Ish-Presidenti i Shqipërisë: Shqipëria ka ndryshuar por mua nuk më pëlqen, i pakënaqur nga SPAK

126
Sigal

Korrupsioni është rritur, jam i pakënaqur nga puna e SPAK, të punojë më fort t’u bjerë në kokë të këqijave. Peshku qelbet nga koka, duhet të jenë të ashpër

Ish-presidenti i Shqipërisë gjatë viteve 2002 – 2007 Alfred Moisiu gjatë një interviste nuk nguroi të shprehte shqetësimin dhe zhgënjimin nga SPAK. Sipas ish-presidentit, SPAK duhet të godasë më fort. “Korrupsioni është rritur, jam i pakënaqur nga puna e SPAK, të punojë më fort t’u bjerë në kokë të këqijave. Peshku qelbet nga koka, duhet të jenë të ashpër”, tha Alfred Moisiu gjatë një interviste të gjatë të hënën në formatin Breaking në Top News. Ai nuk nguroi të shpreh opinionet e tija të sinqerta për treshen e famshme të politikës Berisha – Rama – Meta. Për Sali Berishën ish-presidenti tha se nuk e kuptonte sesi ai vijon të mbaj ende fjalime, “Nuk e kuptoj si Berisha është në arrest dhe mban fjalim natë për natë. Është sfidë kjo për drejtësinë dhe drejtësia duhet ta rregullojë këtë, duhet rregulluar”. Moisiu e vlerësoi punën e kryeministrit dhe tha se Shqipëria ka ndryshuar shumë por se ai nuk e pëlqen këtë ndryshim. Sipas tij Rama ka bërë edhe punë të mira, por ka bërë edhe të këqija.  “Rama ka një tufë me gabime por ka dhe punë të mira ndaj unë e quaj me një sy, jo me dy. Shqipëria ka ndryshuar, por unë për vete jam i pakënaqur”, tha ai. I pyetur nga moderatori Xhoi Malësova sa i takon pasardhësit të tij në detyrë Ilir Metës që për një kohë të gjatë ka qenë figurë dominante në politikë nëse ka ende impakt Ilir Meta në politikë apo është zbehur, ish-presidenti shqiptar e vlerësoi Kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta si një njeri punëtor por që sipas tij ka bërë edhe gabime. “Ilir Metën e njoh herët, është djalë punëtor, por ka bërë gabime. Ka një pasuri që nuk e di domethënë, edhe unë isha president, unë jam me një shtëpi 52 vjet që në 72’. Pse nuk doja unë pallate? Me rrogë nuk bëhet …  unë nuk i blija dot. Unë jam i edukuar, duhet t’i japësh vendit tënd, jo t’i marrësh. Kështu jam përpjekur t’i edukoj edhe fëmijët e mi”. Intervista e tij nuk la pa përmendur edhe të fshehtat e paktit Rama-Berisha. Ai tregoi prapaskenat e kësaj marrëveshje të vitit 2007 që nga ngujimi i tyre e derisa dolën me një kompromis për zgjedhjet e atij viti. “Ishte viti 2007, në prag të zgjedhjeve lokale, mirëpo Partia Socialiste nuk donte të merrte pjesë në zgjedhje, sepse nuk kishin garanci për lirinë e votës. OSBE nuk arriti asgjë dhe po vinte koha e zgjedhjeve. Vijnë te unë partitë e vogla dhe më thanë: Çfarë do bëhet? U shqetësova dhe thirra njerëzit e duhur. Ramë dakord dhe në janar jemi mbledhur në presidencë gjithë kryetarët e partive parlamentare dhe kemi ndenjur 2 ditë. Do mblidhemi t’i japim rrugë kësaj pune. I ndava dy grupe dhe pas dy ditëve u firmos marrëveshja. Kemi dhe një foto historike nga ai moment” – , tha ai për ‘Breaking’.