Kastriot Islami: Rama e bëri Shqipërinë “Delja e zezë” e BE

Rritja me 8-10 herë e infektimeve dhe vdekjeve

Rama e katandisi Shqipërinë  “Delja e zezë” e Europës

Sigal

Prof. Dr. Kastriot Islami

Për shkak të paaftësisë në menaxhim e keqmenaxhimit apo marifeteve me shifrat, Shqipëria duket  e infektuar disa herë më shumë se një muaj më parë, por edhe numri i vdekjeve nga koronavirusi  ka pësuar rritje me mbi 10 herë. Duke qenë ndërkohë e zhytur  thellë në një krizë ekonomike që do të kërkonte disa vite për të dalë prej saj.

Ndërkohë, që në periudhën e parë të kësaj pandemie, gjatë muajit mars-prill, Rama bënte marifete me shifrat e krizës sanitare për të nxjerrë dufin e tij narcizist, duke kontrolluar lëvizjet dhe izolimin e qytetarëve e të bizneseve, por duke shkaktuar krizën ekonomike më të rëndë në 30 vitet e fundit. Tani gjatë muajit të fundit, 25 maj-25 qershor 2020, po tregon paaftësi për të marrë masa mbrojtëse që në kushtet e lëvizjes së lirë të dominojë  transmetimin e virusit.

Fakti, që virusi ka prekur rëndë qendrat shëndetësore dhe institucionet publike tregon se kjo qeveri është tërësisht e paaftë për të urdhëruar marrjen e masave mbrojtëse nga njëra anë dhe ndjekjen e zbatimit të tyre nga ana tjetër. Natyrisht, edhe përsa i përket sigurimit të mjeteve mbrojtëse, të tilla si maska, doreza, lëngje dizinfektues, e tjerë, apo veshje mbrojtëse për personelin, pengesë duket  të jetë  korrupsioni i nivelit të lartë në tenderimet e këtyre materialeve.

Faktet janë kokëforta. Rama mban vetëm fjalime nga bunkeri  i Surrelit, apo bunkeri i Kryeministrisë  dhe vetëm lëshon llogorenë e tij  kundër  atyre, që ngrenë  shqetësime, apo nxjerr dufet e tij narciziste me fraza boshe injoranti. Duke akuzuar qytetarët dhe duke dhënë urdhëra idioteskë  personalë nga bunkeri, që të gjithë me të drejtë i shpërfillin.

Infektimet

Në fund të muajit maj 2020, mesatarja javore, (7-ditore) e të infektuarëve ishte 8-11 kurse në fund të qershorit, kjo mesatare ka arritur në vlerat maksimale 61-63, pra vihet re një rritje me 6-8 herë. Kjo rritje e infektimeve për shkak të keqmenaxhimit  qeveritar ka shkaktuar vonesa në hapjen e kufijve dhe vijim të thellimit të krizës ekonomike ndërkohë, që Rama, që s’kupton asgjë, vazhdon të fajësojë qytetarët dhe t’i kërcënojë si narcizist me rivendosje të izolimit.

Vdekjet

Edhe numri mesatar javor i vdekjeve gjatë muajit të fundit ka pësuar rritje të fortë. Më konkretisht,  në periudhën  25-27 maj  2020,  mesatarja javore  e vdekjeve ka qenë 0,14,  kurse në fundit të muajit qershor, në periudhën  23-26 qershor  2020, kjo mesatare është rritur  në vlerat 1,13-1,25, pra duke pësuar një rritje prej 8-9 herë.

Vendi po zhytet jo vetëm në krizë të thellë ekonomike, por për shkak të keqqeverisjes dhe/ose marifeteve  me shifrat e kësaj krize, vendi po izolohet, e për rrjedhojë po shndërrohet  në “delja e zezë” e Europës.  Kurse Rama “krihet”. Kjo situatë nuk mund të zgjidhet me sjelljet narciziste të “kompetentit  të Surrelit” që përkeqësimin e gjendjes,  për shkak të keqmenaxhimit  të tij mendon ta zgjidhë me vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme, apo të përdorimit  të policisë ndryshe nga çfarë po bën Europa. Sepse kështu,  krahas zhytjes së vendit në krizë të thellë ekonomike dhe rikthimit të krizës sanitare do të dhunonte  rëndë edhe të drejtat themelore të njeriut.  Ka vetëm dy rrugë: 1) investigim i të gjithë elementëve  të menaxhimit të kësaj krize dhe 2) ndëshkim i keqmenaxhimit të krizës sanitare, krizës ekonomike pasuese dhe dhunimit të të drejtave të njeriut përmes dërgimit të gjithë dosjeve në SPAK.