Ilir Meta: Toleranca fetare fton politikanët për të qenë akoma më bashkëpunues

435
Sigal

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta bëri një vizitë dje në Komunitetin Mysliman, ku u prit në një takim nga kryetari i ri i këtij komuniteti, z. Skënder Bruçaj. Gjatë takimit, z. Meta i uroi z.Bruçaj suksese në këtë detyrë shumë të rëndësishme për të mirën e këtij komuniteti me vlera të jashtëzakonshme. “Ishte një kënaqësi e veçantë për mua si Kryetar i Kuvendit për të vizituar sot Kryetarin e ri të zgjedhur të Komunitetit Mysliman, Shkëlqesinë e Tij, z. Skënder Bruçaj dhe t’i uroj suksese në këtë detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme, jo vetëm për të mirën e këtij komuniteti me vlera të jashtëzakonshme. Por njëkohësisht, dhe për të vijuar me sukses ashtu sikurse ka qenë dhe është një traditë e shkëlqyer në vendin tonë, kontributi për bashkëjetesën, për harmoninë dhe për tolerancën ndërmjet të gjithë këtyre komuniteteve”,-tha z. Meta në një prononcim pas takimit. Kryetari i Kuvendit theksoi se, shembulli i shkëlqyer i bashkëjetesës fetare në vendin tonë fton të gjithë politikanët të jenë më bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës në kontribut të rritjes së harmonisë dhe paqes sociale. “Sepse është një tolerancë, është një bashkëjetesë, e cila na fton të gjithëve sidomos ne politikanëve për të qenë gjithashtu akoma më shumë tolerant, më bashkëpunues, më gjithëpërfshirës në respekt dhe në kontribut të rritjes së harmonisë dhe të paqes sociale në vend”,-deklaroi z. Meta, i cili vlerësoi edhe aspiratat e kryetarit të ri të Komunitetit Mysliman në shërbim të perspektivës evropiane të shoqërisë sonë.

Nga ana e tij, Kryetari i Komunitetit Mysliman, z. Skënder Bruçaj, pasi falënderoi z. Ilir Meta për vizitën, shprehu mbështetjen e tij në vazhdimin e traditës dhe harmonisë ndërfetare. Z. Bruçaj siguroi se, Komuniteti Mysliman do të jetë një nga kontribuuesit më të mirë në lidhje me zhvillimet pozitive në çdo aspekt.