Nëse propozimet e PD-LSI-së nuk do të merren në konsideratë në tryezën e Reformës Zgjedhore atëherë opozita do të rikthehet në protestë. Kështu deklaroi ish-deputeti i LSI-së Edmond Panariti në studion e Report Tv.
“Nëse propozimet tona nuk merren parasysh atëherë nuk ka për të pasur reformë zgjedhore. Mbetet opsion i hapur rikthimi te protestat nëse nuk funksion tryeza. Uroj të mos jetë ky opsioni, por të kemi një produkt, që të noterizohet në parlament” tha ai.
Por kush janë kërkesat e opozitës, një pjesë të së cilave Damian Gjiknuri i cilësoi politike duke paralajmëruar kundërshtimin? Njëra prej tyre, e dorëzuar dje nga Partia Demokratike është qeveria teknike para zgjedhjeve, që përfshin edhe ndryshimin e drejtorit të policisë 100 ditë para procesit. Panariti ka edhe profilin e kryeministrit të qeverisë teknike, por rezervohet kur vjen puna tek emrat.
“Kërkohet një qeveri që ka pëlqimin e palëve. Ka precedent edhe në Greqi dhe Maqedoni. Në momentin që ka përshkallëzim në ekstrem të mosbesimit, kjo ka në qendër kryeministrin. Qeveria mund të jetë me një kryeministër me një figurë të spikatur me autoritet publik, jashtë politikës. Do të kemi propozimet tona nëse do të kërkohet mendim. Por e ka në dorë shumica. Qeveria duhet të ketë besimin e palëve. Asnjë eksponent të mos futet në këtë qeveri, të jetë teknokrate, akademike” tha ai.
Por përse u ul opozita në tryezë pas shumë protestash dhe djegies së mandateve? Panariti e pranoi se opozita pati presion nga ndërkombëtarët për t’u ulur në tryezë.
“Kishte edhe një presion ndërkombëtar. Aksioni politik ka faza, provuan protestat që patën efektin e tyre, do të protestosh por në fund do të ulesh për një kompromis”.
Një koment, Panariti e kishte edhe për ndryshimin e sistemit duke pranuar se shanset për ndryshimin e tij janë zero, jo për shkak të kohës por vullnetit.
“Ne jemi për proporcional rajonal, por jemi dhe për lista të hapura. Por tani nuk ka më kohë, pasi kemi afatin 15 mars. Megjithatë unë mendoj që data 15 mars është e mjaftueshme edhe për ndryshimin e sistemit, një votim është”.
Duke u ndalur te punët e partisë, i pyetur se cilin zgjedh në drejtimin e LSI-së mes presidentit aktual, ish-kryetar i LSI-së Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit, Panariti u shpreh se “Zonja Kryemadhi është në kohën dhe momentin e duhur, Meta e mbylli kontributin e tij në atë forcë që themeloi, tani është Kryemadhi që ka marrë përgjegjësinë, ka vullnetin dhe dëshirën për ta çuar drejt pushtetit” përfundoi ai.