Junker në Tiranë: Nuk kam një datë për hapjen e bisedimeve, inkurajim për vazhdimin e reformave

571
Rama-Junker, nuk ka një datë për hapjen e negociatave me BE-në

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, patën dje një takim dypalësh në Tiranë, në ambientet e kryeministrisë. Në fjalën e tij, Rama falënderoi Presidentin e KE për vizitën e tij në Tiranë dhe theksoi se Shqipëria e meriton votën pro çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian. “Më lejoni të falënderoj përzemërsisht presidentin e Komisionit Evropian, Zhan Kod Junker, për këtë vizitë, që vjen pak kohë përpara momentit të vendimmarrjes për rekomandimin e Komisionit Evropian, për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe pak kohë pas publikimit të planit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, që përbën një bazë për të gjitha vendet e rajonit tonë. Pata mundësinë dhe privilegjin që ta informoj nga afër presidentin, për ecurinë e reformave dhe zhvillimin e Shqipërisë, në rrugën drejt afrimit përditë me Bashkimin Evropian, por edhe sjelljen si një aktor nxitës i marrëdhënieve të mira të fqinjësisë dhe bashkëpunimit të rajonit”, tha Rama. Sipas tij, çelja e negociatave të anëtarësimit është rekomanduar që në nëntor, duke nënvizuar çuarjen përpara të reformës në drejtësi dhe zbatimin konkretisht të procesit të Vetingut. “Në momentin e daljes së atij rekomandimi, ne nuk kishim kaluar ligjin, gjë që tani e kemi bërë dhe nuk kishim nisur punën konkrete për Vetingun, gjë që po ndodh. Sot ne numërojmë plot 17 prokurorë dhe gjykatës, që janë tërhequr nga procesi i Vetingut, pra që nuk do të jenë më pjesë e sistemit gjyqësor, një tregues i qartë që Vetingu ka filluar të funksionojë si një shtysë e fuqishme drejt realizimit të një sistemi drejtësie të ri dhe të pavarur”, u shpreh kryeministri. Nga ana tjetër, Presidenti Junker vlerësoi si impresionuese reformat e ndërmarra nga qeveria, por theksoi se nuk ka ardhur në Shqipëri me një datë konkrete. “Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria veçanërisht, janë vende miq, aleatë dhe partnerë. Ne na ka ndarë historia për një kohë të gjatë dhe tani nuk duhet humbur kaq shumë kohë. Tani bëhet fjalë për ta rishkruar historinë. Shqipëria ka ndërmarrë shumë reforma në shumë fusha, të cilat janë impresionuese. Nëse do të vazhdohet me këto reforma, kjo do t’i lejojë KE të rekomandojë negociatat. Nuk kam ardhur në Tiranë për një datë, por të inkurajoj Shqipërinë të vazhdojë me reformat. Ne do të jemi për krah Shqipërisë për ta ndihmuar që të përgatisë anëtarësimin”, tha Juncker.
Sigal