Zgjidhja e problemeve shumë të ndjeshme, që lidhen me Autizmin dhe Personat me Aftësi të Kufizuara nuk pret më.
Në kuadër të Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, Partia e Lirisë vjen me propozime konkrete për mbështetjen dhe ndihmën për fëmijët e spektrit të Autizmit, për Personat me Aftësi të Kufizuara dhe për familjet e tyre.
1. Dyfishimi i pagesës mujore, si për Personat me Aftësi të Kufizuara, ashtu edhe për personat që kujdesen për ta.
2. Rimbursim për barnat që do të jepen nga mjeku për Personat me Aftësi të Kufizuara duke hequr kështu një barrë dhe kosto të lartë për familjet.
3. Njohja e kujdestarisë dhe e vjetërsisë në punë për personat që kujdesen për të gjitha kategoritë e Personave me Aftësi të Kufizuara.
4. Krijimi i infrastrukturës së nevojshme në kopshte dhe shkolla për fëmijët me çrregullime të spektrit autik duke ofruar mjedise mësimore gjithëpërfshirëse dhe efektive.
5. Shtimi i mësuesve mbështetës dhe specialistëve të dedikuar për fëmijët me aftësi të kufizuara për të arritur raportin 1 mësues mbështetës/specialist të dedikuar për çdo fëmijë me aftësi të kufizuara.
6. Ndërtimi dhe shtimi i qendrave të dedikuara vetëm për Personat me Aftësi të Kufizuara, ku të bëhet, jo vetëm trajtimi i tyre por edhe diagnostikimi më i hershëm.