Irina Bokova-Bujar Nishani: Ruani dhe reklamoni vlerat e kombit shqiptar

433
Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti dje në një takim, Drejtoren e Përgjithshme të UNESCO-s, zonjën Irina Bokova, e cila ndodhet në vendin tonë për një vizitë zyrtare. Presidenti Nishani vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm të deritanishëm ndërmjet Shqipërisë dhe UNESCO-s, konkretizuar përmes zbatimit të projekteve konkrete, lokale, ndërkufitare dhe rajonale, si dhe nënvizoi angazhimin tonë në mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore, jo vetëm si pjesë të rëndësishme e identitetit tonë, por edhe si një mjet për të promovuar turizmin kulturor, duke veçuar gjithashtu mjedisin, arsimin dhe ruajtjen e traditës, si fusha ku ky bashkëpunim mund të thellohet më shumë në të ardhmen. Znj.Bokova u shpreh se, ka ardhur me dëshirën e mirë për të hulumtuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit për një arsim më cilësor, për të kontribuar më shumë për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, mjedisin dhe biodiversitetin, vlera shumë të rëndësishme për Shqipërinë, rajonin dhe më gjerë. Presidenti Nishani dhe Drejtorja e UNESCO-s, Bokova, ndanë mendimin se bashkëjetesa dhe harmonia fetare janë vlera të çmuara të shoqërisë dhe kombit shqiptar, të cilat duhen ruajtur dhe reklamuar si një shembull dhe kontribut, për promovimin e tolerancës, paqes e mirëkuptimit në rajon, Evropë dhe në një botë, ku dialogu ndërkulturor dhe ndërfetar, duhet të zënë vendin e shfaqjes së fenomeneve të mostolerancës dhe keqkuptimit.