Ilir Meta: Vetsakrifica për të shmangur “juntën” që po vendoset në Shqipëri

534

Në një deklaratë nga Pogradeci, Presidenti Ilir Meta tha se vendi gjendet në një krizë kushtetuese, si dhe shpalli se ai është i gatshëm të japë dorëheqjen ose të sakrifikojë jetën për të ndaluar atë që e cilësoi, si vendosjen e një junte në Shqipëri. Në lidhje me situatën politike në Shqipëri ai deklaroi:

Sigal

-Zoti President, jeni shprehur vazhdimisht që vendi po kalon një krizë përfaqësimi dhe kushtetuese. Kur shpreheni kështu, çfarë keni parasysh Zoti President?

Presidenti Meta: “Duhet ta theksoj se kriza kushtetuese dhe institucionale nuk është e re. Arsyet dhe argumentet besoj se i kam dhënë edhe më parë pse jemi në një situatë të tillë ku jo vetëm prej kohësh nuk kemi Gjykatë Kushtetuese dhe pothuajse i gjithë sistemi gjyqësor është i paralizuar, por njëkohësisht edhe janë minuar përpjekjet apo qoftë edhe iniciativat, interesimi i veçantë i Presidentit për të parandaluar krijimin e kësaj krize nga aktorë të caktuar. Pra kemi një krizë, që në vlerësimin tim është e qëllimshme dhe, e cila ka rrezikuar rendin kushtetues në Republikën e Shqipërisë dhe po kështu, jo vetëm të gjitha garancitë demokratike, por edhe të drejtat e qytetarëve dhe të grupeve të caktuara të interesit. Tani kriza është thelluar dhe është rënduar edhe më tej pas veprimit të paprecedent të opozitës shqiptare, që është një veprim i papranueshëm dhe i dënueshëm nga ana ime, që ka thelluar seriozisht krizën e përfaqësimit të Kuvendit të Shqipërisë si institucioni kryesor përfaqësues i Republikës së Shqipërisë dhe i qytetarëve shqiptarë.

Në vlerësimin dhe në bindjen time institucionale Kuvendi i Shqipërisë ka 82 deputetë të ligjshëm, përfshirë edhe 3 deputetët e opozitës, të cilët nuk pranuan të djegin mandatet sipas vendimit politik të partive përkatëse. Çdo numër tjetër përtej këtij, jo vetëm që thellon këtë krizë, por sigurisht që nuk ndihmon as kapërcimin e kësaj situate, pasi çdo numër tjetër është i kontestueshëm në të gjitha planet. Si në planin kushtetues, në planin ligjor, në atë procedurial dhe politik, në planin moral, dhe absolutisht që në vendin tonë si një vend tërësisht pro-evropian, mund të ftohen, mund të thërriten edhe një milion qytetarë, të cilët kanë mbushur moshën për të qenë deputetë e që nuk kanë frikë të plotësojnë formularin e dekriminalizimit për të votuar në parlament ligje të reformave të integrimit evropian, por kjo duhet t’i sigurojë të gjithë që as nuk e fsheh këtë krizë të thellë përfaqësimi, dhe njëkohësisht as nuk e garanton, përkundrazi e minon, çeljen e negociatave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Nuk mund të ketë zgjidhje për këtë krizë, as në mënyrë ultimative apo përmes retorikave që nxisin veprime të dhunshme, as me metoda policore, as me metoda financiare, por vetëm me një dialog politik të shpejtë, serioz dhe të përgjegjshëm , duke respektuar Kushtetutën, duke respektuar ndarjen e pushteteve.”

 –Zoti President, në kushte të tilla roli i juaj, pra duke qenë mbi palët, cili është? A jeni i gatshëm Ju për t’i ulur palët në dialog?

“Dua t’ju siguroj ju dhe të gjithë qytetarët shqiptarë që, Presidenti Ilir Meta nga dita e parë e deri më sot ka bërë të gjitha përpjekjet për të parandaluar këtë krizë, e cila ka shumë dimensione. Këto janë të dokumentuara dhe nuk do doja t’ju merrja kohë ju dhe qytetarëve për atë se çfarë unë kam bërë për të parandaluar këtë situatë dhe për të dhënë mesazhin para BE-së që, ne jemi një vend që këtë projekt e kemi projekt kombëtar të përbashkët të mazhorancës, opozitës. Që ne jemi të aftë dhe të përgatitur për të çelur negociatat, që pozitë dhe opozitë të kenë një kryenegociator të përbashkët dhe të punojmë për pesë prioritetet kyçe duke respektuar rregullat e demokracisë. Të gjitha këto përpjekje deri tani, për fat të keq, kanë dështuar, jo për përgjegjësinë time, por për faktin se aktorë të caktuar nuk kanë dashur të marrin përgjegjësitë e tyre dhe në këtë mënyrë kemi ardhur deri këtu.”

-A duhet që forcat politike të bëjnë sakrificë zoti President?

“Ajo që mund t’ju them ju, zotit Rama si Kryetar i shumicës në Parlament, që mund t’i them edhe zotit Basha si Kryetar i opozitës, por dhe gjithë qytetarëve shqiptarë socialistë, demokratë apo pa parti, të cilët kanë shqetësimin e stabilitetit të vendit dhe duan siguri dhe nuk duan vetëm kaq, duan dhe çeljen e negociatave, duan ecje përpara drejt anëtarësimit në BE: Presidenti Ilir Meta është shumë i ndërgjegjshëm për rrënjët e kësaj krize. I ka paralajmëruar aktorët vendas dhe ndërkombëtarë prej kohësh, që situata mund të shkojë drejt zhvillimeve të paparashikuara. Është e rëndësishme të evitojmë çdo përshkallëzim të krizës, e cila mund të sjellë konfrontime, të cilat i kemi parë në të kaluarën dhe që kanë cenuar rëndë interesin e vendit, kanë cenuar dhe jetën, të drejtat dhe pronën e qytetarëve dhe kanë vonuar proceset integruese të Shqipërisë. Për këtë qëllim, unë i ftoj të gjithë të mos sakrifikojë vendin për karriget e tyre apo për ambiciet e veta. Në këtë drejtim, edhe pse nuk kam asnjë përgjegjësi për këtë situatë që është krijuar edhe pse kam bërë çdo përpjekje prej gati dy vitesh në këtë detyrë, për të parandaluar një situatë dhe një krizë të tillë, përsëri jam i gatshëm unë i pari të sakrifikoj në emër të një zgjidhjeje politike që rivendos normalitetin kushtetues, institucional, politik, demokratik në vend dhe që garanton ecjen e shpejtë drejt çeljes së negociatave në BE, jam i gatshëm për të dyja ekstremet. Që nga dorëzimi i mandatit tim si President pasi të sigurohem që vendi ka një zgjidhje politike parimore, kushtetuese, solide që e çon përpara, e deri tek sakrifikimi i jetës sime si Salvador Aliende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas.

Pra, Ilir Meta është i përgatitur dhe është i gatshëm për të dyja rrugët sepse asnjëherë, pavarësisht nga ambiciet e tij, nuk ka rrezikuar dhe nuk mund të pranojë të rrezikojë as për karrigen e tij, dhe as për ambiciet e tij, as Shqipërinë dhe as demokracinë në Shqipëri.

Unë do t’i qëndroj betimit tim që, midis pushtetit dhe demokracisë, do të mbaj gjithmonë krahun e demokracisë sepse vetëm demokracia garanton një pushtet për popullin shqiptar në mënyrë që të ndalojmë shpopullimin e Shqipërisë.”