Intervista e Presidentit Meta për “Ora News” me gazetaren Beti Njuma

593
Sigal

30 prill 2019

Gazetarja (Beti Njuma): Zoti President, së pari ju falënderoj për intervistën! Ju sot në mesditë zhvilluat një takim me partitë e Qendrës së Djathtë. Çfarë solli ky takim? Ju paralajmëruat rrezikimin e pluralizimit politik në Shqipëri. Një deklaratë e fortë nga kreu i shtetit.

Presidenti Meta: Besoj se ky takim ishte një mesazh i qartë që duhen shtuar përpjekjet dhe kontributet nga të gjithë për të evituar rrëshqitjen e pakthyeshme drejt një krize të pakontrolluar, e cila padyshim që vë në diskutim edhe vetë pluralizimin politik, por edhe vetë bashkëjetesën demokratike të arritur me aq sakrifica për gati tre dekada, duke pasur në konsideratë faktin që të gjitha partitë parlamentare opozitare të zgjedhjeve të fundit të përgjithshme të vitit 2017, jo vetëm kanë vendosur në bllok, si forca politike, të largohen nga parlamenti, por njëkohësisht kanë marrë një vendim tjetër për t’u mos regjistruar në zgjedhjet e dekretuara vendore, tashmë prej kohësh, të 30 qershorit.

Ka qenë një takim, me kërkesën e tyre, të forcave politike, dhe padyshim mendoj se takimet janë të rëndësishme dhe janë të domosdoshme. Dhe të gjithë duhet të reflektojnë për të mos vazhduar askush nga pozitat e “të fortit” pikërisht atje, në tehun e buzës së greminës, sepse sikurse e kam thënë edhe më parë, pikërisht atje këmba mund edhe të rrëshqasë jashtë vullnetit, për të shkuar në një krizë të paparashikuar.

Unë shqetësimet e mia i kam ngritur me kohë dhe besoj se i sqarova edhe drejtuesit e këtyre partive mbi përpjekjet e mia të vazhdueshme, – të cilat kanë qenë edhe publike, por edhe jopublike, por shumë të mirë dokumentuara, – për të parandaluar një situatë të tillë, sepse edhe mungesa e dialogut padyshim që do të akumulojë një hendek, që do të çojë në krizë dhe sigurisht këtu një problem mjaft serioz ka qenë e mbetet, aq më tepër duke pasur në konsideratë përmasat e kësaj krize, mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Problemet janë të mëdha të sistemit gjyqësor, të cilat në bindjen time, nuk vijnë nga reforma në drejtësi, por nga mënyra e njëanshme, jashtë dialogut politik dhe në mungesë të respektit shpesh herë të parimeve kushtetuese dhe të afateve kushtetuese, për krijimin në kohë të institucioneve, të cilat do ta kishin evituar një situatë të tillë.

Më duhet të theksoj këtu për hir të së vërtetës, por edhe të problemit që është krijuar, që unë kam qenë kundër “vetting-ut” për Gjykatën Kushtetuese kur ka nisur procesi i reformës në drejtësi, dhe kjo ka qenë për arsye, sepse kam pasur shqetësimin që mund të kemi një situatë kur…

Gazetarja: …anormaliteti?

Presidenti Meta: …kur mund të kemi një anëtar, që i ka mbaruar mandati, por qoftë edhe sikur dy-tre anëtarë të mungojnë nuk është pak për një trupë kaq të kufizuar e me kaq përgjegjësi siç është Gjykata Kushtetuese. Edhe për arsye të tjera, sepse Gjykata Kushtetuese në Shqipëri dhe në tërësi ka qenë një institucion i respektuar dhe i pranuar nga të dyja palët. Pra, qoftë nga e majta kur ka qenë në opozitë apo qoftë edhe nga e djathta kur ka qenë në opozitë, dhe në tërësi Gjykata Kushtetuese ka marrë vendime në përputhje me interesin kombëtar apo me interesin publik. Megjithatë kam marrë të gjitha garancitë që kjo gjë nuk do të ndodhte, dhe unë e di shumë mirë që qoftë në pozitën time si kryetar i Kuvendit, kur jam kujdesur që çdo gjë të shkonte perfekt në shortin e KED-së të hedhur në dhjetor të vitit 2016, por edhe si President i Republikës në përpjekjen time për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare dhe për të shmangur çdo situatë “ekstra ligjore” për krijimin e KED-së. Pra i kam bërë të gjitha përpjekjet e mia dhe për fat të keq kemi humbur më shumë se dy vjet dhe për këtë natyrisht që unë s’e fajësoj dot opozitën.

Gazetarja: Te mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë ju e shihni edhe zanafillën e kësaj krize…

Presidenti Meta: Në rast se ne do të kishim sot, më falni, në qoftë se ne do të kishim sot një Gjykatë Kushtetuese funksionale e të besueshme, unë do të mbaja fjalimet më të zjarrta kundër sabotimit që po i bën opozita në Shqipëri kundër integrimit europian apo ku e di unë se çfarë po bën tjetër. Por më duhet të them se opozita nuk ka asnjë përgjegjësi për faktin se Shqipëria sot nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Nuk dua të them se cilët janë përgjegjësit. Presidenti ka bërë të gjitha përpjekjet, të cilat janë të mirëdokumentuara, që gjithçka të bëhet në respekt të Kushtetutës, me konsensus për të parandaluar një situatë të tillë dhe nuk mund të them se opozita ka ndonjë përgjegjësi mbi të gjitha problemet e zbatimit të reformës në drejtësi deri tani.

Gazetarja: Në këtë kontekst kur flisni për përshkallëzimin e kësaj situate, për çfarë e keni fjalën? Deri ku mund të përshkallëzohet situata?

Presidenti Meta: Nuk e di se çfarë presim më shumë në rast se bëjmë sikur nuk e shohim që sistemi i rregullave të lojës demokratike ku në radhë të parë, kemi edhe garancitë kushtetuese të vetë kësaj bashkëjetese demokratike, që është tronditur rëndë, dhe në rast se vazhdojmë të mos e shohim përpara humnerën drejt së cilës do të ecim, atëherë nuk bëjmë gjë tjetër veçse gënjejmë veten dhe përsërisim gabime tepër të rënda që i kushtojnë vendit më shumë se kujtdo tjetër.

Gazetarja: Tryeza e sotme ishte në kuadër të përpjekjeve që po bën Presidenti i Republikës për të…

Presidenti Meta: Nuk është tryezë.

Gazetarja: … për të kthyer normalitetin?

Presidenti Meta: …nuk ishte tryezë. Ky ishte një takim. Unë kam pasur edhe takime të tjera, që nuk i kam mediatizuar…

Gazetarja: Me kryeministrin, keni biseduar?

Presidenti Meta: Më falni! Nuk shikoj arsye për t’i mediatizuar, sepse nuk dëshiroj pritshmëri të mëdha nga angazhimi i Presidentit, për shkak edhe të mungesës së instrumenteve kushtetues të Presidentit për të parandaluar apo të dekurajuar një situatë të tillë, jo vetëm përmes mesazheve apo veprimeve të tij. Unë padyshim që do të takohem me të gjithë, jo vetëm me kryeministrin, por edhe me përfaqësues të tjerë politikë, por edhe me përfaqësues të shoqërisë civile. Edhe me shumë njerëz të tjerë të përgjegjshëm, të cilët kanë përgjegjësi për vendin, sepse kjo nuk mund të kthehet në një lojë “të fortësh” dhe më pas askush të mos mbajë përgjegjësi për pasojat që mund të vijnë.

Shpresoj që të gjithë të reflektojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse e gjithë kjo krizë konsumon jo vetëm energji për vendin, por nuk është e mirë as për atë vlerësim që Shqipëria ka pasur apo për ato pritshmëri që janë për rolin që duhet të luajë për stabilitetin në rajonin tonë.

Gazetarja: Zoti President, pa e paragjykuar nëse do të sjellë rezultat apo jo kjo nismë e juaja për tryezën me partitë politike, a mund të ndërmarrë kreu i shtetit ndonjë iniciativë tjetër? Le të themi një dekret për ta shpërndarë parlamentin në rast se nuk do të gjendet një zgjidhje? Deri ku mund të shkojë iniciativa juaj për ta zgjidhur këtë krizë?

Presidenti Meta: Unë dua t’ju siguroj ju, dua t’i siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se Presidenti është përpjekur të bëjë gjithçka për të parandaluar një situatë të tillë. Sidomos situatën në të cilën ndodhet vendi pa Gjykatë Kushtetuese.

Këto, e theksoj edhenjë herë, janë përpjekje të mirëdokumentuara, janë përpjekje për fat të keq, më lejoni ta theksoj, që janë minuar dhe natyrisht jo nga opozita, sepse nuk mendoj që opozita ka interes – cilado që të jetë ajo opozitë sot apo nesër – që të mos ketë Gjykatë Kushtetuese ku ajo të ankohet në çdo rast.

Dhe në këtë drejtim, Presidenti po kështu ka informuar edhe partnerët ndërkombëtarë prej kohësh në mënyrë sistematike, që edhe ata të merrnin përgjegjësitë e tyre, sepse kjo reformë nisi me angazhimin e tyre për të kontribuar, jo vetëm për hartimin e reformës, por edhe për zbatimin e saj në përputhje me parimet e Kushtetutës, në përputhje me shtatë ligjet e reformës dhe gjithçka tjetër dhe të mos vijmë në një situatë ku askush nuk mban përgjegjësi.

Gazetarja:A nuk e shihni se ka një distancimtë faktorit ndërkombëtar nga veprimet e opozitës? Nga braktisja e Parlamentit, nga protestat….

Presidenti Meta:Unë nuk pres që dikush të vlerësojë veprimin e opozitës në drejtim të lënies së mandateve….

Gazetarja:…Por edhe nga mospranimi i zgjedhjeve të parakohshme…

Presidenti Meta:….apo edhe përsa i takon çështjes së mosregjistrimitnë zgjedhje. Këto unë i vlerësoj si qëndrime të papranueshme, ashtu sikurse për mua është e pamoralshme të dëgjoj çdolloj ndërkombëtari qëështë përpjekur apo që përpiqet të justifikojë problemet serioze e madhore, me të cilat është ndeshur zbatimi i reformës në drejtësi – sepse për dy muaj bëhen tre vite nga miratimi i reformës me konsensus – pra, të gjitha këto me faktin që kemi suksese të mëdha dhe duke përdorur disa statistika sipërfaqësore të procesit të“vetting”-ut.

Kjo për mua është e papranueshme, sepse në asnjë vend demokratik, në asnjë vend të Bashkimit Europian, vendi nuk mund të qëndrojë edhe një minutë pa Gjykatës Kushtetuese. Ky nuk është një standard që meritojnë qytetarët shqiptarë dhe ky nuk është një standard, që demokracinë tonë dhe vendin tonë e ndihmon edhe për të çelur më shpejt negociatat me BE-në, pavarësisht nga rekomandimet pozitive.

Gazetarja:Flisni për mungesë të sistemit të drejtësisë, për mosfunksionimin të Gjykatës Kushtetuese, ama më shumë se një herë Kryeministri ju ka akuzuar për shkelje të Kushtetutës. Veçanërisht po të kemi parasysh rrëzimin e dekreteve…

Presidenti Meta:Të gjitha dekretet që Presidenti i Republikës ka kthyer kanë qenë në mënyrë të qartë në shkelje të Kushtetutës. I vetmi dekret qëështë kthyer për t’i dhënë një mundësi kërkesave të studentëve që të merreshin në konsideratë, ka qenë ai për buxhetin e shtetit.

Dhe ky është kthyer pasi drejtuesit e grupit parlamentar të shumicës në seancën plenare përkatëse kanë paraqitur si argument që nuk mund të reflektoheshin në buxhetin e shtetit këto kërkesa për arsye, sepse projekt-buxheti kishte shkuar te Presidenti për t’u konfirmuar.

Kështu që nëkëtë drejtim unë jam tepër i qetë, i kam kryer të gjitha detyrat e mia. Do t’i kryej me përgjegjësi të plotë dhe shpresoj që secili të reflektojë për t’ua kursyer shqiptarëve një histori, që ata nuk e meritojnë pas tre dekadash, jo vetëm pluralizëm, por edhe arritjesh, edhe të reflektojmë të gjithë më shumë përgjegjshmëri.

Gazetarja:Zoti President, opozita ka deklaruar se do të pengojë me çdo mënyrë mbajtjen e zgjedhjeve, procesin e votimit, nëse kryhen më 30 qershor. Nuk do të ishte edhe kjo në shkelje të Kushtetutës?

Presidenti Meta:Nuk jam këtu për të bërë parashikime se çfarë do të ndodhë më 30 qershor.

Le të shpresojmë që më datën 30 qershor zgjedhjet do të zhvillohen në mënyrën më të qetë dhe më demokratike dhe që opozita apo opozitarët do të rrinë në shtëpi apo që do të shkojnë për pushime meqenëse është edhe 30 qershor, ata që mund të kenë mundësi. Unë mendoj që duhet t’ia kursejmë edhe në këtë rast…

Gazetarja:Çfarë zgjedhjesh do të ishin këto pa opozitën?

Presidenti Meta:Më fal, edhe në këtë rast, në rastin më të mirë dhe që unë do të doja të ishte kështu dhe opozita jonë të ishte opozita më paqësore, mëkokulur në botë, përsëri kjo do të ishte një shëmti politike që nuk do kapërdinte askush, dhe jam i bindur as vetë socialistëte thjeshtë e të përgjegjshëm.

Gazetarja:Zoti Meta si i interpretoni sinjalet e deritanishme nga Samiti i djeshëm i Berlinit? Sidomos sa i takon çështjes së integrimit të Shqipërisë në BE. Sinjalet janë që nuk do të marrim dritën jeshile për në qershor, data është shtyrë për në shtator.

Presidenti Meta:Kjo pyetje nuk më habit ose kjo situatë nuk më habit. Është dramatike do të thosha që të bëjmë sikur jemi në rrugën e duhur, kur nuk është kështu. Dhe natyrisht që këtu mendoj që nuk është vetëm përgjegjësia jonë si klasë politike e Shqipërisë, por nuk jam këtu për të bërë gjykime për të tjerët, sepse mendoj që ne duhet t’i nxjerrim përgjegjësitë te vetja jonë.

Unë vitin e kaluar vetëm një ditë pas vendimit të Këshillit për shtyrë marrjen e vendimit pra për një vit më vonë, kam thënë se siç iku nga sot-dje një ditë, kështu do të ikë dhe një vit.

Prandaj, duhet menjëherë të fillojëpozita-opozita dialog të mirëstrukturuar për të gjitha çështjet kyçe të integrimit në mënyrë që të tregojmë me prova, me rezultate bindëse se Shqipëria e meriton çeljen e negociatave, jo vetëm për t’i dhënë statistika suksesi Europës, por në radhë të parë për të dhënë mesazhe pozitive të forcimit të institucioneve, të rritjes së sigurisë së përgjithshme në vendin tonë.

Sepse kemi parasysh që ende mbetet një shqetësim, jo vetëm krimi i organizuar, por mbetet një shqetësimedhe largimi i të rinjve dhe i forcave krijuese nga vendi.

Gazetarja:Në optikën tuaj, kemi bërë hapa para apo pas? E meritojmë çeljen e negociatave?

Presidenti Meta: Së pari, absolutisht që përgjigja imë në çdo rast është qëShqipëria e meriton integrimin europian, çeljen e negociatave, anëtarësimin në BE për shkak të vokacionit të fortë europian të popullit shqiptar, por edhe të qytetarëve shqiptarë.

Përsa i takon çështjes së standardeve, unë do të dëshiroja që përsëri të isha optimist, por kjo situatë në të cilën ne ndodhemi, absolutisht që na tregonqë shumë standarde të funksionimit të institucioneve në vendin tonë nuk janë aty ku duhet të ishin.

Në këtë drejtim çdo vazhdim në këtë rrugë të gabuar pa një reflektim të të dyja palëve në emër dhe të këtij interesi të përbashkët europian, përveç interesit kombëtar,interesit social e qytetar, absolutisht që vetëm sa na largon, jo vetëm muajt e ardhshëm, por edhe në vitet e ardhshme.

Për arsye sepse zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një kriter i patjetërsueshëm i procesit tëintegrimit europian, sepse nga ato burojnë të gjitha institucionet demokratike që garantojnë demokracinë në një vend të besueshëm.

Gazetarja:Zoti President, dje gjatë Samitit, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka deklaruar se nëse nuk hapen negociatat nga BE për vendin e tij, atëherë ai do të japë dorëheqjen. A është ky një standard që do të duhej ta respektonte apo vendoste edhe Kryeministri shqiptar?

Presidenti Meta:Për mua duhet të ngrihen të paktënstandardet që vendosi Ramiz Alia pas vendosjes së pluralizmit politik nëShqipëri në radhë të parë dhe pastaj këto janë çështje të tjera për të marrë vendime më të forta si ky rast apo jo, por kjo nuk është një çështje që më takon mua ta vlerësoj.

Për mua si President i Republikës është e rëndësishme që të dyja palët, pra si mazhoranca – e cila ka dhe përgjegjësinë kryesore për arsye, sepse ka qeverisjen e vendit dhe nuk qeveris vetëm për shumicën, por qeveris për të gjithë qytetarët, sepse taksapagues janë të gjithë qytetarët shqiptarë, janë edhe ata të cilët dalin në mitingjet e opozitës – por edhe nga ana tjetër opozita të gjejnë pikat e përbashkëta të takimit për të forcuar bashkëjetesën demokratike në vend.

Dhe kjo gjë nuk duhet bërë për shkak të raporteve personale të cilat duhet të ishin më të mira, por për të respektuar qytetarët shqiptarë dhe këtë bashkëjetesë që sidoqoftëne në tre dekada e kemi arritur dhe nuk kemi asnjë arsye që ta rrezikojmë.

Gazetarja: Samiti i Berlinit, duket se ka mbyllur përfundimisht edhe një çështje shumë të debatuar siç është ajo e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Një çështje shumë e debatuar, megjithatë dje Oresidenti Hashim Thaçi, sërish ka kërkuar ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dukej sikur bënte karshillik.

Presidenti Meta: Unë nuk mund të bëjë komente të ndryshme. Qendrimi im para Samitit të Berlinit,por edhe pas Samitit të Berlinit, do të ketë Samit edhe nëFrancë, është për vazhdimin e dialogut Serbi-Kosovë. Ky ka qenw dhe wshtw qëndrimi im, i shprehur qoftë me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara,mepërfaqësues të Gjermanisë dhe BE-së dheme të gjithë udhëheqësit e Kosovës, përfshirë këtu edhe kryeministrin tonë zoti Rama edheish-ministrin e jashtëmBushati, i cili ka qenë aktivë kur është çelur kjo temë.

Për udhëheqësit e Kosovës është shumë e rëndësishme në çdo hap që do të hedhin të bashkëveprojnë ngushtë më Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shak të asaj që SHBA kanë bërë për Kosovën, por edhe për rolin e jashtëzakonshëm që kanë në NATO.

Me Gjermaninë, për shkak të faktit që garant më të sigurt për të ardhmen europiane të Kosovë dhe Serbisë, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian , më mirë se Gjermania është e vështirë që të gjejnë sot.

Kam për të shtuar dhe një vend tjetër që, mund ta them sot publikisht, Britania e Madhe, për shkak të angazhimit të jashtëzakonshëm që ka patur për çështjen e Kosovës dhe për sigurinë e rajonit. Përveç edhe faktit që është një vend, anëtar i rëndësishëm i Këshillit të Sigurimit. Natyrisht, jam i lumtur që Franca ka gjetur mundësinë që të ketë një protagonizëm më të spikatur në këtë moment dhe kjo është pozitive. Është shumë pozitive që lidershipi i këtyre vendeve po përqëndrohet në këtë temëdhe kjo është normale,pas kalimit me sukses të zgjidhjes sëçështjes së Maqedonisë së Veriu, e cila ndodhi përveç të tjerash edhe për shkak të bashkëveprimit shumë të mirëtë Shteteve të Bashkuara me Bashkimin Europian dhe meGjermaninë. Unë, shpresoj përsëri tëkemi një bashkëveprim të koordinuar mirë midis tyre dhe kjo do të ishte garancia më e madhe se e ardhmja e Kosovës, është nje ardhmee sigurtë , një e ardhme europiane , jo vetëm e Kosovës dhe e Serbisë , por egjithë rajonit tonë.

Gazetarja: Ju keni mbajtur njëqëndrim qartësisht kundër ndryshimit të kufijve midis Serbisë dhe Kosovës, një qëndrim qënuk ka qenë i njëjtë me atë të kryeministrit Rama.

Presidenti Meta: Unë, jam President i Republikës së Shqipërisë. Republika e Shqipërisë, është ndër të parat që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe më duhet të theksoj që, edhe sot është shumë e rëndësishme qëShqipëria, t’i qëndrojë pavarësisë së Kosovës, t’i qëndrojë vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që duhet të përmendet dhe të theksohet gjithnjë edhe më shumë. Por, i takon udhëheqësve të Kosovës, se Kosova ka institucionet e saj. Përsa i takon dialogut me Serbinë, të marrin vendimet të cilat mbrojnë më sëmiri interesat e Kosovës dhe këtë do ta bëjë në respekt të interesve të tyre dhe në koordinim të ngushtë me këta tre partnerë, të cilët janë ata që kanë investuar më shumë për atë që Kosova është sot. Pa nënvleftësuar partnerët e tjerë por mendoj që këta partnerë, kanë patur një rol kyç,që do ta kenë dhe në të ardhmen një rol të rëndësishëm për rajonin.