Orteku i shkarkimeve, drejtuesit e rinj në institucionet kyçe të Infrastrukturës dhe Energjisë

686
Sigal

Një largim i beftë por edhe i pritshëm nga Operatori i Sistemit të Transmetimit pas skandalit me kompaninë “DH Albania” duket se ishte fillesa e një orteku shkarkimesh drejtuesish brenda institucioneve në varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Të gjitha këto erdhën në të njëjtën kohë me emërimin e ministres së re Belinda Balluku. I pari do të ishte Klodian Gradeci që mbante vendin e administratorit brenda OST prej shtatorit 2017, i cili do të largohej. Në vend të tij do të propozohej Skerdi Drenova.

Skerdi Drenova

Ky i fundit më herët ka mbajtur pozicionin e kreut të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor në Bashkinë e Tiranës. Më herët Drenova kishte punuar për shumë vite në Top Channel, ku mbajti postin e zëvendësdrejtorit të televizionit. Në vazhdën e largimeve, i dyti do të ishte ai i drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qëndro. Ky i fundit u emërua në këtë pozicion pas largimit të Dashamir Xhikës, në shtator 2017, ndërkohë që më herët Qëndro ishte po në këtë drejtori në pozicionin e zëvendësdrejtorit.

Sonila Qato

Largimi erdhi si një efekt zinxhir i të njëjtit skandal të lidhur me “DH Albania”, kompania që fitoi të drejtën e ndërtimit të Lotit 3 të punimeve në “Unazë” me dokumente të falsifikuara. Në krye të ARRSH e emëruar është Sonila Qato. Kjo e fundit u largua nga pozicioni që kishte si ministre për Mbrojtjen e Sipërmarrjes që e mbante që shtatori 2017 ndërkohë që më herët në mandatin e parë të qeverisë Rama, Qato do të ishte në krye të Agjencisë së Trajtimit të Pronës. Gjatë fjalimit që Kryeministri mbajti në ditën kur u njoftuan largimet nga kabineti, ai bëri me dije se Qato do të linte këtë pozicion për diçka të rëndësishme që rezulton të jetë Autoriteti Rrugor Shqiptar. Gjatë javës së shkuar një tjetër emërim i ri ishte ai në Autoritetin Portual Durrës që është sërish në varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Në krye të këtij autoriteti u vendos Genti Tare.

Genti Tare

Më herët ai ka mbajtur pozicionin e konsullit të Shqipërisë në Stamboll. Për t’i lënë vendin Tares u largua drejtori Afrim Bakaj., i cili u emërua nëndrejtor i Autoritetit Portual Durrës

Lëvizjet më të fundit u bënë këtë të hënë ku kreu i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare Agron Hetoja bëri publike dorëheqjen e tij. Në krye të KESH u njoftua emërimi i Benet Becit. Ai ka qenë në krye të Fondit Shqiptar të Zhvillimit që prej vitit 2005. Beci ka qenë edhe Anëtar i Komitetit të Kontrollit të Bankës së Kreditit të Shqipërisë për periudhën Shtator 2005 – Janar 2008 si dhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për periudhën Shkurt 2008 – Tetor 2012.

Benet Beci

Pas largimit të Benet Becit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në krye të këtij institucioni mund të vendoset  Dritan Agolli. Ky i fundit ka qenë më herët në Bashkinë e Tiranës gjatë kohës kur ajo drejtohej nga kryeministri Edi Rama. Në atë kohë Agolli do kishte disa role drejtuese fillimisht tek Punët Publike dhe më pas tek Planifikimi Urban i Bashkisë për të kaluar në fund si administrator.