Anisa Bahiti: Injorancë me diplomë e me pushtet të pakontrollueshëm

2061
Sigal

Nuk janë të paktë sot ata që hiqen ai personalitete , drejtues, me disa diploma në xhep, që nuk dinë të shkruajnë pa gabime emrin e tyre. Jo vetëm kaq, sepse sot gjejmë drejtues që sillen si bajraktare, shfrytëzojnë institucionet shtetërore në konflikt të hapur interesi për të realizuar karrierat e tyre. Vajza dhe djem për fat te keq veshur me petkun e të plotfuqishmit dhe me bekimin e eprorëve të tyre shijojne e luajnë me fatet e njerezve, i përçajnë e i trajtojnë ca te nënës e ca të njerkës.

Emërimet pa kriter në baza nepotizmi si dhe shtimi i numrit të administratës sa herë per “qejfin e tyre” ka çuar në rritje të dukshme të numrit të atyre që paguhen kot nëpër institucione dhe marrin paga edhe të majme për këtë sorollatje. Është bëre për të vëne duart në kokë kur hap derën e një institucioni dhe sheh kaq shumë të paafte që ngrenë kryet dhe jane plot fodullek , kurse ata të paktët që dinë rrine dhe heshtin duke mbajtur në këmbë institucionin. Injoranca na ka pushtuar kudo , të rinjtë që marin modelet më të keqija për tu bërë dikushi, ata që mendojne se duke u bërë pronë e eproreve te tyre duke u zvarritur dhe servilosur do e kenë të gjatë mbijetesën e tyre në “llumin e injorancës qe kanë krijuar.

Kaq shumë korrupsion e krim nuk kemi më fuqi morale, ekonomike e sociale për të përballuar! Vendi është kthyer në pronën private të një pakice njerëzish, të cilët ose janë lidhur me krimin ose e diktojnë atë! Dhe ky nuk është më thjesht një perceptim i ndonjë grupi njerëzish, por duket çdo ditë e më tepër, si një realitet i përditshëm që po na kërrus e po na merr peng të ardhmen. Institucionet që bëjne sikur po na shërbejne çdo ditë ecin mbi dy binarë: binari i interesit privat dhe binari i interesit klanor. Ajo që mungon është binari publik, të cilin këta kanë harruar prej vitesh. Individë krejtësisht të paaftë për postin, të cilët e konsiderojnë “pronë” vendin e tyre të punës. Çfarë mund të presim nga institucione që drejtohen me këtë model?! Me njerëz që kanë pranuar të jenë skllevër.
Të gjitha këto janë shqetësuese jo vetëm për mua por për te gjithë ata që e shohin realitetin në sy , ata te cilët jetojnë me këmbë në toke dhe ndeshen çdo ditë me këtë valë paaftësie qe na ka pushtuar dhe po na “zenë frymën” e cila ështe padyshim e dëmshme për të ardhmen e këtij vendi, e në veçanti gjeneratave të reja të cilat po helmohen me këto dukuri të shëmtuara.

Ndërsa jetojmë çdo ditë me ritimin e kohës gjendemi në një trysni mes shumë dilemave, mes shume pengesave. Por mbi të gjitha mes varfërisë dhe nevojës për të patur njerëz të aftë , profesionistë, të shkolluar, të ditur dhe guximtare , e mbi të gjitha gjendemi mes nevojës se madhe për njerëz që bëjnë shtet! ”
Dhe më vjen keq ta them por tashmë injorantët me lekë dhe atyre që bëjnë lek në kurriz të tjereve që janë dhe rraca më e rrezikshme e injorantëve, po tërheqin mbarë një popull prej hunde drejt humnerës së shfarosjes intelektuale.

Rraca e tyre ka kapur majat kudo,në institucionet e arsimit, shkencës, biznesit, medias, artit, politikës, ata mbajnë njëri tjetrin, dhe su bëhet vonë për asgjë, pazari i tyre është sa injoranca e tyre, e pakufi.
Dhe keto fenomene për fatin e keq i gjejm kudo në çdo qytet të Shqiperise.