Ja faktet e korrupsionit të koncesioneve, në ndërtimin e infrastrukturës

359
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Rrugë që kushtojnë deri në 17 milionë euro/ km, ndërkohë Greqia ndërton autostrada me 6-9 milionë euro/km

Greqia bëri me dije se do të ndërtojë një autostradë të re në Greqinë Qendrore, që do të emërtohet ‘E65’, e cila do të lidhë Trikallën me Grevena, ose Trikallën me autostradën e madhe të Greqisë së Veriut, e cila fillon në kufirin Greqi-Turqi dhe mbaron në Igumenicë. Kjo autostradë, do të ndërtohet në terren mjaft të vështirë malor, që do të thotë se do të ndërtohen shumë ura dhe tunele. Sipas zyrtarëve të qeverisë greke, kjo autostradë do të jetë bashkëkohore. Ajo që bën përshtypje, për të cilën ne i referohemi, është kostoja e ndërtimit të kësaj autostrade.

Kështu, sipas të dhënave zyrtare të publikuara, autostrada ndahet në segmente të veçanta, ku çdo segment ka kosto të veçantë, sipas terrenit. Pjesa e autostradës nga Trikalla deri në Grevena, 70,5 km e gjatë, do të kushtojë 442,1 milionë euro, ose 6,27 milionë euro/km.

Segmenti tjetër 14 kilometra, në zonën e Lianokladhiu, do të kushtojë 130 milionë euro, ose 9, 11 milionë euro/km

Shqipëri
12 milionë euro/km, koncesioni i rrugës Milot-Fier, terren fushor.
17,06 milionë euro/km, bypassi i Fierit, terren fushor.
15 milionë euro/km, rruga Balldren –Milot, terren fushor.
Greqi
6-9 milionë euro/km, për autostradën ‘E65’ në Trikalla, terren malor.

Çmimet referencë Shqipëri-Greqi

Në Shqipëri, 1 km rrugë kushton dyfishi i kostos të autostradës në Greqi

Koncesioni i rrugës Milot-Fier: Segmenti do të jetë 115 kilometra i gjatë, ku 53 kilometra do të jenë rrugë të reja që do të ndërtohen, ndërsa 62 kilometrat e tjerë, do të jenë rehabilitim i rrugëve ekzistuese. Vlera totale e projektit parashikohet të jetë 1,188 miliardë euro, pa TVSH. Çdo kilometër do të kushtojë 10,33 milionë euro pa TVSH, ose 12,4 milionë euro me TVSH. Pra, në këtë rrugë, vetëm 53 kilometra që do të happen të reja në një terren fushor, ndërsa 62 kilometra janë të ndërtuara, por që do të bëhen riparime të vogla. E megjithëkëtë, çdo kilometër i kësaj rruge (rrugë e re dhe ajo e ndërtuar) do të kushtojë 12,4 milionë euro, pra më shumë se 3 milionë euro nga autostrada e re ‘E65’ e Greqisë në Trikalla, ose dyfishi i një pjese të kësaj autostrade, ku 70,5 kilometra të kësaj autostrade, do të kushtojnë vetëm 6,2 milionë euro/km!

Bypassi i Fierit 17 km për 290 milion euro, baraz me 17, 06 milionë euro kilometri. Banka Evropiane ndërton Bypassin e Fierit 27 km, për 2.2 mln euro. Ky bypass u ndërtua i gjithi në terren fushor. Atëhere, si mund të shpjegohet që ky bypass kushton 3 fishi i autostradës së Trikalla në Greqi?

Rruga Milot-Balldren prej 17,2 kilometrash do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 260 milionë euro, ose rreth 15,1 milionë euro për kilometër. Edhe kjo rrugë, në terren fushor  do të kushtojë 2,5 herë më shumë sesa autostrada e re që ndërtohet në Trikalla të Greqisë, e cila është thuajse e gjitha në terren malor.

Në Greqi, të gjitha kostot e ndërtimit të autostradës, janë gati 2 fishi i kostos të ndërtimit në Shqipëri, duke filluar nga paga e punëtorëve, nga çmimi i materialeve të ndërtimit. Atëhere, përse në Shqipëri, rrugët kushtojë nga 2 fishi, deri në 3 fishin e autostradave në Greqi? Në Greqi me 6-9 milionë/km ndërtohen autostrada moderne, ndërsa në Shqipëri me 12-17 milionë euro/km  ndërtohen rrugë. Kësaj pyetje, SPAK duhet t’i japë një përgjigje, duke hetuar tenderat dhe koncesionet e rrugëve.