Ja cili është neni që detyron BKH-në të jetë në varësi nga Sandër Lleshaj

661
Sigal

Reforma në Drejtësi nuk ka sjellë asgjë akoma. SPAK po merret me çështje që kanë mbetur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa sytë janë drejtuar tek Byroja Kombëtare e Hetimit.

Bëhet fjalë për atë strukturë që do furnizojë me të dhëna prokurorët e SPAK për organizatat kriminale, apo korrupsionin e zyrtarëve.

Përveç kësaj, ajo që të bën përshtypje me përjashtim të investimit serioz të amerikanëve për ngritjen e BKH, në ligj fuqia e “komandimit” është e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Në rastin konkret Ardi Veliu do të ketë në varësi të gjithë oficerët e Policisë Gjyqësore, që njihen si Byroja Kombëtare e Hetimit. Në 7 nenet e ligjit “Për Policinë e Shtetit” me disa ndryshime që janë bërë në vitin 2014, shkruhet qartë se BKH ka varësi nga Policia e Shtetit, jo si deri më tani, kur OPGJ (oficerët e Policisë gjyqësore) kishin varësi nga Prokurorët.

Pra, edhe në këtë rast SPAK nuk do të ketë asnjë ndikim mbi ta. Kjo fuqi ligjërisht është e kreut të Policisë së Shtetit. Sikurse edhe përcaktohet në ligj, në kreun e gjashtë të ligjit ku flitet për Byronë Kombëtare të Hetimit, shprehimisht thuhet se:

Byroja Kombëtare e Hetimit organizohet si strukturë e veçantë e Policisë së Shtetit.

Kjo strukturë kryen veprimtari gjurmuese dhe hetimore, në përputhje me legjislacionin penal dhe procedurial penal, për veprat penale në fushën e korrupsionit dhe veprimtarinë kriminale të lidhur me të.

Kjo strukturë ushtron kompetencat në gjithë territorin e vendit.

Jo vetëm kaq, por në ligj është e shkruar e zeza mbi të bardhë se:

Organizimi dhe funksionimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit përcaktohet me urdhër të ministrit; pra në rastin konkret Sandër Lleshajt.

Ndërsa në nenin 28 të po këtij ligji është e shkruar se drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit emërohet nga ministri me propozimin e Drejtorit të Policisë së Shtetit për një periudhë 5-vjeçare me të drejtë riemërimi. Në momentin e emërimit drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit i jepet grada “Drejtues i lartë”.

Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit mund të emërohet nga radhët e Policisë së Shtetit ose të prokurorëve në detyrë. Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e mëparshëm ose në një funksion të barasvlershëm me vendin e mëparshëm – thuhet në ligj.

Edhe shkarkimi pa mbaruar mandati i Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit mund të bëhet përveç shkeljeve klasike për çdo zyrtar shteti bëhet nga ministri, me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm, sikurse shkruhet në nenin 30 të Ligjit për Policinë e Shtetit të miratuar nga Kuvendi në vitin 2014.

Ndërsa lirimi nga detyra i punonjësit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë me pëlqimin paraprak të Prokurorit të Përgjithshëm.

Pra, e gjithë kjo duket si “stuhi në gotë uji”. Varësia direkte, apo indirekte e punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit nga një ministër, që është politik në atë post humb besueshmërinë, ose më e pakta mund të paragjykohet.

Sa do të funksionojë, kjo pritet të shihet në momentin kur Byroja Kombëtare e Hetimit të nisë nga puna. Por, ajo që duhet thënë ka të bëjë tashmë me superministrin Lleshaj, që ka në varësi kaq shumë struktura, tek të cilat shqiptarët kanë drejtuar sytë, por nuk janë të bindur, nëse do të kenë apo jo sukses.