Ilir Beqaj, jam takuar me sipërmarrësit dhe firmosur kontrata

42
Sigal

 

Lidhur me udhëtimet e mija jashtë shtetit me “miqtë” e mi Umbro Staçini e Ilir Rrapaj i njoh të dy. I kam njohur pasi jam bërë ministër dhe në zbatim të detyrës sime si ministër. Nuk kam zhvilluar ndonjë miqësi të veçantë.

Pothuajse në të njëjtën mënyrë siç ndodhi me ish-zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj edhe ish-ministri Ilir Beqaj zgjodhi facebook për të reaguar mbi aferën e sterilizimit, për të cilën SPAK lëshoi paraprakisht 2 urdhër arreste dhe 6 masa të tjera sigurie. Ish-ministri në një reagim të gjatë të ardhur më së shumti pas zbulimeve nga mediat të udhëtimeve jashtë vendit me persona nën hetim nga SPAK i quajti “rastësi” dhe se sipas tij “vetëm pse je në atë fluturim, kjo nuk është indicie për fajësi”. Ish-Ministri u përpoq të tregoj si sukses “kontratën e sterilizimit” duke thënë se “zbatimi i suksesshëm i kësaj kontrate ka sjellë që në sallat e kirurgjisë të spitaleve publike të ulet ndjeshëm infeksioni spitalor”, -siç tha ai.  Gazeta ‘Telegraf’ publikon më poshtë fjalën e plotë të reagimit të ish-ministrit Ilir Beqaj.

“Prej disa ditësh opinioni publik e ka vëmendjen kryesore te e ashtuquajtura aferë e “sterilizimit”. Duke qenë se çështja është ende në hetim e gjykim nuk e kam parë të udhës të shprehem publikisht. Aq më tepër që kam marrë vesh nga media që gjyqtari ka kërkuar që të hetohem edhe unë. Por për çfarë po i ofrohet publikut ndiej se duhet të informoj për disa gjëra që në fakt janë përsëritje të atyre gjërave që kam thënë në publik në vite. Nuk është fjala për një koncesion. Nuk është një e drejtë apo e mirë publike që iu dha një privati për ta shfrytëzuar, për të bërë biznes për qëllime të tij. Është një partneritet publik – privat ku një operator privat (në këtë rast një bashkim operatorësh privatë) kontraktohet që të ofrojë një shërbim që shteti duhet ta kryejë për qytetarët e vet. Kontrata nuk përbën thjesht dhe vetëm vënien në punë të një centrali sterilizimi në QSUT. Kontrata i kërkon një operatori privat që për të gjithë sallat operatore në Shqipëri ku shërbejnë çdo ditë rreth 430 kirurgë të ofrohet për çdo ndërhyrje kirurgjikale një set instrumentesh kirurgjikalë i personalizuar sipas asaj klase dhe tipi ndërhyrje kirurgjikale ‘Sterilë’, një set me veshje një-përdorimi të tipit ‘TNT’ për shtratin operator dhe trupën mjekësore, dezisfektim i sallës së operacionit dhe trajtimi i mbetjeve të rrezikshme, që krijohen nga veshjet që përdoren dhe përpunimi i tyre në mbetje urbane të parrezikshme. I janë dhënë një operatori të vetëm për të pasur vetëm një ‘Përgjegjës’ për rrezikun e infeksionit spitalor. Zbatimi i suksesshëm i kësaj kontrate në vite ka sjellë që në sallat e kirurgjisë të spitaleve publike shqiptare të ulet ndjeshëm infeksioni spitalor dhe të ulet me të paktën 1,8 ditë-qëndrimi i një pacienti në spital. Nuk është vetëm centrali i QSUT-së, por një rrjet centralesh që ka atë të QSUT-së si primar. Kontrata ka furnizuar të gjithë kirurgjinë shqiptare me më shumë se 100 mijë instrumente kirurgjikal të rinj e modernë. Në shtator 2013 kur unë kam marrë detyrën e Ministrit, vendimi që sterilizimi në QSUT do të kryhej jashtë sallave të operacionit ishte marrë prej vitesh. Në spitalin  e ri të ndërtuar në 2009 me konsulencë të marrë nëpërmjet Bankës së Këshillit të Evropës ishte lënë në katet nëntokë një mjedis për të instaluar një central, ndërsa po prej disa vitesh ishte blerë një central. Nuk ishte inauguruar, sepse të inaugurohet do të thotë të fillojë punë. Nuk ishte vënë ndonjëherë në punë dhe në shtator 2013 pajisjet kishin dalë edhe nga periudha e garancisë. Për zbatimin e kontratës, kontraktori ka të punësuar rreth 250 vetë nga të cilat në centralin e QSUT-së janë vetëm 30 vetë. Kjo dëshmon se kontrata merr përsipër shumë më tepër sesa vënia në punë e centralit. Por përveç vënies në punë të centralit, nuk ishte parashikuar se si do të shkonin instrumente sterilë nga godina e centralit në kirurgjinë pediatrike, në neurokirurgji, kardiokirurgji, në kirurgjinë onkologjike etj. Për atje kalohet nga ambientet e jashtme QSUT. Kush do i transportonte dhe me se do i transportonte pa cënuar sterilitetin e instrumenteve kirurgjikalë. Kush do i kthente përsëri në central për t’u sterilizuar rishtazi. Meqenëse po thuhet se centrali i sterilizimit i QSUT i plotëson të gjitha nevojat e Shqipërisë. Kush dhe me se do i transportonte instrumentet e sterilizuar për tek spitali i Traumës, tek secili nga dy maternitetet, tek spitali “Shefqet Ndroqi”? Kush do i sillte dhe me se do i sillte përsëri në central për t’u sterilizuar rishtazi? Nga zbatimi i kontratës rezulton se vetëm në QSUT, përdoren 935 kontenierë për instrumente, 22 tavolina lëvizëse dhe 80 dollapë për depozitimin e kontenierëve të set-eve pranë depozitave të çdo salle operatore. Në të gjithë vendin janë 3500 kontenierë instrumentesh, 53 tavolina lëvizëse dhe 190 dollapë. Meqenëse po thuhet se centrali i sterilizimit i plotëson të gjitha nevojat e Shqipërisë, kush dhe me se do i transportonte instrumentet e sterilizuar për tek spitali i Durrësit, Fierit, Shkodrës, Korçës, Sarandës, Vlorës, Elbasanit, etj? Kush do i sillte dhe me se do i sillte përsëri në central për t’u sterilizuar rishtazi? Kush do i përballonte shpenzimet e këtij sterilizimi dhe transporti për të gjithë Shqipërinë? Sa duhet të paguanin spitalet e tjera për këtë shërbim? Spitalet në Shqipëri nuk janë realitete ekonomikë, që ofrojnë shërbime për spitale të tjerë. Prandaj ishte e nevojshme një Operator i vetëm. Në vitin 2014 nuk i kishim as dijet, as njohuritë dhe as paratë për ta bërë vetëm një sipërmarrje të tillë. Në vitin 2014 qëllimi  kryesor ishte ndalimi i rrënimit të asaj çfarë gjetëm dhe shlyerja e 40 milionë USD borxhe të trashëguara nga qeverisja e mëparshme. Siç e thashë edhe më lart, janë të punësuar rreth 250 vetë. Vetëm shpenzimet e shpërblimit të tyre kushtojnë rreth 250 milionë lekë në vit. Dhe nëse shërbehen rreth 60 mijë operacione në vit, rezulton që vetëm shpenzime personeli për një ndërhyrje kirurgjikale janë rreth 4 mijë lek. Megjithatë më mirë se vetë mjekët askush nuk e kupton çfarë ndryshimi ka sjellë ky shërbim në kirurgjinë shqiptare. Në vijim janë dëshmitë e disa mjekëve të nderuar e të respektuar. I kërkoj ndjesë që po i përdor pa lejen e tyre por gjenden lirshëm nëse kërkon në Google. Dhe së fundmi diçka lidhur me udhëtimet e mija jashtë shtetit me “miqtë” e mi Umbro Staçini e Ilir Rrapaj. I njoh të dy. I kam njohur pasi jam bërë ministër dhe në zbatim të detyrës sime si ministër. Nuk kam zhvilluar ndonjë miqësi të veçantë. Gjatë kohës si ministër kam takuar e jam njohur me  sipërmarrës të ndryshëm, të huaj dhe shqiptarë, dhe për nevoja pune kam firmosur kontrata me ta. Të udhëtosh Tiranë – Romë apo Romë – Tiranë si dhe Tiranë – Vjenë apo Vjenë – Tiranë është gjëja më normale nëse do të udhëtosh nga Tirana për në Evropë apo për në botë. Këto janë rrugët ajrore të Shqipërisë (në atë kohë nuk ishte Ëizz Air). Mund të qëlloj që në ato fluturime të jenë miq, shokë, kontraktorë, bashkëpunëtorë etj. Vetëm pse je në atë fluturim kjo nuk besoj se është indicia për fajësi. Në shtator 2016 është e vërtetë se kam udhëtuar për në Vjenë. Sipas hetimit paska qenë edhe Admir Daca. Mundet. E kam njohur vetëm ditën që kam firmosur kontratën. Unë vetë kam fluturuar për në Vjenë për një vizitë pune në ANEA (Agjencia e Energjisë Atomike e Kombeve të Bashkuara). Bëni një kërkim “Ilir Beqaj në ANEA” në Google dhe ju del lajmi i asaj vizite. Pse kam qenë dhe me kë kam qenë. Por po e ripostoj. Në maj 2017 nuk kam udhëtuar jashtë shtetit, sepse kam qenë në qarkun e Dibrës në fushatë elektorale.” – tha në reagimin e tij ish-ministri që po hetohet nga SPAK për disa çështje kryesisht të lidhura me shëndetësinë.