Ja kush po na fut në sherr me Amerikën!

463
Sigal

 21 Janari, gjykata përplaset me SHBA: “Po na ndërhyni në një proces të rregullt” Arvizu: “Deklarata, e pabazë!”

Dje ndodhi një ngjarje edhe më e frikshme se sa vendimi cinik i Gjykatës së Tiranës për katër vrasjet e 21 janarit 2011. Dje Gjykata e Tiranës, iu kundërvu nëpërmjet një deklarate qëndrimit të Ambasadës Amerikane në Tiranë, e cila u shpreh mjaft e tronditur nga vendimi që u dha. Tabloja pra është kjo: Gjykata e Tiranës dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përplasen për vendimin e dhënë pardje nga kjo gjykatë, e cila shpalli të pafajshëm të pandehurit e ngjarjeve të 21 Janarit. Ndërsa gjykata e cilëson ndërhyrje në një proces të ligjshëm,  Ambasadori Arvizu reagon duke thënë se, akuza e gjykatës është e pabazë. Në të vërtetë, jo vetëm ambasada amerikane, por edhe Brukseli reagoi në të njëjtën linjë me atë vendim. Edhe gjithë opinioni shqiptar ishte thuajse i njëzëshëm kundër atij vendimi, duke e konsideruar as më pak e as më shumë, por si një dëshmi e dështimit total të drejtësisë dhe pavarësisë së saj. Ky fakt është mjaft i rëndë për Shqipërinë e vitit 2013, kur më shumë se kurrë aspirojmë anëtarësimin në familjen europiane. Por pas atij vendimi duhet thënë se, shpresat tona janë zbehur si asnjëherë. Si mund të na pranojë Europa me një nivel të tillë drejtësie? Nejse, kjo është një çështje që do të vazhdojë të diskutohet gjatë dhe në të gjithë kompleksitetin e saj. Tjetërkund e kemi fjalën këtu. Ku e gjeti kurajon Gjykata e Tiranës t’i kundërvihet një qëndrimi zyrtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Sepse ata zotërinj e zonja që kanë hartuar atë deklaratë duhet ta dinë (nëse nuk e kanë mësuar akoma) se një ditë më parë nuk foli ambasadori Arvizu si person. Me deklaratën e Ambasadës Amerikane u shpreh qëndrimi i Departamentit të Shtetit. Shumëkush ka të drejtë se, këta gjyqtarët tanë nuk janë aq budallenj, por nuk janë dhe aq trima sa të sfidojnë Amerikën! Tjetërkush i ka yshtur dhe u ka dhënë zemër që të bënin atë që bënë dje, duke dëshmuar botërisht se nuk janë aspak të pavarur nga politika. Pra në analizë të funditdelse pushteti aktual i ka nxitur të veprojnë kështu. Mua m’u kujtua një episod i ngjashëm i rreth dy dekadave më parë, kur në fundgushtin e 1994-s, kur sërish për një proces gjyqësor, presidenti ynë i atëhershëm iu kundërvu Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Kemi një përsëritje afërsisht të ngjashme në këto dy episode. Ndërsa në rastin e parë të para njëzet vjetëve i pamë dhe përjetuam me dhimbje shumë zhvillime, për këtë që po ndodh tani nuk jemi ende plotësisht të qartë dhe të sigurt. Sidoqoftë, zhvillime pozitive nuk mund të priten…

 Gjykata e Tiranës: “SHBA-të po ndërhyjnë”

Gjykata e Tiranës nëpërmjet një deklarate ka bërë me dije se vendimin e plotë për të pandehurit e 21 Janarit do ta zbardhë brenda afateve ligjore. Në këtë deklaratë gjyqtarët theksojnë se janë të vendosur për zbatimin e ligjit, ndërsa duke komentuar deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjyqtarët shprehen se ajo ishte një ndërhyrje në një proces të rregullt gjyqësor. “Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe gjyqtarët e saj janë të vendosur për zbatimin e ligjit dhe të angazhuar për shtetin ligjor në Shqipëri. Në këtë kuadër është e qartë se i takon tashmë institucionit të Prokurorisë që pas zbardhjes së vendimit të vendosë se çfarë hapash ligjorë mund të ndërmarrë lidhur me këtë vendim. Në këtë kontekst deklarata e Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë është shqetësuese dhe ndërhyn në procesin e rregullt gjyqësor nëpërmjet komenteve mbi një çështje përpara zbardhjes së vendimit nga trupi gjykues, përpara qëndrimit të prokurorisë mbi hapat e mundshëm dhe përpara mbylljes së procesit të rregullt ligjor me këtë çështje”, thuhet në deklaratë. Sipas gjyqtarëve, deklarata të tilla janë shqetësuese dhe paragjykuese. “Deklarata të tilla mund të jenë paragjykuese ndaj këtij procesi të drejtë, ligjor dhe të paanshëm. Duke shprehur vendosmërinë dhe angazhimin tonë të plotë për sundimin e ligjit dhe një proces të rregullt, të paanshëm dhe të besueshëm ligjor, bëjmë thirrje për të shmangur çdo qëndrim paragjykues ndaj këtij procesi dhe punës e misionit të gjykatës në përgjithësi”, përfundon deklarata.

Arvizu: “Akuzat e gjykatës, të pabaza”

 Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka reaguar në lidhje me akuzat që i bëri Gjykata e Tiranës për ndërhyrje në procesin e 21 Janarit. Arvizu foli për median pas takimit me kryeprokurorin Adriatik Llalla. “Para së gjithash e vlerësoj që Prokurori i Përgjithshëm vendosi të takohet me mua, e për më tepër kaq shpejt, patëm një takim të rëndësishëm, biseduam hollësisht për ngjarjet e 21 Janarit e hetimet dhe morëm angazhimin se bashkëpunimi ynë me këtë zyrë do vazhdojë”, -tha Arvizu. Ai u ndal të komentojë edhe vendimin e Gjykatës së Tiranës, ndërsa nënvijëzoi se kjo nuk është një çështje amerikane, por një çështje shqiptare dhe janë ata, siç tha ai që duhet ta çojnë deri në fund. “Lidhur me vendimin e gjykatës, para së gjithash dua të them se SHBA e kanë bërë të qartë që mënyra më e mirë për ta trajtuar këtë tragjedi të tmerrshme ishte një hetim për atë që e shkaktoi atë ngjarje. Kemi theksuar që ky lloj hetimi duhet të ishte i besueshëm, nevojitej që të adresoheshin disa elemente, se kush e organizoi sjelljen e demonstruesve dhe gardës në fund, ky ka qenë qëndrimi ynë dhe nuk ka ndryshuar”, tha Arvizu. “Pika e dytë, ku dua të ndalem ka të bëjë me përfshirjen e ekspertëve amerikanë. Kjo çështje ka qenë dhe do jetë çështje shqiptare, nuk ka pasur qytetarë amerikanë të përfshirë në ngjarje. Është kërkuar nga kryeprokurorja e atëhershme asistenca teknike amerikane, kjo është ajo që kemi bërë kemi dhënë çfarë na është kërkuar”, shtoi ai. “Lidhur me deklaratën e Gjykatës së Tiranës, unë nuk bie dakord me ta se kjo akuzë nuk ka bazë. Përfshirja jonë buron drejtpërdrejt pas kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm. SHBA ka bërë ndërhyrje për të lehtësuar hetimin”, -tha diplomati.

 Sequi: Vendimi për 21 janarin, i apelueshëm, drejtësia e paanshme, kusht për në BE

Ambasadori i BE në Shqipëri, Ettore Sequi ka risjellë edhe njëherë në vëmendje, qëndrimin e Bashkimit Europian dhe Komisionerit për Zgjerim Stefan Fyle, në lidhje me vendimin e gjykatës së Tiranës për 21 janarin. “Siç e dini kemi bërë disa komente. Ne na është kërkuar të flasim, unë po riktheksoj se dje BE, dhe KE, kemi thënë atë që thuhet në progres-raport. Ne kemi bërë thirrje për përmbylljen e procedurave të këtij rasti në një proces gjyqësor të besueshëm”, tha ambasadori Sequi. “ BE dhe komisioneri Fyle, kanë ritheksuar se një sistem gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe i aftë, është dëshirë legjitime e qytetarëve shqiptarë”, theksoi ambasadori. Sipas tij, “ky është element thelbësor i shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe një parakusht për rrugën e Shqipërisë në BE”. “Siç e dini, Komisioneri Fyle ka komentuar në tvveet. Ai thotë se vendimi i gjykatës nuk është humbje, procedurat duhet të përmbyllen me proces gjyqësor të besueshëm që duhet të tregojë pavarësi, paanshmëri dhe përgjegjshmëri. BE konstatoi se do të ketë mundësi apelimi për këtë çështje. Së fundi, çdo polarizim mbi këtë çështje duhet shmangur”, mbylli deklaratën ambasadori Sequi.

 21 janari, Totozani: “Shqiptarët kanë nevojë për drejtësi!”

Avokati i Popullit, Igli Totozani tha dje se, ai nuk do të komentojë vendimin e gjykatës, por shtoi se qytetarët shqiptarë kanë nevojë për drejtësi dhe për të ditur se kush janë përgjegjësit e viktimave të 21 Janarit. Në emër të Institucionit të Avokatit të Popullit mund t’ju them se ne nuk komentojmë vendimet e gjykatave. Ajo që dua të them për publikun e televizionit tuaj është  që, ne mendojmë  se qytetarët shqiptarë kanë nevojë për të vërtetën, kanë nevojë për t’u bërë drejtësi. Ka pasur katër viktima dhe njerëz të tjerë të lënduar. Për viktimat, për familjarët e viktimave, për qytetarët e Shqipërisë ka nevojë të dihet kush është  përgjegjësi ose përgjegjësit e një ngjarje të tillë. Deklaratën e tij Avokati i Popullit Igli Totozani e bëri dje në mesdite, në Shkodër, pas një takimi që zhvilloi me përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave joqeveritare.

 Komiteti i Helsinkit: “Kur flet gjykata, ju duhet të heshtni, koncept i gabuar”

 Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka kritikuar vendimin e Gjykatës së Tiranës, në lidhje me vendimin që mori, duke shpallur të pafajshëm të pandehurit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, të akuzuar për vrasjet në demonstratën e 21 Janarit 2011. KSHH pasi ka marrë shkas nga një deklaratë e Kryetarja e Kuvendit, për çështjen e 21 janarit,  ku Topalli u shpreh se “kur flet gjykata të tjerët duhet të heshtin”. KSHH, nënvizon se, është koncepti i gabuar, se “kur flet gjykata të tjerët duhet të heshtin” nuk i shërben shprehjes së lirë të mendimit. “Diskutimet dhe kritikat, pasi vendimi është dhënë dhe kur nuk kanë për qëllim të denigrojnë gjyqtarët ose sistemin, jo vetëm nuk përbëjnë presion ndaj gjykatës, por në një shoqëri demokratike ato i shërben forcimit të shtetit të së drejtës, prandaj duhet të mirëpriten dhe të dëgjohen me vëmendje”, thuhet në deklaratë. Për Komitetin e Helsinkit, vendimi i gjykatës për 21 Janarin është i dyshimtë dhe bie ndesh me Kushtetutën. “Vendimi nxit edhe më tepër dyshime në drejtësinë e tij edhe për faktin se në një çështje kaq të rëndësishme, vendimi u shpall i paarsyetuar, gjë që bie ndesh me pikën 1 të nenit 142 të Kushtetutës, ku sanksionohet se “vendimet gjyqësore duhet të jenë të arsyetuara”,- nënvizon KSHH.

 Deklarata e plotë e ambasadorit amerikan Arvizu pas takimit me Kryeprokurorin Llalla

Mendoj se, të gjithë ju e keni parë deklaratën tonë të djeshme. Ajo deklaratë thotë pak a shumë gjithçka që duam të themi, por do të  përforcoj disa pika. Pikë së pari, unë e vlerësoj faktin që Prokurori i Përgjithshëm ra dakord të takohej me mua kaq herët sot në mëngjes. Patëm një diskutim mjaft të hollësishëm dhe substancial. Unë i shpjegova se ne kemi një histori të gjatë bashkëpunimi me këtë Zyrë dhe iu zotova se ky bashkëpunim do të vazhdojë. Përsa i përket verdiktit të djeshëm dhe çështjes së 21 Janarit, sërish, do t’ju drejtoja të shihni deklaratën tonë, por, do të shtoja disa pika. Pikë së pari, pas asaj dite të tmerrshme të 21 Janarit, Shtetet e Bashkuara e bënë shumë të qartë se mënyra më e mirë për t’u përballur me atë tragjedi të tmerrshme ishte një hetim mbi atë që e shkaktoi këtë ngjarje. Ne theksuam rëndësinë e të qenit një hetim i besueshëm. Besueshmëria është koncepti kyç për këtë dhe, në mënyrë që hetimi të ishte i besueshëm, duhet të adresonte disa elemente: kush e organizoi, sjellja e demonstruesve, dhe sjellja e Gardës së Republikës. Ky ka qenë gjithnjë qëndrimi unë dhe nuk ka ndryshuar kurrë. Pika e dytë është, se, përsa i përket asistencës ose përfshirjes amerikane në këtë çështje, kjo çështje ka qenë, është dhe do të jetë gjithnjë një çështje shqiptare. Nuk është një çështje amerikane; nuk pati përfshirje të qytetarëve amerikanë. Përfshirja amerikane rrjedh nga një kërkesë specifike dhe e drejtpërdrejtë e Prokurorit të Përgjithshëm në atë kohë, një kërkesë e mbështetur dhe nga Qeveria e Shqipërisë do të shtoja, që Shtetet e Bashkuara të jepnin asistence teknike për të mundësuar hetimin, dhe kjo ishte ajo që ne bëmë. Përsa i përket deklaratës së Gjykatës së Rrethit Tiranë sot në mëngjes, që sugjeronte se SHBA po ndërhyn në një proces gjyqësor, nuk jam dakord, me gjithë respektin që kam. Kjo akuzë nuk ka bazë. Përfshirja jonë rrjedh drejtpërdrejt nga një kërkesë specifike e Prokurorit të Përgjithshëm dhe kjo kërkesë u mbështet nga qeveria e Shqipërisë. Pika e fundit që dua të vë në dukje është se gjatë takimit tim me Prokurorin e Përgjithshëm, falënderova Zyrën e tij dhe prokurorët e tij që kanë punuar fort për ta sjellë këtë çështje para drejtësisë. Disa njerëz do të pyesin për komponentët e tjerë të këtij hetimi – organizatorët, sjellja e demonstruesve – por kjo nuk është diçka në të cilën Shtetet e Bashkuara janë përfshirë ose mbi të cilën kanë kontroll, sepse, sërish, ky është një hetim shqiptar. Verdikti i djeshëm i përkiste një komponenti specifik të 21 Janarit dhe deklarata jonë dje i përkiste kësaj pjese specifike të çështjes.