Ministra të “pasur”, në kurriz të taksapaguesve të varfër

414
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ja rreziqet fiskale që i kërcënohen vendit dhe çfarë ndodh, nëse na godet një valë e re e pandemisë, çfarë thonë ekspertët

Po shfrytëzohen fatkeqësitë! Shqipëria, me rritjen më të lartë të borxhit, por me paketat më të ulëta të ndihmës

Menjëherë pas dy krizave të paparashikuara, tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë Covid-19, qeveria e hodhi gurin e fundit në drejtim të rritjes së borxhit publik për shpenzime, që nuk kanë lidhje me financimin e pasojave direkte të krizave dhe as me rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë.

Akti normativ i qeverisë, i cili mori miratimin e Parlamentit javën e kaluar, autorizoi rritjen e borxhit nëpërmjet zgjerimit të deficitit buxhetor në 120 miliardë lekë (rreth 1 miliard euro) nga 108 miliardë lekë që ishte në fillim të vitit, duke e çuar totalin e detyrimeve rreth 1,3 triliardë lekë (afërsisht 80% e PBB-së së parashikuar në buxhetin fillestar).

“Qeveria autorizoi sëfundmi rritje të mëtejshme të deficitit buxhetor dhe borxhit publik, duke rënduar në këtë mënyrë perspektivën ekonomike të shqiptarëve dhe brezave që vijnë. Të gjitha ndërhyrjet u bënë duke thyer ligjet dhe rregullat që qeveria vetë i ka miratuar dhe duke “injoruar” rekomandimet e FMN-së. Rreziqet fiskale që i kërcënohen vendit dhe çfarë ndodh nëse na godet një valë e re e pandemisë”

Ky ndryshim zuri në befasi institucionet financiare ndërkombëtare dhe ekspertët e fushës, të cilët nuk prisnin kthesën e papritur të qeverisë për të financuar me borxh disa projekte afatgjata, të tilla si ndërtimi i Unazës së Re, Teatrit Kombëtar dhe Tunelit të Llogorasë ende pa sheshuar efektet direkte të dy krizave të fundit. Për më tepër, zgjerimi i borxhit u bë me akt normativ, duke thyer edhe rregullin fiskal që është përcaktuar në ligjin organik të buxhetit, i cili nuk lejon masa fiskale që rrisin borxhin në përqindje të PBB-së, përveçse në raste të jashtëzakonshme.

Gjatë vitit të fundit, qeveria e ka rritur borxhin publik me ritme më të shpejta se sa rritja ekonomike e vendit. Të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë rritur me ritme më të ulëta se sa borxhi për frymë. Arben Malaj, ish-ministër i Financave, e konsideroi vendimin e fundit të qeverisë për të rritur më tej detyrimet publike, sidomos borxhin e jashtëm, rrezik të shtuar në ekonomi.

Sipas tij, qeveria i mori vendimet për të rritur borxhin në kundërshtim të plotë më këshillat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili kërkoi që borxhi i ri të kishte fokus vetëm rindërtimin dhe përballimin e pasojave të Covid-19 në ekonomi, ndërsa qeveria po financon projekte të infrastrukturës duke i dhënë përparësi grupeve të caktuara të individëve në kurriz të qytetarëve të varfër të vendit.

2010-2021, borxhi për frymë u rrit me 75%, PBB për frymë 36%

Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë arriti në 552,400 lekë në vitin 2020, nga 433,600 lekë në vitin 2010, sipas të dhënave zyrtare të azhornuara nga Ministra e Financave në Kuadrin Afatmesëm Makroekonomik. Gjatë dekadës, PBB për frymë, është rritur me 36%. Por borxhi publik për frymë, është rritur me ritme më të shpejta. Në vitin 2020, detyrimet publike për banor arritën në 476,105 lekë, me një rritje 75% nga viti 2010, ku treguesi ishte 245,152 lekë për frymë.

Të dhënat tregojnë se pesha e borxhit është zgjeruar vitet e fundit. Në vitin 2010, shqiptarët kishin borxh rreth 56% të PBB për frymë, ndërsa më 2020, kishin borxh 78% të PBB-së për frymë. Ecuria e borxhit dhe të ardhurave për frymë tregon dy dobësi të aftësive menaxhuese të qeverisë. E para, borxhi nuk ka arritur të prodhojë mirëqenie për shqiptarët dhe e dyta, barra e borxhit, po vijon të rritet pa kontroll në projekte që sigurojnë shpërndarje të pabarabartë të shpenzimeve që kryhen me borxh. Për rrjedhojë, gjatë dekadës në vijim, gjithnjë e më shumë taksat e shqiptarëve, do të përdoren për të shlyer borxhin dhe interesat e tij, në vend që të rriten pagat, pensionet dhe të ndërtohen vepra publike.

Në strategjinë afatmesme për menaxhimin e borxhit të Ministrisë së Financave pritej që këtë vit, shpenzimet buxhetore për shërbimin e borxhit (principal + interesa) të ishin rreth 39 miliardë lekë, por me rishikimin e fundit, ato pritet të arrijnë në rreth 43.8 miliardë lekë. Në vitet në vijim, barra e shërbimit të borxhit, do të rritet me ritme të shpejta për të arritur rreth 50 miliardë në 2023.

Një rritje e normave të interesit në tregun e brendshëm dhe në tregun ndërkombëtar, e kombinuar me rritje të vlerës së euros në kursin e këmbimit, do të krijonte “katastrofë” në aftësinë paguese të qeverisë. Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, tha se, borxhi publik po kalon në nivele që janë të paprecedenta në historinë e ekonomisë së Shqipërisë dhe në vend që të shërbejë si stimul për ekonominë, po shndërrohet në një rrezik të shtuar për stabilitetin makrofiskal të vendit.

 Interesat japin sinjale rritje

Pasi prekën fundin në vitin 2019, interesat e borxhit në tregjet ndërkombëtare po japin sinjale rritjeje. Nëse rritja materializohet sipas parashikimeve, atëherë Shqipëria do të vihet në vështirësi serioze për të shlyer borxhin. Departamenti i Borxhit në Ministrinë e Financave raportoi se, interesat në tregun e brendshëm në tremujorin e parë të vitit 2021, shënuan rritje për bonot e thesarit, 3, 6 dhe 12- mujore dhe obligacionet 2 dhe 3-vjeçare. Për obligacionet 5 dhe 7 -vjeçare interesat patën ecuri të njëjtë me vitin e kaluar. Ndërsa në raport me vitin 2019, interesat e borxhit të brendshëm janë rritur lehtë, për të gjitha maturimet.

Rritja e interesave nisi të trokasë edhe në tregjet ndërkombëtare. Sinjalet në Evropë i dhanë bondet 10-vjeçare gjermane. Në vitin 2019, obligacionet 10-vjeçare të qeverisë gjermane u shitën me vlerë negative -0.9, d.m.th. investitorët jepnin 0.9 euro për çdo 100 euro të borxhit gjerman. Tani analistët e tregjeve financiare presin që interesat e bondit 10-vjeçar gjerman të arrijnë në 0,25% deri në fund të vitit. Interesat pritet të kenë një prirje rritëse në tregjet ndërkombëtare.

Shpenzimet për interesa të borxhit shtetëror ndaj të ardhurave tatimore dhe PBB, erdhën në rritje vitet e fundit. Sipas projeksioneve të Ministrisë së Financave, një rritje e njëkohshme e normave të interesit në tregun vendas dhe atë të huaj me 1 pipë përqindje mbi normat e pritshme, duke filluar nga viti 2021, mund të rrisë shpenzimet për interesa deri në rreth 14 miliardë lekë në vitin 2023, ndërsa një rritje prej 2 pp, do t’i rriste këto shpenzime deri në rreth 18 miliardë lekë kundrejt skenarit bazë.

“Akti normativ i qeverisë, i cili mori miratimin e Parlamentit javën e kaluar, autorizoi rritjen e borxhit duke e çuar totalin e detyrimeve rreth 1,3 triliardë lekë (afërsisht 80% e PBB-së së parashikuar në buxhetin fillestar).”

Po shfrytëzohen fatkeqësitë

Fondi Monetar Ndërkombëtar e këshilloi qeverinë që të përdorë borxhin e ri ngushtësisht me projektet e rindërtimit të pasojave të tërmetit dhe përballimin e pandemisë Covid-19. Për të menaxhuar këto fatkeqësi natyrore, qeveria u lejua më 2020 të thyejë rregullin fiskal të përcaktuar në Ligjin Organik të buxhetit të shtetit.

Në vitin 2020, qeveria mori 110 miliardë lekë borxh të ri dhe këtë vit ka autorizuar 120 miliardë lekë. Për dy vite, borxhi i ri arriti në 230 miliardë lekë, rreth 1,9 miliardë euro. Por nga kjo vlerë, shumë pak kanë shkuar për përballimin e pasojave të pandemisë dhe tërmetit. Vitin kaluar, nga 110 miliardë lekë që u shtuan për borxhin e ri, vetëm 27 miliardë u përdorën për krizat, nga të cilat 16 miliardë lekë për përballimin e pasojave të tërmetit, dhe 11 miliardë u dhanë si mbështetje direkte për biznesin dhe individët, nga paketat e ndihmës anti-Covid. Rreth 90 miliardë lekë të tjera, shkuan për të mbuluar hendekun, që u krijua nga mungesa e të ardhurave dhe shpenzime të tjera.

Ndërsa këtë vit, financimi i pasojave të tërmetit është planifikuar 28 miliardë lekë, ndërsa menaxhimi i pandemisë nuk ka prodhuar kosto shtesë, pasi shpenzimet në disa sektorë të tjerë që nuk kishin lidhje me pandeminë, shënuan ulje. Në ndryshimet e fundit buxhetore, fondet totale për shëndetësinë u ulën me 1 miliard lekë, duke shkuar në 70 mld në total, nga 71 që ishin planifikuar në fillim të vitit.

 Shqipëria, me rritjen më të lartë të borxhit, por me paketat më të ulëta të ndihmës

Shqipëria e rriti borxhin publik gjatë vitit 2020 në nivelet më të larta rajonale, por, nga ana tjetër, edhe paketat më të ulëta të ndihmës për të përballuar pandeminë. Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, Shqipëria e rriti borxhin publik me 11.6 pikë për qind të PBB-së më 2020, Serbia me 5.2 pp, Maqedonia e Veriut me 10,5 pp, Bosnja me 6.1 pp, Kosova me 6.3 pp dhe Mali i Zi me 28.6 pp.

FMN thotë në raportin e fundit se, duke pasur parasysh borxhin e lartë publik të Shqipërisë, paketat mbështetëse për të përballuar situatën e Covid-19, ishin më të ulëta se ato të vendeve në zhvillim dhe Ballkanit Perëndimor.

 

Mjetet për uljen e borxhit shterojnë

Në dekadën e fundit, qeveria i ka shteruar stimujt fiskalë nëpërmjet të cilëve do të mund të gjeneronte të ardhura shtesë, për të shlyer detyrimet. Presioni që ka krijuar kriza e pandemisë në rritjen ekonomike dhe mungesa e hapësirës për të rritur taksat, nuk i lë shumë mundësi qeverisë për të manovruar. Tani borxhi i lartë, mund të kontrollohet nëpërmjet dy mjeteve. I pari, ulja e shpenzimeve publike që nënkupton frenimin e shpenzimeve kapitale dhe i dyti, formalizimi i ekonomisë.

Shqipëria grumbullon vetëm 27% PBB të ardhurave buxhetore, ose gati 15 pikë përqindjeje më pak se mesatarja rajonale. Sipas Eurostat, më 2019, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja i kishin të ardhurat në raport me PBB-në, përkatësisht 42.1%, 43.3%, 43.3% të tyre. Rezultatet fiskale në këto tre vende të Ballkanit, ishin më të larta se mesatarja e BE-së, ndryshe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilat grumbullojnë të ardhura 13-15% më pak se fqinjët në rajon dhe vendet e BE-së.

Kjo hapësirë që mund të gjenerojë më shumë se 1 miliard euro, nuk mund të shfrytëzohet menjëherë. Taksat, nga ana tjetër, nuk mund të rriten më tej. Sipas të dhënave të raportit “Doing Business 2020”, të publikuara nga Banka Botërore, sipërmarrjet e Shqipërisë dhe Serbisë paguajnë nga 36.6% të fitimeve si taksa totale dhe kontribute. Barrën më të ulët e ka Maqedonia e Veriut me 13%, e ndjekur nga Mali i Zi me 22.2% dhe Bosnja me 23.7%. Nga ana tjetër, tkurrja e mëtejshme e shpenzimeve publike në një vend si Shqipëria, ku shpenzimet për paga, pensione dhe investime janë më të ulëtat në rajon, do të kishte ndikim negativ të dyfishtë.

Për shkak të këtyre kufizimeve, borxhi i vendit po hyn në një cikël të rrezikshëm, ku rritja ekonomike, do të duhet të vihet në dispozicion të shlyerjes së borxhit. Studimet ndërkombëtare kanë verifikuar se, borxhet në nivele më të mëdha se sa 80% kanë ndikim negativ. Autorët Jernej Mencinger, Aleksander Aristovnik dhe Miroslav Verbic, matën efektin e drejtpërdrejtë të borxhit më të lartë në rritjen ekonomike për 25 vendet e BE-së nga 1980 në 2010.

 Qeveria shtyn frenimin e borxhit deri më 2024

Ministrja e Financave, Anila Denaj, në fjalën që mbajti në Kuvend për ndryshimet buxhetore, tha se Akti Normativ për ndryshimin e buxhetit 2021, erdhi si nevojë për ofrimin e stimujve të nevojshëm fiskalë në krahun e shpenzimeve buxhetore, për të vijuar me rimëkëmbjen e ekonomisë dhe në frymën e udhëzimeve fiskale të Komisionit Evropian për vendet e Bashkimit Evropian të datës 2 Qershor 2021, të cilat shtrijnë aplikimin e përjashtimeve fiskale edhe gjatë vitit 2022.

Aktin Normativ Nr.25 bëri dy ndryshime dhe, konkretisht:

1-Rregullat fiskale të mos aplikohen përjashtimisht për vitin 2021, si domosdoshmëri për fleksibilitetin e nevojshëm të buxhetit të shtetit.

2-Zbatimi i detyrimit ligjor të rregullit fiskal që balanca primare e buxhetit nuk mund të jetë më e vogël se sa zero, do të hyjë në fuqi në vitin 2024.

Niveli i deficitit në muajin e pestë të vitit 2021 rezulton në 20.3 miliardë lekë, por ndërkohë gjatë 7 muajve në vijim do të përdoret rreth 85% e masës së deficitit. Përvoja ka treguar se qeveria është treguar e paaftë të shpenzojë fondet e programuara.

Ministrja Denaj pranoi faktin se është tepruar duke përdorur aktin normativ për ndryshimin e buxhetit. Ajo tha para deputetëve në seancë plenare se “këtë vit kemi bërë disa akte normative. Sigurisht që për shumë nga personat që komentojnë buxhetin, ndryshimi i shpeshtë i buxhetit në periudhë 6-mujore është një element që ngre shqetësim, por dua të theksoj se pse kemi ndryshuar buxhetin tre herë me akte normative, në këtë Parlament.

Akti i parë normativ i lidhur drejtpërdrejt me sigurimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor brenda një standardi të kërkuar europian dhe dy akte normative të lidhura drejtpërdrejt me vaksinimin. Vijmë sot me një akt normativ, i cili edhe një herë e ka vaksinimin në fokus, sepse është objektiv i qeverisë të sigurojë vaksinimin e gjithë popullsisë, duke u siguruar 2.2 milionë personave një total prej 4.4 milionë doza vaksinash”.

Ajo tha se është bërë një analizë dhe janë identifikuar nevojat emergjente, sidomos në raport me projektet infrastrukturore dhe është vlerësuar që rialokimet dhe nevojat për shtesa buxheti. Akti Normativ përcakton këto shtesa dhe ndryshime:

-Shtesa në masën 2 miliardë lekë për Fondin Rezervë të buxhetit të shtetit, me qëllim financimin e:

-Fushatës së vaksinimit anti-COVID-19, në masën 1 miliard lekë.

-Projektit prioritar të Ministrisë së Mbrojtjes për pajisjen me dronë, për rritjen e kontrollit të territorit dhe sigurisë kombëtare në vlerë 1 miliard lekë.

-Shtesë në masën 200 milionë lekë për mbulimin e shpenzimeve për pjesëmarrjen si anëtar i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit në OKB.

-Shtesa në masën 500 milionë lekë për financimin shtesë të nevojave të qirave të strehimit të familjeve të dëmtuara nga tërmeti.

-Shtesën në masën 1 miliard lekë për AKSHI-n, me qëllim financimin e nevojave për mirëmbajtjen e sistemeve IT.

-Financimin shtesë prej 4.8 miliardë lekësh për projektet në infrastrukturë në programin “Transporti Rrugor” ku përfshihen hapja e loteve të reja për “Ndërtimin e segmentit rrugor Unaza Veriore Tiranë”, “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i ri” dhe projektet aktuale Unazës së Tiranës, të cilat kanë avancuar me punimet fizike.

-Financimin shtesë prej 3 miliardë lekësh për projektet në vazhdim, të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

-Financimin shtesë prej 2.5 miliardë lekësh për projektet në vazhdim për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në shkallë vendi, për përmirësimin e furnizimit me ujë të popullsisë.

-Shtesën në masën 900 milionë lekë si transfertë specifike për Bashkinë e Tiranës, për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

-Financimin shtesë prej 2 miliardë lekësh për projektet me financim të huaj në vazhdim “IPARD II”, dhe “Ndërtim By-Pass i Vlorës”, bazuar në ecurinë e mirë dhe pritshmëritë për realizimin e tij.

-Financimin shtesë në masën 200 milionë lekë për godinën e Polit të Drejtësisë, bazuar në këstet e përcaktuara në kontratën përkatëse.

E gjithë shuma shtesë në buxhet për shpenzimet buxhetore, arrin në 11.8 miliardë lekë, kjo krijon një rritje dhe të deficitit, i cili shkon në parametrat e vitit 2020, po ashtu edhe të nivelit të borxhit.