Heqja e karantinës për emigrantët, Mehmetaj: Çfarë duhet akoma për të kuptuar që zgjedhje nuk ka pasur?

172
Sigal

Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj, ka reaguar ashpër lidhur me vendimin e Komitetit të Ekspertëve të Pandemisë, i cili vendosi që të heqë karantinën për qytetarët që futen në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Mehmetaj, shprehet se ky vendim vjen vetëm k një javë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, gjë që tregon se kishte vetëm një qëllim pengimin e emigrantëve nga ana e Qeverisë që të ushtronin të drejtën e tyre të votës.

“Fiks një javë pas zgjedhjeve “Komiteti Rama” ka marrë vendim që emigrantët e ardhur nga Greqia dhe vendet e tjera fqinje nuk kanë nevojë të karantinohen pasi të hyjnë në Shqipëri. Çfarë ndryshoi me virusin për një javë, përveçse mbaruan zgjedhjet?

Sot KLSH dërgon në “Parlamentin Rama” një raport që flet për 711.8 mln euro dëm që institucionet shtetërore i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit vetëm në 2020. Shkelje, abuzime dhe vendime të parregullta. Ku shkuan këto para dhe a do mbajë kush përgjegjësi ligjore?

Prej disa ditësh janë bërë publike faktet se si me paratë e taksapaguesve shqiptarë, paguhen shqiptarë të tjerë në shkëmbim të votës, me pretekstin e tërmetit, kundër çdo ligji e rregulli.

Prej ditësh bëhen publike fakte të blerjes së votës ose të përdorimit të institucioneve shtetërore në shkëmbim të votës.

5% e votave kanë dalë të pavlefshme dhe ka mjaftueshëm pamje filmike që tregojnë se si numëruesit e Ramës prishin fletët e votimit, apo sesi llogarisin fletë të pavlefshme si të vlefshme për PS.

Çfarë duhet akoma për të kuptuar që zgjedhje nuk ka patur?”, shprehet nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj.