Hetimet – Eksplozivi për ministrin gjerman nga zyra e nënkryetarit të opozitës greke

507
Të mërkurën autoritetet gjermane çaktivizuan një paketë me eksploziv, që ishte dërguar në selinë e ministrisë së financave, në Berlin.

Sipas mediave vendase, paketa adresohej për ministrin, Wolfgang Schauble.

Që në fillim u bë e ditur se paketa-bombë ishte dërguar nga Greqia, prej një zyre postare që ende nuk është identifikuar.

Ndërkaq, vonë mbrëmjen e të mërkurës, u publikua dhe identiteti i dërguesit, që befasoi shumëkënd.

Si dërgues i paketës, paraqitet një politikan i njohur grek, Adonis Georgiadis, nënkryetari i partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re.

Duke folur për gazetën gjermane Bild, Georgiadis konfirmoi se adresa nën emrin e dërguesit ishte ajo e zyrës së tij në qendër të Athinës.

“Për fat të keq, është e vërtetë. Kjo është adresa ime. Terroristët vunë emrin tim, pse në Greqi konsiderohem si mik i Gjermanisë dhe i zotit Schauble”, deklaroi politikani grek.

Policia greke po heton për të lokalizuar zyrën postare prej nga u dërgua zarfi bombë për në Berlin, por edhe për të gjetur detaje të tjera që mund ta vënë në gjurmë të autorëve.

Dyshimet e para kanë rënë mbi organizatën guerrile greke, “Komploti i Celulave të Zjarrit”.

Kjo është organizata që në nëntor 2010, kishte nisur zarfe bombë në adresë të kancelares Merkel, presidentit francez dhe kryeministrit italian të atëhershëm, si dhe në tetë ambasada të huaja në Athinë.
Sigal