Çështja e nënshkrimit të diplomave / MASR kërkon nga UT lëshimin e menjëhershëm të diplomave

351
Sigal

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), pasi u njoh me problematikën e mos-lëshimit të diplomave të studentëve të Fakultetit të Ekonomisë (UT), përmes një shkrese të ministres ka kërkuar që UT të lëshojë menjëherë diplomat e studentëve.

Studentët kanë shlyer të gjitha detyrimet dhe matrikullimi i tyre nga QSHA ka qenë konform ligjeve dhe akteve në fuqi, kështu që nuk ka asnjë arsye për vonesat e shkaktuara nga UT. MASR nënvizon se e drejta e studentëve prevalon mbi çdo mosmarrëveshje të brendshme të UT që ka shkaktuar këtë vonesë të papranueshme në diplomimin e studentëve.

Gjithashtu, bëhet me dije se nga ana e Rektorit të Universitetit të Tiranës janë nënshkruar disa nga diplomat, që numrat e matrikullimit të studentëve janë lëshuar me të njëjtën procedurë sikurse ajo e kundërshtuar nga Rektori i UT, i cili është një veprim selektiv dhe në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi.

Përfundimisht, MASR kërkon pajisjen e studentëve që kanë shlyer të gjitha detyrimet akademike me diplomat përkatëse, menjëherë!