Dyshohet se shqetësoi pasagjerët në avion dhe kundërshtoi me dhunë punonjësit e Policisë, arrestohet 23-vjeçari

35
Sigal

Një 23-vjeçar është arrestuar sot në Aeroportin e Rinasit, pasi shqetësoi pasagjerët në avion dhe kundërshtoi me dhunë punonjësit e Policisë.

Uniformat blu bëjnë me dije se në pranga ka rënë shtetasi me iniciale E. N., ndërsa mësohet se ishte në gjendje të dehur.

Njoftimi i policisë:

Rinas

Kundërshtoi me dhunë punonjësit e Policisë, për të mos e shoqëruar, pasi në gjendje të dehur, shqetësoi pasagjerët në avion dhe u konfliktua me ta, arrestohet 23-vjeçari.

Procedohet penalisht një 49-vjeçar i cili tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë, që të dilte ilegalisht nga vendi.

Krahas angazhimit maksimal për t’iu ofruar qytetarëve në hyrje/dalje, shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit kanë vijuar punën për të parandaluar dhe për të goditur paligjshmëritë. Për 2 rastet e konstatuara së fundi:

-është arrestuar në flagrancë shtetasi E. N., 23 vjeç, pasi në mesnatë, kanë njoftuar punonjësit e një linje fluturimi, në hyrje të vendit, se ky shtetas duke qenë në gjendje të dehur, po konfliktohej me pasagjerët në avion. Menjëherë pas njoftimit, kanë ndërhyrë shërbimet e Policisë, të cilat kanë neutralizuar shtetasin E. N. 23-vjeçari, gjatë shoqërimit, ka kundërshtuar me dhunë, efektivët;

-janë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. P., 49 vjeç, pasi ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë, me një kartëmonedhë 50 euro, që të dilte nga vendi ynë, drejt Italisë. Ky shtetas ishte i pajisur me aktin e refuzimit të daljes, sepse në vitin 2021 ishte kthyer deportiv nga Greqia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.