbatueshme për koncensionet, në kundërshtim edhe me sugjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Prokurimit Publik.  Personazhi më i rëndësishëm i këtij hetimi Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, për SPAK ka përfituar rreth mbi 308 mln lekë nga shuma monetare që janë paguar nga shoqëritë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k.