Pali Nito: Bonuset janë hiçgjë dhe për asgjë! Pensionistët nuk duan bonuse , por rritjen e pensioneve!

150
Sigal

Para disa ditësh dëgjuam kryeministrin, Edi Rama, i cili gjithë egzaltim dhe jo pa mburrje deklaroi bonusin prej 5000 lekësh për pensionistët për muajin prill. Deklarimi i këtij bonusi nga kryeministri është një mashtrim dhe për të mbajtur me shpresë dhe gajret pensionistët e gjorë që jo pak prej tyre po vdesin duke pritur. Bonusi si kundër e theksojmë në titullin e këtij shkrimi është me të vërtetë ‘hiçgjë për asgjë’ që nuk zgjidh kurrfarë gjëje. Bonusi prej 5000 lekësh për pensionistët me shumë halle e kërkesa konsumohet sa hap e mbyll sytë dhe pensionistët do të mbeten përsëri me xhepa të zbrazura e të shkundura e do të vazhdojë për ta rutina e zakonshme e skamjes, shtrëngimit të rripit dhe sfilitjes për të mbijetuar. Pensionistët, kjo shtresë fisnike, e ndërtuar dhe vlerësuar nga qytetarët dhe mbarë shoqëria për vlerat dhe kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë në ndërtimin e veprave gjigande në dekadat para viteve 90-të e konkretisht të uzinave, fabrikave, rafinerive, kombinatit të autotraktorëve, kombinateve të tekstileve, tharjes së kënetave, veprave bujqësore, bonifikimeve, sistemit të vaditjes dhe ndërtimit të hidrocentraleve dhe tec- eve me të cilat punon industria, bizneset, tregtia, me energjinë e tyre ngrohen, gatuajnë amvisat si dhe ndriçojnë ambientet shtëpiake dhe ato publike si çerdhet, kopshtet, shkollat, universitetet, institucionet, rrugët e gjithçka tjetër në shërbim të qytetarëve. Dhe theksoj e njëherazi nënvijëzoj se të gjitha këto vepra mbajnë vulën e pensionistëve, mundin, djersën, përkushtimin, prokupacionin dhe impenjimin dhe mobilizimin e tyre maksimal. Por fatkeqësisht këto kontribute të kësaj shtrese të nderuar e të respektuar të shoqërisë tonë nuk vlerësohen nga politika dhe qeveritarët e djeshëm e të sotëm e të dy krahëve. Shkurt, nuk janë aspak mirënjohës pensionistëve dhe për gjithçka pensionistët kanë bërë duhej me patjetër që të vlerësoheshin edhe financiarisht e materialisht. O tempora o mores! Të mos jesh mirënjohës këtyre flokëthinjurve fisnikë është paradoksale. Në lidhje me këtë çështje, filozofi E-Kant ka thënë: “Mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë”. Prandaj për gjithçka të mirë e pozitive që bëhet e realizohet në dobi të shoqërisë duhet të kemi mirënjohje, vlerësim, respekt, pozitivitet dhe mbështetje maksimale. Pensionistët nuk janë çiliminj, të paditur e naivë që të gënjehen e mashtrohen me bonuset e kryeministrit aktual për t’i mbajtur ata me gajret e me shty sa të shtyjmë, me bonuset e sheqerosura, që vërtet janë një hiçgjë që nuk zgjidh asgjë. Për problematikat dhe shqetësimet nga më të ndryshmet, që kanë pensionistët, bonusi shpenzohet dhe firon sa hap e mbyll sytë, sepse kemi një konglomeratë problematikash dhe hallesh. Zgjidhja nuk janë aplikimi i bonuseve njëherë apo dy herë në vit. E vetmja zgjidhje është rritja e pensioneve në atë masë që mund të përballojë buxheti i shtetit. Dhe arsyetoj e gjykoj se janë mundësitë pasi ne fatmirësisht kemi një turizëm që parapëlqehet nga turistë vëndas dhe të huaj, që gjeneron të ardhura të konsiderueshme dhe me prirje përherë e më tepër në rritje e sa e sa burime të tjera mbitokësore dhe nëntokësore, që sjellin të ardhura financiare. Kemi plantacione masive me lulishte, vreshta e agrume, kemi pasuri ujore duke u krahasuar me vëndet skandinave, kemi klimë të përshtatshme, që favorizon kultivimin dhe prodhimin e zarzavateve e të perimeve e sidomos të bastionit aq të pëlqyera dhe të kërkuara nga tregu gjigand europian e planetar. Ne gjithashtu kemi plantacione masive me gështenja si në Tropojë dhe në Pogradec si dhe arrorë si ne Peshkopi dhe Kukës. Kemi gjithashtu plantacione masive me mollë e sidomos në rrethin e Korçës, Pogradecit dhe Peshkopisë, që gjenerojnë të ardhura financiare të mira. Të gjitha këto pasuri po të menaxhohen mirë me nikoqirllëk e me dorë të shtrënguar, s’ka arsye të arsyeshme e të justifikueshme që pensionet të jenë në pikë të hallit dhe tejsajshmërisht kaq qesharake.